KPK konfirmon në detyrë dhe dërgon për masë disiplinore Ened Nakuçin
Lajme

KPK konfirmon në detyrë dhe dërgon për masë disiplinore Ened Nakuçin

Kandidati për Prokurorinë e Posaçme, deri tani prokuror te Krimet e Rënda, Ened Nakuçi u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. KPK tha se do të dërgonte për masë displinore disa nga çështjet ndaj prokurorit.

Seanca dëgjimore e subjektit të rivlerësimit Ened Nakuçi para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Tiranë më 6 qershor 2019. Foto: Vladimir Karaj/BIRN

Argumentet e prokurorit Ened Nakuçi kanë bindur Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Të premten treshja që shqyrtoi çështjen ndaj Nakuçit vendosi ta konfirmojë atë në detyrë, ndërsa disa nga shkeljet që iu gjetën gjatë hetimit në kriterin profesional u dërguan për masë disiplinore.

Nakuçi iu nënshtrua procesit të vettingut në të tre kriteret. Ai u hetua nga një trupë r kryesuar nga Xhensila Pine, me relator Roland Ilia dhe anëtare Valbona Sanxhaktari. Nakuçit gjatë seancës dëgjimore iu vunë në dukje kryesisht probleme mbi profesionalizmin.

Ai u vu përballë një raporti të eprorëve se kishte braktisur çështjen ndaj Emiljano Shullazit dhe të tjerëve, por nuk është e qartë cila ka qenë mbrojtja e Nakuçit në këtë pikë. Ai po ashtu u akuzua për largimin nga një vend aksidenti, gjë të cilën e mohoi dhe për probleme në hetimin e dy dosjeve për trafik narkotikësh.

Ai po ashtu u kritikua nga vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs për mungesë kreativiteti në hetimin e një dosje dhe për faktin se nuk mbante minuta dhe shënime për urdhërat verbalë të dhënë gjatë hetimit.

Ened Nakuçi e ka nisur karrierën nësistemin e drejtësisë në vitin 2000 si prokuror i Prokurorisë së Tiranës. Në vitin 2003, ai është emëruar Prokuror i Krimeve të Rënda, detyrë të cilën vazhdon ta ushtrojë prej 16 vitesh. Nakuçi është një ndër 25 kandidatët që po vazhdojnë garën për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, e cila njihet më së shumti me akronimin e saj SPAK.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *