Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK konfirmon prokurorin Dritan Peka

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi dy javë pas seancës dëgjimore konfirmin në detyrë të drejtuesit të Prokurorisë së Apelit në Tiranë, Dritan Peka, ndërsa kërkoi nisjen e një procedimi disiplinor ndaj tij.

Prokurori Drtian Peka gjatë seancës dëgjimore në KPK, datë 18.02.2019 | Foto: LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi konfirmin në detyrë të drejtuesit të Prokurorisë së Apelit në Tiranë, Dritan Peka. Trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Olsi Komici dhe Lulzim Hamitaj njoftoi të hënën konfirmin e Pekës pasi kishte  shtyrë seancën e njoftimit të vendimit ndaj tij për gati dy javë.

Po ashtu u vendos kalimi i një praktike punësimi që ishte gjetur si problem për procedim të mundshëm disiplinorë.

Dritan Peka e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në Shqipëri në vitin 1997. Ai ka punuar si prokuror i Prokurorisë së Tiranës deri në vitin 2008, kur është promovuar si prokuror i Apelit të Tiranës. Ai është drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Tiranës prej vitit 2015.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më 18 shkurt, prokurori Dritan Peka u vlerësuar për të trija kriteret e vetingut, përfshirë pastërtinë e figurës, pasurinë dhe profesionalizmin.

Relatori i çështjes, Lulzim Hamitaj pasqyroi raportin e vënë në dispozicion të dokumentacionit nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), sipas të cilit prokurori Dritan Peka kishte kryer deklarim të saktë në përputhje me ligjin, ka pasur burime të ligjshme, nuk ka kryer fshehje të pasurisë apo deklarim të rremë dhe se nuk ka konflikt interesi.

Megjithatë, Hamitaj deklaroi se hetimi i KPK-së i kishte kaluar prokurorit barrën e provës mbi dyshime për kontrata fiktive, përdorimin e papërshtatshëm të parave të përfituara nga një kredi e butë dhe blerjen e një makine me çmim fiktiv.

KPK konstatoi gjithashtu probleme edhe në aspektin profesional, duke nënvizuar se Peka – në cilësinë e drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Tiranë, nuk kishte marrë masa ndaj një prokurori për mos ushtrimin e rekursi. Komisioni ngriti dyshime edhe për ligjshmërinë e emërimit të një punonjësi të administratës i cili më pas rezultonte të mos kishte qenë në detyrë për një periudhë kohore disa mujore.

Megjithatë pasi dëgjoi Pekën dhe pretendimet e tij Komisioni, i cili mori dy javë kohë për të vendosur për çështjen, vendosi konfirmin e tij në detyrë.

KPK nuk bëri me dije arsyet e shtyrjes për dy javë të shpalljes së vendimit, një kohëzgjatje jo e zakonshme krahasuar me rastet e tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *