Nga një seancë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: LSA
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Vendi

KPK ndërpret vetingun e gjyqtares Rezarta Mataj pas dorëheqjes

Gjyqtarja Rezarta Mataj ka njoftuar Komisionin e Pavarur të Kualifikimit se nuk mund ta ndjekë procesin e vetingut nga vendi ku jeton aktualisht dhe ka kërkuar që të ndërpritet pa u dëgjuar në seancë.

Gjyqtarët Lulzim Hamitaj, Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko, gjatë një seance në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK | Foto : LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ka vendosur më 9 shtator 2020, të ndërpresë procesin e rivlerësimit kalimtar për gjyqtaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Rezarta Mataj, pas dorëheqjes së saj nga detyra.

Në vendimin e KPK thuhet se gjyqtarja Mataj u është nënshtruar procedurave të rivlerësimit, duke u shortuar si subjekt në shortin e hedhur në datën 15 qershor 2020, dhe se trupi gjykues përbëhej nga komisionerët Valbona Sanxhaktari, Lulzim Hamitaj dhe Genta Tafa(Bungo) e cila është zgjedhur relatore.

Komisioni ka administruar në vijim vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGj të datës 9 korrik 2020 për mbarimin e statusit të magjistratit për gjyqtaren Rezarta Mataj. KLGj e ka deklaruar mbarimin e statusit të gjyqtares Mataj për shkak të dorëheqjes së saj. Gjithashtu, KLGj i ka përcjellë informacion KPk se Mataj nuk ka depozituar ankim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë kundër vendimit për mbarimin statusit të magjistratit.

Në vendimin e KPK shpjegohej se gjyqtarja Mataj, me anë të postës elektronike e ka njoftuar Komisionin se nuk mundet të ndjekë procesin e vetingut nga shteti ku ajo ndodhet aktualisht dhe se kërkon që të ndërpritet pa u dëgjuar në seancë.

“Në këto kushte, referuar fakteve të evidentuara me lart, trupi gjykues çmon se procesi i rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, znj. Rezarta Mataj, duhet të ndërpritet sipas nenit ‘G’ të Aneksit të Kushtetutës”, konkludon trupi gjykues. Veç ndërprerjes së procesit të rivlerësimit, Komisioni ka vendosur të deklarojë humbjen e së drejtës së gjyqtares Rezarta Mataj për t’u emëruar në institucionet e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *