Gjyqtarja Iliba Bezati | Foto : Edmond Hoxhaj
KPK Lajme Vendi

KPK konfirmon në detyrë gjyqtaren e Apelit Vlorë, Iliba Bezati

Gjatë seancës dëgjimore Komisioni i Pavarur i Kualifikimit përmbysi raportet negative të institucioneve ndihmëse për pasurinë dhe pastërtinë e figurës.

Gjyqtarja Iliba Bezati | Foto : Edmond Hoxhaj

Komisoni i Pavarur i Kualifikimit, KPK njoftoi të hënën vendimin e konfirmimit në detyrë të gjyqtares së Gjykatës së Apelit Vlorë, Iliba Bezati.

Dy raporte negative nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar u përmbysën nga Komisioni gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar me 24 shkurt.

Sipas ILDKPKI, Bezati kishte bërë deklarim të pasaktë, nuk kishte burime të ligjshme të pasurisë, kishte fshehje pasurie, kishte bërë deklarim të rremë dhe bashkëshorti ishte në kushte të konfliktit të interesit.

KPK rrëzoi gjatë relatimit pjesën dërrmuese të këtyre gjetjeve, ndërsa vuri në dukje vetëm pasaktësi në deklarimet vjetore, bilance negative prej rreth 600 mijë lekësh dhe mosdeklarimin e një trualli të trashëguar nga bashkëshorti.

Ndërkohë, raporti i dytë i DSIK-së, sipas të cilit Bezati ishte e papërshtatshme, u rrëzua nga KPK që në seancë dëgjimore.

“Nuk rezultuan fakte apo rrethana që të mbështesin konkluzionet  e DSIK,’ tha në seancë relatori Lulzim Hamitaj.

Bezati vetë tha se dakordësohej me “pjesën dërrmuese” të gjetjeve të Komisionit dhe kërkoi mirëkuptim për pasaktësitë në deklarime në vitet e para, duke pretenduar mungesë informacioni mbi mënyrën se si këto deklarime duhej të plotësoheshin.

Iliba Bezati e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 dhe ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Vlorës deri në vitin 2005. Ajo punon si gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Vlorës prej 15 vitesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *