Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK konfirmon në detyrë gjyqtarin Dritan Hallunaj

Gjyqtari i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime e Rënda, Dritan Hallunaj iu bashkua sot listës së kolegëve që kanë kaluar me sukses procesin e vetingut.

Suela Zhegu, Pamela Qirko, Genta Tafa Bungo, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto nga : LSA

Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, e udhëhequr  nga Pamela Qirko si kryesuese, Genta Tafa Bungo si relatore dhe Suela Zhegu anëtare, konfirmoi të mërkurën në detyrë gjyqtarin e Krimeve të Rënda Dritan Hallunaj.

Hallunaj u konfirmua në detyrë pasi kaloi me sukses procesin e rivlerësimit për të tre kriteret e vetingut, përfshirë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Gjyqtari Hallunaj është shortuar si pjesë e listës prioritare të KPK-së, për shkak të kandidaturës së tij për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Ai bëhet gjyqtari i parë nga Gjykata për Krime të Rënda që kalon me sukses procesin e vetingut.

Komisioni ka përfunduar në korrik procesin e rivlerësimit për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Nga nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, tre janë dorëhequr ose kanë mbaruar mandatet, katër janë rrëzuar në veting dhe vetëm dy kanë mbijetuar – kryetari Bashkim Dedja dhe gjyqtarja Vitore Tusha.

Në Gjykatën e Lartë katër anëtarë i mbijetuan procesit të vetingut në KPK, përfshirë kryetari Xhezair Zaganjori dhe gjyqtarët Medi Bici, Edmond Islamaj dhe Ardian Dvorani.

Ndërkohë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rrëzoi për pasuri të pajustifikuara, korrupsion apo lidhje me krimin e organizuar pesë anëtarët e tjerë; Admir Thanza, Tom Ndreca, Artan Zeneli, Shkëlzen Selimi dhe Artan Broci.

Përpara startimit të procesit, në vitin 2016, Gjykata e Lartë kishte 17 anëtarë. Por gjashtë prej tyre dhanë dorëheqjen në të njëjtën kohë me mbarimin e mandatit, njëra dha dorëheqjen para mbarimit të mandatit dhe një gjyqtare tjetër u shkarkua për shkak të akuzave për korrupsion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *