KPK konfirmon prokuroren Sonila Muhametaj
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK konfirmon prokuroren Sonila Muhametaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi konfirmin në detyrë të Prokurores së Krimeve të Rënda Sonila Muhametaj, pas rivlerësimit në të tre kriteret.

Prokurorja Sonila Muhametaj pas vendimit në KPK. Foto:V.Karaj/BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi mëngjesin e të premtes vendimin për konfirmin në detyrë të Prokurores së Krimeve të Rënda Sonila Muhametaj, pas rivlerësimit në të tre kriteret.

Muhametaj dhe të afërm të saj të pranishëm e pritën të emcionuar vendimin, ndërsa prokurorja u përlot.

Prokurores së Krimeve të Rënda iu kërkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjatë seancës dëgjimore sqarime mbi burimet financiare për pagesën e disa kredive dhe detyrimeve. Muhametaj dha shpjegime dhe solli në seancë dokumente shtesë që kërkoi të merreshin si prova.

Trupa gjykuese që kreu procesin e rivlerësimit, e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, Suela Zhegu me relatore Etleda Çiftja, nuk i gjeti Muhametajt probleme në dy kriteret e tjera të rivlerësimit, ndërsa dy gjetje të ardhura nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në të cilat pretendoheshin shkelje proceduriale të Muhametajt u rrëzuan si të pabazuara nga KPK.

Sonila Muhametaj ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2007 dhe është emëruar prokurore në Prokurorinë e Krujës. Në vitin 2014, ajo është transferuar në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa në vitin 2015 u dekretua nga Presidenti si prokurore e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Në shtator 2018, Sonila Muhametaj ishte një ndër tre prokurorët e transferuar me urdhër të kryeprokurores Arta Marku pas një konflikti në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për dosjen “Shullazi”. Muhametaj ngriti padi kundër vendimit në Gjykatën Administrative dhe e fitoi çështjen, duke u rikthyer nga Prokuroria e Pukës në atë të Krimeve të Rënda.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *