Lajme

KPK konfirmon drejtuesen e prokurorisë së Pukës

Komisioni njoftoi konfirmimin e Elidiana Kasës, drejtuese e Prokurorisë Pukë. Kasa u hetua në të tre kriteret e vettingut.

Drejtuesja e Prokurorise se Pukes, Elidiana Kasa pas seances degjimore. Foto: Edmond Hoxhaj

Drejtuesja e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, Elidiana Kasa u konfirmua të martën nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK. Kasa e cila u hetua në të tre kriteret rezultoi pa probleme prej rivlerësimit.

Gjatë seancës dëgjimore javën e kaluar, trupa gjykuese që përbëhej nga Olsi Komici kryesues, Valbona Sanxhaktari relatore dhe Roland Ilia anëtar, bëri me dije se Kasës nuk i ishin gjetur probleme. Sipas relatores nga verifikimet e kryera për pasurinë ka rezultuar se deklarimet e bëra nga ana e prokurores si të sakta dhe të rregullta.

Prokurorja Elidiana Kasa është vlerësuar pozitivisht edhe për kriterin e pastërtisë së figurës. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, e ka cilësuar si të përshtatshme për të vazhduar detyrën. “Nota” pozitive ajo ka marrë edhe për profesionalizimin, ku sipas raportit të dërguar në komision nga Prokuroria e Përgjithshme prokurorja Kasa është vlerësuar shumë mirë dhe se ka treguar aftësi të mira në organizimin e punës. Ndaj saj nuk ka rezultuar të jetë marrë ndonjëherë masë disiplinore.

Elidiana Kasa e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1992 dhe e ushtron funksionin e saj prej më shumë se 25 vitesh në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pukë. E komanduar drejtuese dhe e mbetur vetëm në këtë Prokurori, Kasa iu drejtua së fundmi Këshillit të Lartë të Prokurorisë me kërkesën për të plotësuar organikën për shkak të ngarkesës së lartë dhe faktit se disa prej të pandehurve kishin marrëdhënie farefisnore më të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *