Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK nxjerr në dritë problemet me figurën dhe pasurinë e prokurorit Fatmir Lushi

Drejtuesi i Prokurorisë së Fierit, Fatmir Lushi u vu në vështirësi para KPK-së për të shpjeguar problemet me pasurinë që kishin dalë nga hetimi administrativ dhe raportin e DSIK-së që e ka cilësuar si të papërshtatshëm.

Prokurori, Fatmir Lushi gjatë seancës dëgjimore në KPK | Foto nga : BIRN

Drejtuesi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fierit, Fatmir Lushi u gjend përballë një raporti negativ nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. Sipas relacionit të lexuar në seancë dëgjimore pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të hënën, Lushi dyshohej për korrupsion në dy çështje.

Relatorja Brunilda Bekteshi, pjesë e trupës gjykuese të kryesuar nga Suela Zhegu dhe anëtare Xhensila Pine,  tha gjatë seancës dëgjimore se sipas DSIK, Lushi kishte favorizuar persona nën hetimin. Në një rast ai dyshohet se kishte vendosur pushim të hetimeve pa kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, ndërsa në një rast tjetër akuzohet se kishte lehtësuar të pandehurin për akuzën e plagosjes me dashje gjatë gjykimit.

Në seancë u vu gjithashtu në dukje se Lushi dhe familja e tij nuk kishin pasur të ardhura të mjaftueshme për të blerë një shtëpi me vlerë 5 milion lekë në Elbasan, ndërsa u tha se deklarimet e prokurorit në vite nuk kishin qenë të sakta.

Seanca dëgjimore zgjati thuajse 3 orë, gjatë së cilës Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dëgjoi shpjegimet e detajuara të subjektit.  Ky i fundit pretendoi se në dy rastet e referuara nga DSIK nuk kishte kryer favorizim, ndërsa theksoi se ato raporte nuk i “përkisnin personit të tij”.

Lushi po ashtu u përpoq të shpjegonte problemet e pasurisë. Ai tha KPK-së se vinte nga një familje e varfër dhe se kishte jetuar nën minimumin jetik. Ai ia faturoi pasaktësitë mosshpjegimit të qartë të ligjit, ndërsa pretendoi se kursimet e tij dhe të familjes kishin qenë të mjaftueshme për të siguruar të ardhurat për blerjen e një shtëpie të vetme në Elbasan.

Fatmir Lushi ka kryer shkollën e Magjistraturës përgjatë viteve 2006-2009. Në vitin 2009, ai është emëruar prokuror i Prokurorisë së Shkodrës, ndërsa në vitin 2014 është transferuar në Prokurorinë e Elbasanit. Në janar të vitit 2017, Lushi u komandua drejtues i Prokurorisë së Fierit, detyrë të cilën e kryen edhe aktualisht.

Raporti e DSIK

Seanca dëgjimore për Fatmir Lushin u zgjat me shpjegimet e këtij të fundit dhe një mori pyetjesh nga anëtarët e KPK dhe vëzhguesi ndërkombëtar. Në një sërë shkëmbimesh me relatoren Brunilda Bekteshi, Lushi u përpoq të bindte Komisionin se raportet e DSIK nuk ishin të sakta.

Bekteshi gjatë leximit të relacionit vuri në dukje se pasi ishin lexuar raportet e deklasifikuara pjesërisht dhe pasi ishin kërkuar verifikime shtesë, KPK dhe vëzhguesi ndërkombëtar kishin lexuar raportet e plota për rastin, për të krijuar bindjen e brendshme.  Në raporte bëhej e qartë se Lushi nuk ishte i përshtatshëm për të vijuar detyrën dhe se ndaj tij mund të bëhej presion.

Sipas Bekteshit, Lushi kishte favorizuar një të akuzuar për plagosje me dashje në Shkodër. Relatorja vuri në dukje se qëndrimet e tij si prokuror kishin qenë kontradiktore para gjykatës, pasi në një anë u ishte mëshuar rrethanave rënduese, dhe në krahun tjetër kishte kërkuar edhe lehtësim nga gjykata.

Bekteshi vuri në dukje po ashtu se hetimet kishin qenë të paplota dhe se në dokumentacionin e mbajtur nuk përshkruhej pse ishte arritur në një përfundim apo një tjetër.

Lushi dha detaje rreth çështjes. Ai ia faturoi një pjesë të mangësive, si mungesën e armës së krimit e të ngjashme, prokurorit të gatshëm që kishte marrë në dorëzim rastin fillimisht. Ai tha se arma nuk ishte gjetur me gjithë kërkimet e kryera nga oficeri i policisë gjyqësore. I pyetur nga Bekteshi gjatë seancës ai u përpoq të shpjegonte edhe qëndrimin në gjykatë.

Ai tha se i kishte renditur të gjitha rrethanat sepse ato ekzistonin dhe kishte kërkuar dënim me 4 vjet burg, që sipas tij ishte mesatarja për këtë vepër në Shkodër. Ai tha se hetimet kishin qenë të plota dhe se nuk kishte pasur kontakt me të akuzuar përpos marrjes në pyetje.

Raporti i dytë ishte për një çështje të hetuar në Elbasan në vitin 2016. Komisioni i kishte kaluar barrën e provës prokurorit për të shpjeguar në këtë rast se përse kishte pushuar hetimet mbi një rast të dyshuar falsifikimi parash.

Nga relacioni, KPK bëri me dije se kishte vërejtur një sërë mangësish në dosje, përfshi përgjimin e një numri që nuk kishte qenë i regjistruar si numri i personit të dyshuar, ndërsa nuk ishte përgjuar numri i këtij të fundit.

Po ashtu KPK thotë se gjeti arsyetim kontradiktor në vendimet e ndërmjetme. Në një rast thuhej se kishte “dyshime të arsyeshme”, ndërsa në kërkesën drejtuar gjykatës për pushim të hetimeve dhe shkatërrim të përgjimeve thuhej se nuk u gjetën prova.

Komisioni shpjegoi se nga hetimi i thelluar kishte rezultuar që Lushi nuk ishte interesuar për të mësuar nëse kishte apo jo hetime të nisura për këtë çështje nga prokurori të tjera dhe kishte ndërmarrë veprime, si kontroll banese, që mund të cënonin këto hetime.

Lushi shpjegoi para Komisionit se ai s’kishte pasur kontakte me personat në hetim përpos marrjes në pyetje që ai tha se ishte bërë në një zyrë ku ndodheshin veç OPGj-ja që kishte referuar çështjen edhe 3 OPGj të tjerë. Ai pretendoi se hetimet për këtë rast kishin qenë të orientuara nga task-forca “Forca e Ligjit” dhe se ishin koordinuar me këtë të fundit.

I pyetur se përse nuk kishte kryer hetime për verifikimin e pasurive të personave të dyshuar, Lushi fha shpjegime të gjata se hetimet pasurore kryesisht dështonin. Ai tha se në këtë rast, derisa nuk kishin provuar dot përfshirjen e personave nën hetim në veprimtari kriminale, nuk ishte parë e arsyeshme të bëhej hetim pasurorë.

Ai po ashtu pretendoi se natyra e hetimeve kishte qenë e tillë dhe se ishte përpjekur të mos bëheshin veprime të hapura në mënyrë që të mos pengohej hetimi i pjesës tjetër të personave të dyshuar. Sipas Lushit hetimi përfshinte një sërë vendesh dhe brenda Shqipërisë ishin disa qytete.

Ai shpjegoi se personat që kishte marrë në hetimin nuk kishin qenë të përfshirë, por dyshohej se mund të përfshiheshin në aktivitet dhe kjo ishte arsyeja pse u morën në hetim. Ndërkohë sipas tij numri i marrë në përgjim përdorej nga personi nën hetim edhe pse nuk ishte i regjistruar në emrin e tij. Ai tha se kjo dilte në vendimin e shkurtuar të gjykatës për të autorizuar përgjimin dhe ishte lapsus i gjyqtarit që nuk e kishte referuar në vendimin e zbardhur.

Apartamenti në Elbasan dhe kursimet

Ndërkohë sa i përket pasurisë, KPK vuri në dukje një mori problemesh të vogla në deklarimet periodike të Lushit. KPK theksoi se ai nuk kishte deklaruar në deklaratat periodike burimin e pasurive të blera, përfshi rreth 400 metra tokë arë në Farkë.

Lushit po ashtu iu kalua barra e provës për faktin se në emrin e tij gjendej një kontratë me OSHE për një shtëpi trekatëshe në Sauk. Gjatë relacionit por edhe me pyetje, anëtarët e Komisionit këmbëngulën se pse nuk ishte deklaruar kjo banesë si shtëpi në përdorim.

Lushi shpjegoi se kishte jetuar në shtëpinë e dajës. Ai tha se kishte pasur një marrëdhënie të veçantë me familjen në fjalë ndaj të cilës ishte borxhli, por shpjegoi se nuk e kishte konsideruar si banesë në përdorim, pasi ai kishte jetuar aty si pjesë e familjes.

Lushi shpjegoi kontratën e OSHE me përpjekjen për të shmangur ndërprerjen e energjisë për banesën, pasi daja refuzonte të paguante një detyrim nga OSHE që e cilësonte të padrejtë. Anëtarët e Komisionit Brunilda Bekteshi dhe Xhensila Pine kërkuan më shumë shpjegime në këtë pikë.

Bekteshi tha se kontrata e OSHE e bërë vite më parë dhe e fshirë vetëm pas fillimit të hetimit administrativ, bëhej vetëm me persona që kishin në posedim një objekt. Lushi këmbënguli se nuk kishte investuar në shtëpinë tre katëshe të dajës asnjë qindarkë.

Problem për Lushin megjithatë rezultoi mosdeklarimi i kursimeve në vite dhe gjendja ‘cash’ në shtëpi edhe kur ligji nuk ia lejonte të kishte atë sasi. Nga relacioni del se KPK nuk ka pranuar të njohë si kursime të ardhura të tjera veç atyre të deklaruara në vite dhe kjo bëri që prokurori të dilte sipas relacionit me mungesë të ardhurash të ligjshme në shumën 1.8 milion lekë për blerjen e një apartamenti me vlerë 5 milion lekë në Elbasan.

Nga hetimi i KPK dhe nga përgjigjet e Lushit rezultoi se ai pretendonte që kishe paguar vetë vetëm gjysmën e apartamentit – shumën prej 2.5 milion lekë. KPK megjithatë doli në përfundimin se edhe prindërit e tij që pretendohet se kishin paguar gjysmën tjetër nuk kishin pasur të ardhura të mjaftueshme.

Lushi pranoi pasaktësitë, por pretendoi se të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes ishin të ligjshme dhe i vetmi burim ishte rroga. Ai tha se kishte jetuar me vështirësi të mëdha dhe se për vite me radhë bashkëjetuesja me të cilën kishte dy fëmijë dhe ai kishin jetuar të ndarë për shkak të mungesës së banesës.

Një analizë financiare e bërë me kërkesë të tij nxirrte të mundshëm kursimin prej Lushit të 2.7 milion lekëve. Lushi u pyet për këtë edhe prej vëzhguesit ndërkombëtar, ndërsa iu kërkua të shpjegonte nëse këto ishin para të kursyera apo paratë që mund të kurseheshin. Lushi tha se ishin paratë që mund të kurseheshin. Po ashtu analiza nxirrte të mundshme që familja e tij me bujqësi dhe blegtori dhe punë të tjera të kishte kursyer 2.5 milion lekë.

Lushi i kërkoi KPK-së që të merreshin parasysh të ardhurat e familjes në fshat dhe zotërimi prej saj i bagëtive të imta e gjedhëve, ndërsa vuri në dukje se i vetmi tatim për këto kishte qenë tatimi për tokën, të cilin babai i tij i ndjerë e kishte paguar rregullisht. KPK vendosi të njoftojë vendimin për Lushin të martën, mr 26 mars ora 13.30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *