KPK konfirmon në detyrë kandidaten për në Gjykatën Kushtetuese

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme
Arta Vorpsi u konfirmua mëngjesin e të hënës nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Vorpsi është aktualisht këshilltare ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese, ndërsa është po ashtu kandidate për një nga vendet e mbetura vakante në këtë gjykatë.

Gjatë seancës dëgjimore për kandidaten për në Gjykatën Kushtetuese në KPK. Foto BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, njoftoi vendimin e konfirmimit të Arta Vorpsit në një seancë që zgjati vetëm disa minuta. Kryetari i treshes që shyqrtoi rastin Lulzim Hamitaj lexoi se pas hetimit administrativ dhe seancës dëgjimore Komisioni kishte arritur në përfundimin se këshilltarja ligjore e Gjykatës Kushtetuese duhej të konfirmohej.

Vorpsi është kandidate për në Gjykatën Kushtetuese dhe është përfshirë me short në listën e subjekteve prioritare. Ajo është e para kandidate për në Gjykatën Kushtetuese që futet në proces rivlerësimi dhe konfirmohet.

Treshja që gjykoi Vorpsin kryesohej nga Lulzim Hamitaj, relatore Genta Tafa (Bungo) dhe anëtare Valbona Sanxhaktari. Hetimi për Vorpsin u bazua në të treja kriteret e rivlerësimit: “Pasurinë, figurën dhe profesionalizmin”.

Gjatë seancës dëgjimore të premten e kaluar, relatorja tha se KPK kishte kryer hetimin e saj të pavarur, duke u ndalur kryesisht te hetimi administrativ mbi pasuritë. Ajo tha se ishin gjetur pasaktësi, por bëri me dije se ato nuk ndikonin në procesin e rivlerësimit. KPK tha se në deklaratën veting nuk ishin pasqyruar kursime nga të ardhurat, por tha se Vorpsi kishte sqaruar se nuk kishte të tilla dhe se të ardhurat e deklaruara në vite kishin shërbyer për të mbuluar shpenzimet e jetesës.

Relatorja theksoi se nga hetimi nuk kishin rezultuar probleme me pastërtinë e figurës dhe e cilësoi Vorpsin të përshtatshme.

Relatorja tha po ashtu se nga hetimi i dosjeve për të cilat kishte dhënë mendim Vorpsi ajo rezultonte e aftë. Sipas relacionit të lexuar Vorpsi kishte dhënë opinion për 95 çështje kushtetuese dhe se mendimi i saj kishte qenë ndikues në marrjen e vendimeve nga kjo gjykatë. Relatorja veçoi angazhimin akademik të subjektit, ndërsa theksoi se kandidatja për në Gjykatë Kushtetuese kishte marrë doktoraturën në Vjenë.