Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK konfirmon kreun e Gjykatës Administrative

Eriol Roshi, kryetar i Gjykatës Administrative të Faktit në Tiranë, u konfirmua nga Komisioni i Pavarur pas hetimit në të tre kriteret.

Kryetari i Gjykatës Administrative të Tiranës, Eriol Roshi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto:BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të enjten konfirmimin në detyrë të Eriol Roshit. Kryesuesja e trupës që hetoi Roshin, Genta Tafa, tha se vendimi ishte marrë pas hetimit në të tre kriteret. Roshi i cili drejton prej vitit 2013 Gjykatën Administrative të Shkallës së parë u përball të mërkurën në seancë dëgjimore me hetimin ndaj tij. Trupa gjyqësore drejtohej nga Genta Tafa Bungo, me relatore Valbona Sanxhaktari dhe anëtar Lulzim Hamitaj.

Gjatë relacionit nuk u vunë në dukje probleme të gjykatësit. Roshi sipas KPK ishte hetuar në të tre kriteret dhe kishte shpjeguar bindshëm origjinën e pasurisë së tij. Ai po ashtu u konsiderua i përshtatshëm në kriterin e pastërtisë së figurës dhe i aftë në kriterin profesional.

Gjatë seancës dëgjimore u vu në dukje se ndaj Roshit kishte pasur denoncime, përfshi një denoncim në media për shortet në Gjykatën Administrative që ai drejton. Megjithatë Komisioni nuk ka gjetur elementë shkarkues në këto denoncime.

Transaksionet me apartamentin e shitur si dhe mbajtja për katër vjet e pjesës së vet takuese prej 1.5 milionë lekësh jashtë sistemit bankar ngjalli kureshtjen e vëzhguesit të ONM-së, Theo Jacobs, i cili e pyeti gjyqtarin Roshi se si kishin mbërritur paratë te ai dhe ku kishin qëndruar ato për rreth 4 vjet.

“Jam përgjigjur në shpjegimet e mia se veprimet nuk janë kryer përmes bankës. Të hollat kanë qëndruar në shtëpinë e babait tim,” u përgjigj Roshi, ndërsa sqaroi se ai nuk kishte kontribuar në blerjen e apartamentit, por ishte bërë bashkëpronar nga dëshira e prindërve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *