Prokurorja e Prokurorise se Apelit te Korces, Irma Balli, duke dale nga nje seance e Komisionit te Pavarur te Kualifikimit. Foto: LSA
Analiza KPA Vendi

KPK nuk iu përgjigj kërkesës së Kolegjit për të plotësuar dosjen gjysmake të Irma Ballit

Kolegji vendosi me shumicë të kthente në Komision rivlerësimin e prokurores së Apelit, Irma Balli pasi rrëzoi si të pabazuar vendimin e KPK në kriterin e pasurisë. KPA shprehet në vendim se gjeti shkelje procedurale nga KPK, e cila nuk i ka dorëzuar Kolegjit dosjen e plotë të hetimit.

Prokurorja e Prokurorise se Apelit te Korces, Irma Balli, duke dale nga nje seance e Komisionit te Pavarur te Kualifikimit. Foto: LSA

Në vendimin e zbardhur të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që ktheu për rivlerësim në dy kritere çështjen ndaj Drejtueses së Prokurorisë së Apelit të Korçës Irma Balli, vihet në dukje se KPK kishte shkelur procedurat për të garantuar një proces të rregullt ligjorë dhe i kishte dërguar Kolegjit një dosje të paplotë.

Në vendim Kolegji thotë se përshkak të mangësive në dosje ishte “pamundur të shqyrtohej mbi bazë dokumentacioni”. Kolegji, siç del në vendim i ka bërë kërkesë KPK-së që dosja të plotësohej me “akti procedural lidhur me rezultatet e hetimit administrativ”, por nuk ka marrë përgjigje.

“Komisioni nuk përcolli në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit aktin procedural “Rezultatet paraprake të hetimit administrativ për kriterin e pasurisë” në formën e një akti zyrtar”, thuhet në vendim.

Pas këtij konstatimi trupa e kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relator Sokol Çomo dhe anëtarë Ardian Hajdari, Ina Rama e Natasha Mulaj, vendosi të hapte seancë publike për çështjen ndaj Ballit. Pasi dëgjoi Ballin në një seancë KPA vendosi me shumicë që ta prishë vendimin e shkarkimit të shkurtit 2019 të trupës së KPK të kryesuar nga Luzim Hamitaj, me relatorë Olsi Komici dhe anëtare Suela Zhegu.

Shumica, Sokol Çomo, Ina Rama dhe Ardian Hajdari, arsyeton se problemet e gjetura në pasurinë e prokurores nuk ishin të mjaftueshme për shkarkim. Në pakicë Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz shprehen se vendimi i shkarkimit vetëm mbi kriterin e pasurisë duhej të qëndronte.

Duke qenë se balli ishte hetuar vetëm për pasurinë, shumica vendosi që çështja të rikthehej për shqyrtim të dy kritereve të tjera në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Mangësitë proceduriale

Siç del në vendimin e zbardhur nga Kolegji Balli kishte pretenduar ndër të tjera se i ishte cënuar e drejta për “proces të rregullt ligjorë”.

Prokurorja vë në dukje ndryshe nga detyrimi ligjorë për zbardhje të vendimit brenda 30 ditëve, ajo u njoh me vendimmarrjen e plotë ndaj saj 90 ditë pas shpalljes së vendimit.  Balli thotë se kjo i kishte cënuar asaj të drejtën Kushtetutese të ankimit në kohë.

Rasti i Ballit nuk është i veçuar. Siç ka gjetur BIRN më hërët një sërë vendimesh të KPK janë zbardhur përtej afateve ligjore, duke krijuar vonesa për subjektin e rivlerësimit dhe nga ana tjetër edhe kosto financiare në buxhet. Ligji parashikon që magjistratët e shkarkuar nga KPK të vijonë të paguhen me një pjesë të pagës deri sa vendimi merr formë të prerë. KPK, e cila ndërkohë kritikon shpesh gjyqtarë dhe prokurorë për tejkalim afatesh, pretendon se parashikimi ligjorë në këtë rast nuk është detyrues.

Prokurorja Balli po ashtu ankohet për qëndrim tendencioz nga ana e Komisionit, hetim të tej zgjatur ndaj saj dhe njëanshmëri.

Në vendim thuhet se KPA mori në shqyrtim pretendimet mbi procesin e rregullt në dhomë këshillimi siç shqyrton edhe pjesën më të madhe të vendimeve të shkarkimit, por gjeti se nuk mund t’i shqyrtonte ato për shkak se dosja nga Komisioni kishte shkuar e mangët.

“Gjatë shqyrtimit në dhomë këshillimi, u konstatua se shkaku i ngritur në ankim nga subjekti i rivlerësimit për cenim të procesit të rregullt ligjor në drejtim të mos garantimit të së drejtës së saj për t’u njohur, për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur lidhur me të gjitha gjetjet e Komisionit nga hetimi administrativ, ishte i pamundur të shqyrtohej mbi bazë dokumentacioni”, thuhet në vendim

Kolegji bëri një përpjekje për të korrigjuar këtë mangësi duke i dërguar kërkesë Komisionit që të plotësonte dosjen. Por siç del nga vendimi akti i kërkuar që tregonte ecurinë e procesit të hetimit dhe përcakton çështjet për të cilat një subjekti i është kaluar barra e provës nuk u dorëzua në Kolegj. Në vendim nuk përmenden arsye të mosdorëzimit dhe as arsye se pse akti mungonte.

Por KPA thotë se mungesa e bënte të pamundur shqyrtimin e çështjes në dhomë këshillimi. Kolegji për të korrigjuar të metën e dosjes thirri Ballin në seancë dëgjimore. “Në mënyrë që ajo të dëgjohet dhe të mbrohet lidhur me çështjen e saj para trupit gjykues të Kolegjit”, thuhet në vendim.

Cështja e pasurisë

Por ndërsa në pjesën procedurale trupa në KPA ishte unanime, në vlerësimin e pasurisë së Ballit ajo u nda në tre me dy. Shumica arsyetoi se Balli arrinte një nivel të besueshëm të deklarimit të pasurisë dhe rrëzoi gjetjet që sipas KPK-së ishin shkarkuese.

“Për rrjedhojë, nga vlerësimi dhe kontrolli i imtësishëm i kryer në Kolegj lidhur me pasuritë e subjektit të rivlerësimit, në kuadër të kontrollit të vendimit të Komisionit objekt ankimi, trupi gjykues arriti në përfundimin se subjekti i rivlerësimit, znj.Irma Balli, ka arritur nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë së saj”, thuhet në qëndrimin shumicës përbërë nga Sokol Çomo, Ina Rama dhe Ardian Hajdari.

Shumica arsyetoi se gjetjet e KPK në lidhj me një karburant dhe një ndërtim në pronësi të subjektit dhe familjes së saj, nuk ishin fakte që çonin në shkarkim. Shumica thotë se KPK kishte bazuar deklarimin e pamjaftueshëm mbi këtë pasuri në një dosje me dokumente marrë nga Drejtoria e Arkivave në Elbasan. Por shumica shprehet se pas verifikimit rezultoi se kjo dosje në vetvete nuk ishte e plotë. Sipas të dhënave dosja duhej të kishte 72 faqe, por në të ndodheshin vetëm 40 dhe se KPK kishte dalë në përfundim të gabuar bazuar mbi këtë akt të paplotë.

“U konstatua që numërtimi i këtij dokumentacionit ishte i çrregullt, çka krijoi bindjen e trupit gjykues që dokumentacioni i kësaj dosjeje nuk ishte i plotë”, thuhet në vendim.

Shumica pranoi pasaktësi apo paqartësi në deklarimet e Ballit, por vuri në dukje se ato nuk mund të konsideroheshin shkarkuese. Sipas tre gjyqtarëve Balli kishte pasur burime të mjaftueshme për të investuar në pasurinë në fjalë, kishe pasur burime të ligjshme në krijimin e një shume prej 26 mijë eurosh dhe se mosdeklarimi i këmbimit të shumës në një monedhë tjetër nuk ishte shkarkues.

Shumica gjeti të plotë edhe deklarimin mbi të ardhurat nga qiraja. Sipas shumicës në pagesat e dokumentuara kompania qiramarrësi kishte derdhur pagesën neto, duke lënë të kuptohej se pjesa tjetër e parave ishte mbajtur prej saj si detyrim tatimorë.

Në pakicë Schuetz dhe Mulaj arsyetuan se vendimi i KPK duhej të qëndronte sa i përket shkarkimit për pasurinë. “ Në vlerësimin tonë, vendimi objekt ankimi i Komisionit duhet të ishte lënë në fuqi dhe masa disiplinore e shkarkimit nga detyra të ishte konfirmuar nga trupi gjykues i Kolegjit”, shprehet pakica.

Sipas pakicës fakti që vetë prokurorja ishte investuar në regjistrimin e pasurisë dhe fakti që në aplikime kishte ndryshime në numër katesh e të tjera, linte të kuptohej se ajo ishte në dijeni të problemeve dhe pretendimet e saj për padijeni duhej të rrëzoheshin. Pakica arsyeton se problematika në dokumentacion dhe dyshimet për falsifikime e ndërhyrje në dokumentacion e bënin subjektin të shkarkueshëm.

“Në kushtet kur rrethanat faktike të konstatuara nga Komisioni tregojnë dyshime të kësaj natyre, trupi gjykues i Kolegjit do të duhej minimalisht të konfirmonte gjetjen e Komisionit dhe të ripërcaktonte nëse në këto rrethana subjekti i rivlerësimit cenonte besimin e publikut”, thuhet në arsyetim.

Pakica gjithashtu pretendon se Balli nuk kishte pasur të ardhura të mjaftueshme, kishte bërë deklarime jo të plota dhe jo të sakta të cash dhe se për të ardhurat nga qiraja nuk ishte provuar plotësisht pagimi i tatimit siç parashikohej në kontratë noteriale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *