Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme,Irena Gjoka, para KPK. Foto:Vladimir Karaj
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

KPK konfirmon në detyrë gjyqtaren Irena Gjoka

Gjyqtarja Irena Gjoka e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u konfirmua në detyrë, ndonëse në seancën dëgjimore iu vunë në dukje disa raste mosdeklarimesh.

Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme,Irena Gjoka, para KPK. Foto:Vladimir Karaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi të mërkurën në detyrë gjyqtaren Irena Gjoka të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndonëse në seancën dëgjimore iu vunë në dukje disa raste mosdeklarimi.

Gjoka u hetua nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Genta Tafa (Bungo) dhe anëtare Valbona Sanxhaktari.

Në seancën dëgjimore, relatorja Genta Tafa vuri në dukje se verifikimi për blerjen e një apartamenti kishte rezultuar në rregull, por deklarimet për sa i përket kursimeve në shumën 23 mijë euro nuk përputheshin.

Relatorja po ashtu vuri në dukje mosdeklarimin e pjesës në apartamentin e prindërve në Patos. Sipas relatimit gjyqtares i takonte ¼ e këtij apartamenti. Gjyqtarja pranoi këtë mosdeklarim dhe cilësoi këti si një harresë.

Dy mosdeklarimet e tjera kishin të bënin me bashkëshortin e gjyqtares. Në një rast sipas relatimit, ai nuk kishte deklaruar marrjen pas të një shumë prej 1 milion lekësh nga e bija, së cilës ia kishte huazuar për të bërë studimet. Paratë ishin deklaruar më pas për blerjen e dy garazheve, por KPK doli në përfundimin se mosdeklarimi i kësaj shume e nxirrte bashkëshortin me minus 500 mijë lekë të ardhura nga burimet e ligjshme në vitin 2011.

Po ashtu, një tjetër mosdeklarim kishte të bënte me depozitimin e një shume prej 12 mijë eurosh në vitin 2007 në bankë.

Gjyqtarja Gjoka e cila vlerësoi pozitivisht procesin dhe hetimin, ndërsa i justifikoi gjetjet me keqnjohjen e legjislacionit për deklarimin e pasurisë dhe në disa raste si harresa të paqëllimshme.

Në lidhje me denoncimin për shkelje të normave proceduriale dhe zbatimin e gabuar të ligjit në një çështje, gjyqtarja Gjoka u mbrojt se kishte qenë në pakicë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *