KPK ndëpret vetingun për dy gjyqtarë dhe një këshilltar ligjor për shkak të dorëheqjes së tyre

Lajme
Gjyqtarët Arben Mullaj i Gjykatës së Tiranës dhe Ergys Selmani i Gjykatës Fier kanë dhënë dorëheqjen nga detyra pasi iu është kaluar barra e provës për gjetjet e hetimit administrativ, ndërsa këshilltari ligjor Gent Pejo ishte dorëhequr në vitin 2017.

KPK duke shpallur një vendim | Foto : LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ka vendosur të ndëpresë procesin e rivlerësimit për dy gjyqtarë dhe një ndihmës ligjor, për shkak të dorëheqjes së tyre. Gjithashtu, është vendosur t’u hiqet e drejta për tu rikthyer në sitemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

KPK publikoi të martën dy vendimet e të hënës më 13 shtator për ndëprerjen e procesit të rivlerësimit për gjyqtarin e Tiranës Arben  Mullaj dhe këshilltarit ligjor pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë Gent Pejo. Për gjyqtarin e Fierit Ergys Selmani, vendimi është marrë të premten më 10 shtator.

Në vendimet e arsyetuara për gjyqtarët Mullaj dhe Selmani të marra nga trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtar Lulzim Hamitajn sqarohet se ndaj këtyre dy subjekteve hetimi administrativ ka filluar në dhjetor të vitit 2019.

Në muajin korrik, Komisioni ka përfunduar hetimin kryesisht për gjyqtarin Arben Mullaj në të tre kriteret e rivlerësimit dhe e ka njoftuar atë për barrën e provës duke i kërkuar të provojë të kundërtën e rezultateve. Mullaj ka konfirmuar marrjen e gjithë dokumentacionit, ndërkohë që më 15 korrik ka njoftuar trupin gjykues se kishte paraqitur kërkesë për dorëheqje nga detyra pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGj.

Për gjyqtarin e Fierit Ergys Selmani, Komisioni e ka përfunduar hetimin kryesisht vetëm për pasurinë dhe më 8 korrik ka vendosur ti kalojë atij barrën e provës për këtë kriter. Në vendim thuhet se Selmani nuk e ka ushtruar të drejtën për t’u njohur me dosjen, ndërkohë që KLGj ka njoftuar se në seancën plenare të 16 korrikut ka vendosur të miratojë kërkesën e këtij subjekti rivlerësimi për dorëheqje.

Pasi KPK ka marrë konfirmim nga Gjykata e Apelit Administrativ se Mullaj dhe Selmani nuk i kishin ankimuar vendimet e KLGJ, si dhe pasi ata nuk kanë preferuar të marrin pjesë në seancë dëgjimore, ka vendosur të ndëpresë procesin e vetingut për këto dy subjekte. Gjithashtu, ka vendosur të ndalojë emërimin e tyre si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Të njëjtin vendim ka marrë dhe trupi gjykues i kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtar Roland Ilian, për këshilltarin ligjor pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Gent Pejo.

KPK e ka filluar hetimin administrativ për këtë subjekt më 2 korrik 2021, por pasi Pejo është njoftuar për këtë vendimarrje ka njoftuar se ai nuk e ushtron më detyrën e këshillarit ligjor. Ai ka shpjeguar se është larguar nga detyra me dorëheqje që prej muajit gusht 2017.

Pejo ka njoftuar KPK-në se nuk dëshiron të marrë pjesë në seancë dëgjimore dhe ka kërkuar që procesi i rivlerësimit të mos fillojë ose të pushohet.

Komisioni e konsideron këtë kërkesë të pambështetur në ligj duke argumentuar se subjekti ka qenë në detyrë deri më datë 28 gusht 2017. “Komisioni nuk mund të vendosë pushimin e procedurës së rivlerësimit, pasi bazuar në nenin 56 të ligjit nr. 84/2016, dorëheqja e subjektit është dhënë pas afatit të parashikuar nga ky nen”, konstaton Komisioni dhe ka vendosur të ndëpresë vetingun për Pejon, si dhe ti ndalojë atij emërimin në sistemin e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme.

Në ligjin për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve parashikohet se subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të japë dorëheqjen nga detyra jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji që është publikuar në fletoren zyrtare më datë 23 shtator 2016.