Gjyqtarja Flojera Davidhi në seancë dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj
KPK Lajme Vendi

KPK konfirmon në detyrë gjyqtaren Flojera Davidhi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi në mënyrë unanime të konfirmojë në detyrë gjyqtaren e Korçës Flojera Davidhi dhe të dërgojë për inspektim një çështje.

Gjyqtarja Flojera Davidhi në seancë dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të martën vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Korçës, Flojera Davidhi.

Ndërkohë, u dërgua për inspektim pranë Inspektorit ta Lartë të Drejtësisë një çështje e shqyrtuar nga Davidhi në vitin 2019.

Gjatë seancës dëgjimore të hënën nuk u evidentuan probleme për pasurinë dhe figurën për gjyqtaren e Korçës, Flojera Davidhi, ndërkohë që u debatua mbi një vendim pafajësie për një zyrtare lokale të akuzuar për korrupsion.

Trupi gjykues i KPK që kreu procesin e vetingut për gjyqtaren Davidhi kryesohej nga Pamela Qirko, me relatore Etleda Çiftjen dhe anëtar Roland Ilian.

Flojera Davidhi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Korçës. Në tetor 2019, Davidhi u komandua për një periudhë 2-vjeçare si këshilltare ligjore pranë Njësisë Mbështetëse të komisioneve në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *