Në këtë foto arkivë, gjyqtari Shkëlqim Miri po flet për gazetarët pasi fitoi postin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë më 7 dhjetor 2007. Foto: Gent Shkullaku, LSA
KPA KPK Vendi

KPK merr vendim të ri për Shkëlqim Mirin pasi KPA rrëzoi vendimarrjen e parë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit është ndarë në mënyrën e ndryshimit të vendimit, ku shumica ka kërkuar prishjen duke sjellë një proces dhe vendimarrje të re të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ndërsa pakica vlerëson se do të ishte e mjaftueshme vetëm të ndryshohej disponimi përfundimtar.

Në këtë foto arkivë, gjyqtari Shkëlqim Miri po flet për gazetarët pasi fitoi postin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë më 7 dhjetor 2007. Foto: Gent Shkullaku, LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ka dalë me vendim të ri për vetingun e ish-gjyqtarit Shkëlqim Miri, i cili u shkarkua nga detyra prej Këshillit të Lartë Gjyqësor pasi u dënua me vendim të formës së prerë për korrupsion. Ndryshe nga vendimi i parë kur u çmua ndërprerja e procesit të rivlerësimit kalimtar, në vendimarrjen e dytë është deklaruar i përfunduar procesi i rivlerësimit pa një vendim përfundimtar.

Me vendimin e 23 prillit, trupa e KPK e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Brunilda Bekteshin e ndëpreu procesin e rivlerësimit për Mirin, duke arsyetuar se shkarkimi nga KLGJ ka sjellë përfundimin e statusit të magjistratit.

Ky vendim u ankimua nga Komisioneri Publik, Darjel Sina duke u bazuar dhe në një arsyetim të ndryshëm të KPK-së në vendimin ndaj ish-gjyqtarit Ibrahim Hoxha, edhe ky i dënuar për korrupsion. Sipas Sinës, janë organet e reja kushtetuese të vlerësimit, në këtë rast Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ që duhet të vendosi përfundimisht mbi pasojat që sjell procesi i vetingut.

Duke iu referuar parashikimeve kushtetuese, Sina argumentoi se pas shpërbërjes së Komisionit, çështjet e papërfunduara të rivlerësimit shqyrtohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe se klasifikimi si të papërfunduara u mundëson organeve të tjera të drejtësisë të kryejnë rivlerësimin e tyre.

Ai kërkoi që të mbahej në konsideratë fakti se Miri e kishte rekursuar vendimin për dënimin penal dhe nëse Gjykata e Lartë do të dispononte në të ardhmen ndryshe nga apeli, atëherë do të duhej që ti jepej mundësia KLGJ-së që të trajtonte çështjen.

Ankimi i Sinës u shqyrtua nga trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm i Apelimit, KPA e kryesuar nga Sokol Çomo, me relatore Natasha Mulajn dhe anëtarë Ina Rama, Rezarta Schuetz e Ardian Hajdari, që me shumicë votash vendosi më 7 tetor prishjen e vendimit të KPK-së. Megjithëse shumica dhe pakica e Kolegjit kanë çmuar se Komisioni duhej të kishte deklaruar të përfunduar procedurën administrative pa një vendim përfundimtar, janë ndarë në disponimin përfundimtar – ku të parët kanë vendosur prishjen e vendimit të KPK-së, ndërsa pakica orienton ndryshimin.

Vlerësimi shumicës

Shumica e përbërë nga kryesuesi Sokol Çomo, relatorja Natasha Mulaj dhe anëtari Ardian Hajdari e cilësojnë të gabuar vendimin e parë të KPK-së, duke argumentuar se arsyet e përfundimit të procesit të rivlerësimit nuk përputhen me institutin e ndërprerjes ashtu si është parashikuar nga neni “G”, pika 1 e Aneksit të Kushtetutës, për shkak të dorëheqjes nga detyra të subjekteve të rivlerësimit, ku përcaktohet dhe sanksioni që ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

Shumica e Kolegjit vëren se vetë KPK konstaton se Shkëlqim Mirit i ka përfunduar statusi i magjistratit për shkak të shkarkimit nga detyra dhe jo si pasojë e dorëheqjes.

Po ashtu, Kolegji evidenton se në rastin e gjyqtarit Ibrahim Hoxha, edhe pse rastet kanë qenë të njëjta, zgjidhja është dhënë nërmjet nenit 95 të Kodit të Procedurave Administrative, duke deklaruar përfundimin e vetingut pa vendim përfundimtar, pasi pas shkarkimit të këtij subjekti kishte humbur objekti për të cilin kishte nisur vetingu.

Meqenëse procedura administrative zhvillohet në Komision, Kolegji vlerëson se KPK duhej ta kishte aplikuar Kodin e Procedurave Administrative dhe të deklaronte të përfunduar vetingun e Shkëlqim Mirit pa një vendim përfundimtar, me arsyetimin se subjekti i rivlerësimit e ka humbur statusin e magjistratit për shkak të shkarkimit nga detyra prej KLGJ-së.

Kolegji e konsideron pjesën arsyetuese të vendimit të KPK për Mirin në kontradiktë me pjesën urdhëruese. Kjo, pasi në pjesën arsyetuese Komisioni e ka përfshirë rastin e Mirit si të parashikuar në Kodin e Procedurave Administrative, kur rivlerësimi përfundon pa një vendim përfundimtar – ndërsa pjesa urdhëruese ku është disponuar me ndërprerje të procesit të rivlerësimit aplikohet vetëm në rastet e dorëheqjes sipas Nenit G të Aneksit të Kushtetutës.

“[…]Trupi gjykues i Kolegjit çmon se ky vendim është jo vetëm i kundërligjshëm, por edhe alogjik, që nuk mund të sjellë pasoja juridike të ligjshme dhe, si i tillë, ai nuk mund të lihet në fuqi”, vlerëson shumica dhe ka vendosur të prishë vendimin e Komisionit.

Bazuar në këtë vendim të KPA-së, Komisioni ka vendosur që në aplikim të Kodit të Procedurave  Administrative të përfundojë procesin për Shkëlqim Mirin pa një vendim përfundimtar, për shkak se ka humbur statusin e magjistratit.

Mendimi pakicës

Gjyqtaret Rezarta Schuetz dhe Ina Rama kanë votuar kundër shumicës duke e konsideruar këndvështrimin për prishjen e vendimit të KPK në kundërshtim me logjikën dhe me analizën e dispozitave ligjore.

Sipas pakicës, disponimi i shumicës ka interpretim formal dhe nuk i jep përgjigje vijueshmërisë së procesit për këtë subjekt rivlerësimi, duke e bërë të nevojshme ripërsëritjen e një procesi administrativ në Komision.

“Kjo tejzgjatje e procesit, që merr shkak kryekëput nga përdorimi pasaktësisht i një termi [ndërprerje] nga Komisioni, mund të ishte evituar nëse në përputhje me nenin 66, pika 2 e ligjit nr. 84/2016, Kolegji do t’i jepte orientim Komisionit për zgjidhjen e çështjeve të ngjashme, duke ndryshuar vendimin”, vlerëson pakica.

Schuetz dhe Rama e vlerësojnë të padrejtë pretendimin e Komisionerit Sina lidhur me ndryshimin e situatës së Shkëlqim Mirit nëse Gjykata e Lartë do të pranonte rekursin e tij.

“[…]Çdo pretendim që mund të ngrihet në të ardhmen rreth sigurisë së ekzistencës së kësaj gjendjeje juridike, për shkak të ngjarjeve që mund të ndodhin, sipas vlerësimit të Kolegjit, në kontekstin e situatës faktike të përshkruar më lart, nuk i përket vendimmarrjes së organeve të rivlerësimit në kuptim të zgjidhjes së çështjes objekt gjykimi”, vlerëson pakica dhe vëren se vendimi i KPK u shqyrtua në drejtim të zbatimit të dispozitave ligjore në fuqi dhe nuk u konstatua shkelje e asnjë prej tyre.

“Humbja e statusit të magjistratit me vendim të formës së prerë të organit kompetent, kushtëzon edhe humbjen e statusit të subjektit të rivlerësimit sipas dispozitave të cituara, e për pasojë rrëzon vetë objektin e procesit të rivlerësimit”, shprehen Schuetz dhe Rama.

Ato vlerësojnë se në kushtet kur procesi i rivlerësimit për ish-magjistratin Shkëlqim Miri ka mbetur pa objekt dhe e ka humbur qëllimin kushtetues të kthimit të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë nëpërmjet pastrimit të radhëve të magjistratëve nga ata që nuk e gëzojnë këtë besim, pasi një gjë e tillë është arritur nëpërmjet shkarkimit nga ana e KLGJ-së.

Pakica konkludon se në këtë rast nuk duhej të ishte prishur vendimi i KPK, por vetëm të ndryshohej duke deklaruar të përfunduar procedurën administrative pa vendim përfundimtar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *