Prokurorja Elida Hoxhaj
Analiza KPK Në Fokus

KPK nuk i gjeti penalizuese mangësitë profesionale të prokurores Elida Hoxhaj

Mangësitë e konstatuara prej Komisionit në çështjet e hetuara nga prokurorja e Fierit Elida Hoxhaj, si dhe disa balanca negative në vite, u konsideruan të pamjaftueshme për të cënuar atë në kuadër të procesit të rivlerësimit. 

Prokurorja Elida Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 15 korrik të konfirmojë në detyrë prokuroren e Fierit, Elida Hoxhaj dhe të transferojë për inspektim pranë Inspektorit të lartë të Drejtësisë, ILD dy çështje të hetuara prej saj, pasi problemet që u evidentuan nuk u konsideruan shkarkuese. Gjithashtu, jo penalizuese u konsideruan edhe disa balanca negative në kriterin e pasurisë. Hoxhaj mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.

Trupi gjykues që po kryen procesin e rivlerësimit për prokuroren Elida Hoxhaj kryesohet nga Firdes Shuli, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.

Prokurorja e Elida Hoxhaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficere e policisë gjyqësore në vitet ’90. Ajo u emërua prokurore në vitin 2005 dhe punon prej asaj kohe në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier.

Gjetjet për profesionalizimin

Nga hetimi ka rezultuar se ne tetor të vitit 2020 në Prokurorinë e Durrësit është regjistruar kallëzim penal ndaj prokurores Elida Hoxhaj, i kryer nga shtetasi A. B., administrator i një shoqërie. Ai ka pretenudar se subjekti ka vepruar në kundërshtim me ligjin në hetimin e një kallëzimi të depozituar prej tij në vitin 2017 në prokurorinë e Fierit. Prokuroria e Durrësit ka konkluduar se fakti i denoncuar ndaj Hoxhajt nuk parashikohet nga ligji si vepër penale dhe argumenton se nga verifikimi i çështjes së vitit 2017 rezulton se nga subjekti nuk është kryer ndonjë veprim në mospërmbushje të rregullt të detyrës.

Nga hetimi ka rezultuar se A. B. ka kallëzuar në vitin 2017 një përmbarues gjyqësor, drejtorin dhe përgjegjësin e sektorit të kredive në “Credins Bank” në Fier, duke pretenduar se i kanë dëmtuar interesat e ligjshme gjatë vënies në ekzekutim të urdhrave të ekzekutimit në lidhje me kreditë e marra prej tij. Kallëzuesi ka shpjeguar se nuk është vënë në dijeni nga “Credins Bank” që kreditë e tij ishin kategorizuar si kredi të këqija dhe në mënyrë abuzive kjo bankë ka vazhduar me procedurat gjyqësore e përmbarimore për rikthimin e shumave të marra, duke deformuar realitetin.

Në nëntor të vitit 2018, Hoxhaj ka paraqitur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier kërkesën për pushimin e procedimit penal, me arsyetimin se fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale, në lidhje me veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “vjedhje, duke shpërdoruar detyrën”. Në lidhje me veprën penale “falsifikim i dokumenteve”, ajo ka argumentuar se janë plotësuar afatet e parashkrimit.

Kërkesa për pushim është pranuar nga Gjykata e Fierit, por pas ushtrimit të ankimit nga A.B., Gjykata e Apelit Vlorë ka vendosur ndryshimin e vendimit të shkallës së parë dhe rrëzimin e kërkesës së prokurorisë.

Apeli Vlorë ka urdhëruar organin procedues të vazhdojë hetimet duke konkluduar se nuk ka vend për përgjegjësinë e punonjësve të bankës, ndërsa për përmbaruesin gjyqësor është vlerësuar se ai me mosveprimin e tij, ka cënuar interesat e kallëzuesit pasi nuk është ndjekur procedura përmbarimore.

Në përfundim, Apeli Vlorë ka urdhëruar vazhdimin e hetimeve ndaj përmbaruesit gjyqësor A.K. për veprat penale “falsifikim i dokumenteve” nga personi që ka për detyrë të lëshojë aktin dhe atë të “shpërdorimit të detyrës”.

Nisur nga fakti se përmbaruesi gjyqësor e ushtronte detyrën e tij në qytetin e Tiranës dhe se të gjitha veprimet i ka kryer në kryeqytet, Prokuroria e Fierit ka konstatuar moskompetencën tokësore për vazhdimin e hetimeve.

Subjekti ka shpjeguar se Prokuroria e Tiranës ka kërkuar pushimin e çështjes, por gjykata ka urdhëruar sërish vazhdimin e hetimeve. Ky vendim është apeluar nga prokuroria dhe ndodhet ende në shqyrtim në Apelin Tiranë.

“Në këtë rast, produktiviteti dhe roli i prokurorit, bazuar në kriteret matëse të vlerësimit profesional, […], duket se nuk është në nivelin e kërkuar”, konstaton Komisioni dhe e konsideron hetimin të shtrirë në kohë dhe të paplotë.

Nga verifikimi i ankesave, ka rezultuar se në tetor të vitit 2020, shtetasi A.B. ka regjistruar një ankesë në Prokurorinë e Përgjithshme ndaj prokurores Hoxhaj, ku ai kërkon zëvendësimin e subjektit nga çështjet e kallëzuara prej tij, pasi në tre raste ajo ka disponuar me vendime pushime. Ai ka pretenduar se gjykata i ka prishur vendimet e pushimit, por prokurorja Elida Hoxhaj ka zvarritur hetimet.

KPK ka verifikuar dokumentet e administruara në funksion të kallëzimit të kryer në korrik të vitit 2019 nga shtetasi A.B., për veprat penale “vjedhje e pasurisë private më shumë se një herë”, me pasoja të rënda, në bashkëpunim. Në vendim thuhet se subjekti ka vendosur pushimin e këtij procedimi për veprën penale “kanosje”.

“Në tërësi të shpjegimeve të subjektit vërehet përqëndrimi i saj në përsëritjen e vendimit të pushimit, ndërsa nuk shpjegon mbi mos hetimin e veprës penale të kallëzuar nga kallëzuesi”, konstaton trupi gjykues.

Komisioni sqaron se në arsyetimin e vendimit, ndër të tjera, citohet se nga hetimet e kryera në lidhje me pretendimet e kallëzuesit ka rezultuar se kjo vjedhje i bëhet nga viti 2000 dhe se vazhdimisht i është drejtuar organeve kompetente me kallëzim. Po ashtu, në vendim pasqyrohet se nga kallëzuesi pretendohet për kallëzime të tij nga viti 2012 e në vijim për persona që vjedhin e shkatërrojnë pronën e tij.

Bazuar në këto konstatime gjykata ka vendosur kthimin e çështjes dhe regjistrimin e procedimit penal për akuzën e vjedhjes, sikurse ishte kërkuar nga kallëzuesi. Gjithashtu, është urdhëruar edhe kryerja e disa detyrave të tjera të cilat i ka vlerësuar të pakryera në lidhje me akuzën e “kanosjes”.

“Në të tilla kushte, subjekti duket të mos ketë qenë produktiv në hetimin e kësaj çështjeje, duke vepruar në këtë mënyrë jo sipas kërkesave të neneve 73/2 dhe 74/4 të ligjit nr. 96/2016”, vlerëson KPK.

Megjithatë mangësitë e konstatuara në këto dy çështje janë konsideruar të pamjaftueshme “për ta identifikuar si një magjistrat, i cili ka një mënyrë/praktikë pune të papajtueshme me pozicionin e tij”. Sipas KPK mangësitë e gjetura mund të përbëjnë shkaqe për procedim disiplinor sipas dispozitave ligjore që rregullojnë statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që janë kompetencë e ILD-së.

Ndërkohë, nuk janë gjetur probleme në pushimin e një çështje në ngarkim të gjyqtarit të Gjirokastrës, Guximtar Boçi, i cili u denoncua nga shtetasja R.I. për kërkimin e favoreve të natyrës seksuale.

Pas shfaqjes së këtij denoncimi në një emision investigativ ish-Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda filloi hetimet, por më pas shpalli moskompetencën dhe e dërgoi çështjen në Prokurorinë e Fierit. Hetimi i çështjes iu ngarkua prokurores Elida Hoxhaj, e cila disponoi me vendim pushimi.

Denoncuesja R.I. është ankuar duke pretenduar se vendimi i pushimit i është njoftuar me vonesë nëpërmjet postës me qëllim që mos të ankimohej. Gjithashtu ajo ka pretenduar për hetim jo të plotë dhe të njëanshëm me qëllim favorizimin e gjyqtarit Boçi.

Ankimi i R.I. ndaj vendimit të subjektit është pranuar nga Gjykata e Fierit që ka urdhëruar hetime të mëtejshme, por Apeli i Vlorës e ka prishur vendimin e Shkallës së Parë duke lënë në fuqi vendimin e pushimit të prokurores Hoxhaj.

Duke u bazuar dhe në vendimet e gjykatave, Komisioni vlerëson se nuk është vërejtur ndonjë shkelje procedurale dhe vëren se çështja është ende në proces gjyqësor. Trupi gjykues i KPK konsideron se është jashtë sferës dhe kompetencës së tij ligjore për të ngarkuar subjektin me përgjegjësi në këtë rast dhe çmon se çështja në fjalë nuk ndikon në vlerësimin profesional të subjektit të rivlerësimit.

Konstatimet për pasurinë

Komisioni konstaton se prokurorja Hoxhaj nuk ka kryer deklarim të plotë për një shtëpi banimi në Fier ku ajo banon që nga lidhja e martesës në vitin 1996, megjithatë është çmuar se mosdeklarimi i disa të dhënave nuk ka pasur qëllim mosrespektimin e ligjit për deklarim të saktë.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se banesa është blerë nga babai i bashkëshortit në vitin 1967 kundrejt vlerës 25 mijë lekë. Në vijim, bashkëshorti dhe familjarët e tij, prindërit dhe vëllezërit që kanë jetuar në këtë banesë, kanë ndërtuar shtesa anësore deri në vitet 1998 – 1999, për të cilat është aplikuar për legalizim në vitin 2015 pranë ALUIZNI-t Fier.

Komisioni konstaton se nuk është deklaruar saktë sipërfaqja e ndërtimit të banesës, vlera e shpenzuar si dhe burimi i krijimit për ndërtimet e kryera. Gjithashtu, ka rezultuar se subjekti nuk ka deklaruar në vitin 2015 aplikimin për legalizimin e ndërtimit informal, banesë me dy kate, me sipërfaqe banimi 263.4 m2. Nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi për investimet e kryera në këtë pasuri, si dhe për shpenzimet e tjera familjare.

Nisur nga fakti se nuk ka rezultuar që Hoxhaj të ketë kontribuar në blerjen dhe ndërtimin e shtëpisë; faktit se ajo në atë periudhë nuk ka qenë në detyrë si prokurore; si dhe duke konsideruar në vlerësimin përfundimtar bashkëpunimin e saj në qartësimin e situatave – Komisioni nuk ka konstatuar rrethana që diktojnë penalizimin e prokurores Hoxhaj në pozitën e saj si subjekt rivlerësimi.

Po ashtu, janë vlerësuar jo penalizuese edhe disa balanca negative të konstatuara ndër vite, konkretisht në blerjen e dy automjeteve në shumat 85 mijë dhe 490 mijë lekë, si dhe në krijimin e një gjendje cash 334 mijë lekë. Duke i trajtuar në raport me vlerësimin tërësor të procesit të rivlerësimit si dhe në zbatim të parimit të proporcionalitetit, Komisioni çmon se këto pamundësi financiare janë të pamjaftueshme për aplikimin e ndonjë mase disiplinore.

Në përfundim, trupi gjykues vlerëson se pamjaftueshmëria që rezulton nga analiza financiare nuk është e një niveli të tillë që të sjellë lindjen e dyshimeve për veprime që cenojnë figurën e prokurorit dhe çmon se prokurorja Hoxhaj ka arritur nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *