Zhaneta Pira, inspektore e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Foto:BIRN
KPK Veting

KPK konfirmon në detyrë inspektoren e KLGJ-së Zhaneta Pira, pavarësisht kundërshtimit të ONM

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të premten vendimin e konfirmimit në detyrë për Zhaneta Pira, inspektore e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Pira u hetua nga KPK në të tre kriteret, por çështja u fokusua te statusi i saj si magjistrate.

Pasja apo jo e statusit të magjistratit prej inspektores së Këshillit të Lartë Gjyqësor Zhaneta Pira u debatua në seancën dëgjimore në procesin e rivlerësimit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Pira këmbënguli në seancë se gëzonte statusin e magjistrates dhe se pavarësisht shkëputjes së gjatë duhej të konfirmohej nga KPK.

Siç doli në seancë vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit ishin shprehur paraprakisht me mendimin, se Pira, e cila kishte punuar 9 vite si gjyqtare dhe 19 vite të tjera si inspektore në Ministrinë e Drejtësisë, ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe tani në KLGJ, nuk ishte subjekt rivlerësimi.

Vëzhguesit po ashtu shpreheshin në mendim se në rast se KPK e merrte në shqyrtim çështjen Pira duhej të shkarkohej pasi nuk plotësonte kriteret ligjore për tu konfirmuar.

Pavarësisht këtij opinioni trupa e përbërë prej Pamela Qirkos kryesuese, Valbona Sanxhaktari relatore dhe Alma Faskaj anëtare mori në shqyrtim rastin e Pirës dhe vendosi konfirmimin e saj në detyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *