Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK konfirmon Papajorgjin, kandidate për në Gjykatë Kushtetuese

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë këshilltaren ligjore, kandidate për në Gjykatë Kushtetuese Fiona Papajorgji. Ajo është kandidatja e dytë për anëtare në këtë gjykatë që konfirmohet në detyrë.

Këshilltarja ligjore, Fiona Papajorgji përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: E.Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në seancën e të hënës Fiona Papajorgjin. Papajorgji e cila deri tani ka shërbyer si këshilltare ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese është kandidate për një vend në këtë gjykatë, e cila pritet të ringrihet nga e para, pasi shkarkimet nga procesi i vetingut dhe dorëheqjet e lanë atë vetëm me dy anëtarë.

Treshja gjykuese që shqyrtoi rastin e Papajorgjit përbëhej nga Brunilda Bekteshi si kryesuese, Roland Ilia relator dhe Olsi Komici anëtar,  ndërsa vëzhgues ndërkombëtar ishte Theo Jacobs.

Vlerësimi i këshilltares ligjore pranë Gjykatës Kushtuetuese, e emëruar në këtë institucion me datë 5 shtator 2011, u krye në të tre kriteret, atë të deklarimit të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Gjatë seancës dëgjimore relatori tha se Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI kishte dorëzuar një raport negativ për Papajorgjin, duke e cilësuar atë të pasaktë dhe pa dokumentacionet e nevojshme, por me burime të ligjshme.

Sipas ILDKPKI-së dhe KPK-së Papajorgji duhej të paraqiste dokumente në lidhje me një shumë të përfituar si bursë nga Bashkimi Evropian në vlerën e 35 mijë eurove e cila kishte shërbyer për investime të tjera. Subjekti tha gjatë seancës dëgjimore se po priste ende mbërritjen e dokumenteve me vula apostile dhe se vonesat kishin ardhur për shkak të kohës që kishte kaluar.

Papajorgji nuk pati probleme sa i përket kriterit të figurës dhe profesionalizmit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *