Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK konfirmon ndihmësin ligjor Gentian Jahjolli

Gentian Jahjolli, ndihmës ligjor pranë Gjykatës së Lartë u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Ndihmësi ligjor, Gentian Jahjolli përballë KPK-së. Foto: E.Hoxhaj

Gentian Jahjolli, ndihmës ligjor pranë Gjykatës së Lartë u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.  Trupa gjyqësore e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Pamela Qirko vendosi konfrimimin e të riut në të tre kriteret.

Gjatë seancës dëgjimore relatorja Etleda Çiftja vuri në dukje se të tre institucionet ndihmëse, ILDKPKI, DSIK dhe Shkolla e Magjistraturës kishin lëshuar raporte pozitive për Jahjollin.

Pozitiv për këshilltarin ligjor ishte edhe përfundimi i hetimeve të kryera nga KPK sa i përket pasurisë së ndihmësit ligjor dhe personave të lidhur me të. Relatorja Çiftja tha në seancë se deklarimi i Gentian Jahjollit ishte i saktë sa i përket kursimeve të depozituara në llogari bankare. Komisioni vlerësoi mjaftueshmërinë e burimeve financiare të babait të subjektit për një apartament dhe dy shtesa të ndërtuara në të, blerjen e një makine si dhe pagesën e tarifës së doktoraturës në Itali.

Jahjolli është emëruar në mars të vitit 2014, ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë, detyrë të cilën e kryen edhe sot. Ai është angazhuar gjithashtu në mësimdhënie në një universitet privat si dhe ka kryer doktoraturën në universitetin La Sapienza në Itali.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *