Gjyqtarja e Gjykatës së Korçës Ariola Kristo. Foto;Vladimir Karaj
KPK Lajme Vendi

KPK ngre pikëpyetje mbi burimin e pasurisë së gjyqtares Ariola Kristo

Gjyqtarja e Gjykatës së Korçës Ariola Kristo u përball në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me pyetje mbi një hua, disa kursime të padeklaruara dhe mungesën e të ardhurave për ndërtimin e një shtëpie. Ajo kërkoi konfirmimin në detyrë.

Gjyqtarja e Gjykatës së Korçës Ariola Kristo. Foto;Vladimir Karaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjatë një seance dëgjimore të zhvilluar të mërkurën bëri me dije se kishte gjetur gjatë hetimit administrativ një sërë problemesh në pasuritë e gjyqtares së Korçës Ariola Kristo. Problemet lidheshin kryesisht me mungesën e burimeve të ligjshme për ndërtimin e një shtëpie 3 kate plus bodrum në qytetin e Korçës në vitet 2006-2008.

Trupa e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Alma Faskaj dhe anëtare Genta Tafa (Bungo), vuri në dukje se gjyqtarja rezultonte nga analiza financiare me mungesë burimesh në vlerën e 6.8 milion lekëve. KPK vuri në dukje po ashtu disa mos deklarime dhe deklarim kontradiktore të pasurisë së gjyqtares.

Kristo nga ana e saj kundërshtoi gjetjet dhe bilancin negativ. Tha se kishte sjellë prova që rrëzonin barrën e provës mbi pasurinë, ndërsa kërkoi disa rillogaritje në analizën financiare. Kristo pranoi disa pasaktësi në deklarime, por tha se ato ishin të paqëllimta.

Ariola Kristo përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe u emërua gjyqtare në Gjykatën e Korçës. Ajo punon prej gati dy dekadash pranë kësaj gjykate.

Problemet në ndërtimin e shtëpisë

Relatorja Faskaj bëri një përshkrim të detajuar dhe me shumë shifra të procesit që kishte bërë gjyqtaren dhe bashkëshortin prokuror në Prokurorinë e Rrethit të Pogradecit me shtëpi në Korçë.

Faskaj tha se nga hetimi i KPK-së kishte rezultuar se shpenzimet e kryera nga çifti nga blerja e truallit deri te mobilimi, ishin më të mëdha se sa ishin deklaruar dhe se atyre u mungonin burimet e ligjshme për një pjesë të mirë të shpenzimeve.

Mungesa sipas relatimit kishte të bënte me mos dokumentimi e një huaje 1.5 milion lekë nga xhaxhai i ndjerë i bashkëshortit, mospërputhjet kohore në deklarimin e shitjes së shtëpisë së prindërve të këtij të fundit dhe rreth 2 milion lekë kursime që nuk ishin deklaruar nga Kristo në asnjë prej deklaratave deri në vitin 2015.

Konkretisht KPK tha se nuk kishte prova dokumentare të huasë dhe se deklarimet e Kristos për ILDKPKI se dokumenti kishte humbur dhe deklarimi për vetingun se nuk kishte pasur kontratë ishin të diskutueshme. Relatorja vuri në dukje edhe se nuk provohej mundësia e huadhënësit për të pasur shumën.

Kristo kundërshtoi këtë gjetje dhe pretendoi se kishte sjellë deklarime bankare që tregonin kursimet e të ndjerit në atë periudhë. Ajo po ashtu këmbënguli se deklarimi i huasë në vitin 2005 dhe i shlyerjes së saj në vitin 2006 ishin prova të mjaftueshme të ekzistencës së saj.  Ajo tha se dokumente të tjera ishin të pamundura për shkak të prishjes së raporteve familjare në një kohë të dytë.

Ky qëndrim u kundërshtua nga vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs, i cili i vuri në dukje Kristos se ajo kishte qenë në dijeni të ligjit për deklarimin e pasurive dhe se nuk duhej t’i kishte lejuar vetes të pranonte një hua pa asnjë dokument dhe pa asnjë mundësi gjurmimi.

Faskaj ndërkohë vuri në dukje se një shumë rreth 2 milion lekë kursime të bashkëshortit dhe prindërve të tij të përdoruar për ndërtimin e shtëpisë nuk ishte deklaruar asnjëherë nga gjyqtarja. Relatorja vuri në dukje se vetëm në vitin 2015 kur ishte pyetur nga ILDKPKI gjyqtarja kishte deklaruar se nuk kishte qenë në dijeni të kësaj shume të vënë nga bashkëshorti para martese.

Edhe gjatë mbrojtjes Kristo dha të njëjtin shpjegim. Madje ajo tha se gjatë ndërtimit të shtëpisë ajo kishte pasur ngarkesa të tjera dhe kishte qenë indiferente në lidhje me shpenzimet që siç doli ishin ndarë mes bashkëshortëve magjistratë dhe prindërve të bashkëshortit. “Herë paguante njëri dhe herë tjetri sipas mundësive”, tha gjyqtarja, që këmbënguli në ekzistencën e parave të kursyera.

Faskaj ndërkohë pretendoi se nga hetimi rezultonin disa deklarime kontradiktore në lidhje me një shumë rreth 20 mijë euro. Shuma sipas deklarimit ishte marrë nga familja e motrës së bashkëshortit, e cila kishte blerë përmes kësaj apartamentin e prindërve të tij. Por shuma ishte deklaruar e marrë në vitin 2008, ndërsa shitja e apartamentit ishte përfunduar në vitin 2012. Madje statusi juridik i apartamentit deri në vitin 2012 nuk kishte qenë i qartë.

Ai kishte qenë në pronësi të gjyshes së bashkëshortit dhe pas vdekjes së saj ishte ndarë mes trashëgimtarëve dhe vetëm pas heqjes dorë të këtyre ishte bërë pasuri e nënës së bashkëshortit që kishte bërë kontratën e shitjes.

Ndëkohë shuma 20 mijë euro fillimisht ishte deklaruar si dhurim nga prindërit e bashkëshortit për çiftin, po Kristo më pas pretendoi se ajo ishte pjesë e bashkë-investimit. Kristo tha se fakti që prindërit e bashkëshortit jetonin në të njëjtën godinë dhe kishin katin e parë të shtëpisë dhe bodrumin dhe një kontratë më vete me OSHEE tregonte se ata ishin bashkë-investitorë. Ajo tha se shtëpi ishte vetëm në emër të bashkëshortit për të shmangur pretendimet e mëvonshme të trashëgimisë mbi të.

Kristo këmbënguli që pagesa ishte bërë në vitin 2008 në mirëbesim dhe se kontrata e shitjes ishte përpiluar në vitin 2012.

Relatorja që nuk u duk e bindur me shpjegimin e pyeti Kriston se çfarë e kishte penguar atë të bënte një deklarim të saktë juridik të gjendjes së shitjes së shtëpisë. Kristo pretendoi se pagesa ishte kryer sipas deklarimit.

Makinat dhe denoncimi

Veç këtyre gjetjeve KPK vuri në dukje disa pasaktësi në deklarime të gjendjes cash dhe në transaksionet e bëra. Po ashtu Komisioni vuri në dukje deklarime të ndryshme të shpenzimeve për ndërtimin. Në një deklarim vjetor ato ishin 7 milion, ndërsa në deklarimin veting 10 milion. Kristo i shpjegoi me faktin se kishte deklaruar fillimisht vetëm pjesën e saj dhe bashkëshortit në ndërtim dhe më pas të gjithë godinën duke iu referuar statusit juridik të saj.

Ajo këmbënguli se disa prej pasaktësive ishin të paqëllimta, ndërsa shpjegoi se një diferencë në cash pas deklarimit veting kishte të bënte me mënyrën si ajo e kishte menduar deklarimin. Ajo kundërshtoi analizën financiare duke vënë në dukje një gabim material në llogaritjen e pagës së saj në një vit dhe kërkoi që të njiheshin si të ardhura të përdorura në blerjet e makinave shitjet e mjeteve të mëparshme. Kristo shpjegoi diferencat disa ditore në kohë mes shitjeve dhe blerjeve, duke iu referuar besimit mes palëve dhe solli si prova deklarime noteriale.

Por Kristo u pyet veçanërisht nga Jacobs për transaksionet me disa makina. Nga relatimi doli se çifti kishte blerë dhe shitur disa të tilla dhe Jacobs vuri në dukje se në shitjen disa vjet më vonë çmimi rezultonte më i lartë.

Kristo mohoi se makinat ishin shitur më shtrenjt ajo tha se çmimi i shitjes përfshinte pagesën e doganës dhe se vlera reale e tyre duhej të përfshinte edhe këtë shpenzim.

Por Jacobs tha se këto transaksione nuk e bindnin. Ai këmbënguli se kostot nuk ishin pjesë e vlerës së makinës dhe se nuk mund të llogariteshin në shitjen e saj disa vite më vonë.

Nga ana tjetër Kristo pati një vlerësim pozitiv në dy kriteret e tjera. Vetëm sa i përket profesionalizmit relatorja theksoi se ishin ngritur dyshime në vendimmarrjen e një çështjeje nisur nga një denoncim. Faskaj tha se Kristo kishte pranuar të linte me masë sigurimi detyrim paraqitje një të akuzuar për vrasje, pas kërkesës së prokurorit. Faskaj tha se në vendim gjyqtarja shprehet se kërkesa e prokurorit nuk ishte e bazuar në ligj, por pavarësisht kësaj kishte marrë vendimin siç ishte kërkuar prej tij.

Kristo u mbrojt duke i qëndruar vendimit të marrë. Ajo tha se nuk ishte dakord me prokurorin dhe se besonte se kërkesa nuk plotësonte kriteret ligjore, por ishte e detyruar të pranonte atë për shkak të Kodit të Procedurës Penale. Faskaj e kundërshtoi këtë qëndrim dhe këmbënguli nëse Kristo e kishte menduar se po pranonte një kërkesë për të cilën besonte se nuk ishte e bazuar në ligj.

Por gjyqtarja pretendoi se në një çështje të ngjashme Gjykata e Apelit Korçë kishte vendosur në favor të kërkesës së prokurorit dhe se një rekurs për këtë nuk ishte pranuar në Gjykatën e Lartë duke lënë të kuptohet se vendimi ishte i ligjshëm.

Kristo këmbënguli në fund se kishte kryer detyrën me korrektesë dhe nëse do të lejohej të vijonte do ta vazhdonte ta bënte atë njësoj. Vendimi për të u caktua të premten në 10 shtator në orën 9.40.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *