Prokurori Tasim Puci pas shpalljes së vendimit nga KPK. Foto: LSA
Analiza KPK Vendi

KPK për Tasim Pucin: Sjellje e papranueshme për një qytetar, jo më për një prokuror

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstaton se prokurori i Beratit, Tasim Puci ka pasur sjellje të papranueshme në posedimin dhe përdorimin e një makine pa e regjistruar si pronë të tij dhe pa e pajisur me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim për disa vite. Gjithashtu, vlerësohet se nuk u provua marrdhënia e vjehrrit me një apartament në Tiranë, që e ka blerë nga prokurori Puci në vitin 2011, i cili e ka deklaruar si adresë banimi të tijëtn prej vitit 2004, kur e ka prenotuar.

Prokurori Tasim Puci pas shpalljes së vendimit nga KPK. Foto: LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 15 prill 2021 të shkarkojë nga detyra prokurorin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, Tasim Puci, pasi u konkludua se kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë. Ndërkohë ai u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe se ka treguar cilësi të pranueshme në punë.

Në vendimin e arsyetuar konstatohen probleme në blerjen e një makine që subjekti i rivlerësimit nuk e ka regjistruar si pronë të tijën për disa vite si dhe e ka përdorur pa e pajisur me dokumentacionin e nevojshëm.

Gjithashtu, trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Genta Tafa (Bungo), konkludon se nuk janë provuar burimet e ligjshme për një apartament në Tiranë, që fillimisht e ka prenotuar prokurori Puci dhe më vonë ja ka shitur vjehrrit.

Tasim Puçi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe ka punuar për 15 vjet si prokuror në Prokuorinë e Beratit.

Makina pa dokumentacion

Komisioni e konsideron të papranueshme sjelljen e prokurorit Tasim Puci në posedimin dhe përdorimin e një automjeti, pa e regjistruar dhe pa e pajisur me leje qarkullimi për disa vite.

“[…]është e papranueshme për një prokuror të mos kryejë regjistrimin e automjetit, mospajisjen me lejeqarkullimi, pagimin e detyrimit të taksave vjetore, kontrollin teknik, leje drejtimi të vlefshme, veprime këto të detyrueshme për të gjitha mjetet që qarkullojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë”, vlerëson trupi gjykues dhe ngre dyshime se kjo ka ndodhur me qëllim shmangien e pagesave në lidhje me policat e sigurimit dhe taksat e detyrueshme.

Edhe pse nga hetimi ka rezultuar se prokurori Puci dhe familjarët e tij nuk kanë automjet në pronësi, është evidentuar kontrata e blerjes së një makine nga subjekti në qershor të vitit 2012 kundrejt vlerës 500 mijë lekë. Aty është përcaktuar se shuma 500 mijë lekë është shlyer tërësisht jashtë zyrës noteriale.

“Subjekti, që në momentin e blerjes, ka qarkulluar me këtë automjet pa leje qarkullimi”, konstaton Komisioni, megjithëse prokurori Puci i ka kundërshtuar këto gjetje.

Ai ka pretenduar se ka qëndruar gjatë gjithë kohës në Berat dhe nuk e ka përdorur këtë automjet, pasi puna me banesën me qira është vetëm 500 metra larg. Puci ka deklaruar se makina aktualisht gjendet në ambjentet e prokurorisë, ku dhe ka qëndruar gjithmonë.

Për mosregjistrimin e kësaj pasurie ai është justifikuar me ngarkesën e punës dhe me dyshimet që kishte se ku do të vazhdonte jetën, në Berat apo në Tiranë.

KPK ka verifikuar mjetin e pasqyruar në deklaratën veting prej nga ka rezultuar se nuk është paguar asnjë policë sigurimi.

Ndërkohë, nga hetimi janë zbuluar dy masa administrative të marra ndaj prokurorit Tasim Puci për përdorimin e këtij mjeti pa dokumentacion të rregullt. Një gjobë në shumën 40 mijë lekë i është vendosur në gusht të 2016-ës nga Policia e Tiranës, pasi e ka drejtuar mjetin pa kryer kontrollin teknik vjetor, si dhe pa kryer sigurimin e detyrueshëm të automjetit me lejedrejtimi. Ndërsa gjoba tjetër në shumën 1000 lekë është vendosur në qershor të 2020-ës, por kundravajtësi në këtë rast nuk ka qenë i pranishëm.

“Ndryshe nga çfarë ka deklaruar për këtë automjet, subjekti jo vetëm që e ka përdorur, por edhe është gjobitur për mospajisjen me dokumentacionin përkatës”, citohet në vendim.

Prokurori Puci ka shpjeguar se, lejen e drejtimit të automjetit që kishte skaduar në vitin 2014, e ka rinovuar në dhjetor të 2020-ës. Ai ka këmbëngulur se neglizhenca ka ardhur si pasojë e mospërdorimit dhe mbingarkesës në punë, duke e konsideruar veten si prokurorin me ngarkesën më të madhe në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat.

Por shpjegimet e Pucit nuk e kanë bindur trupin gjykues. “[…]Komisioni arsyeton se një sjellje e tillë është e papranueshme dhe për një qytetar të zakonshëm dhe jo më për një prokuror. Kjo sjellje e subjektit është kryer në mënyrë të përsëritur për një periudhë të gjatë edhe pasi ndaj tij janë vendosur gjoba të lëshuara nga Drejtoria e Policisë së Shtetit”, konstaton KPK.

Nga analiza financiare ka rezultuar se subjekti nuk ka pasur mundësi financiare për blerjen e këtij mjeti pasi ka dalë balancë negative në shumën 355 mijë lekë. Sipas trupit gjykues, shpjegimet e subjektit se çdo prokuror mund të kishte kursime në vite dhe se kishte marrë edhe një hua, nuk mund të pranohen, pasi Puci nuk ka deklaruar kursime cash dhe as marrjen e ndonjë huaje.

Apartamenti në emër të vjehrrit

Nga hetimi i kryer prej Komisionit ka rezultuar se subjekti i rivlerësimit në vitin 2004, ka nënshkruar kontratë sipërmarrje me shoqërinë “E” sh.p.k., për prenotim të një apartamenti me sipërfaqe 108.4 m2 në Tiranë, për vlerën 4 milionë lekë. Në vendim thuhet se subjekti ka paguar shumën 10 mijë euro.

Në vitin 2011, me anë të një deklarate noteriale për kalim të drejtash, Puci i ka kaluar vjehrrit, z.G.H. të gjitha të drejtat dhe detyrimet mbi këtë apartament. Pas këtij akti, vjehrri G.H. ka paguar shumën 2 milionë e 795 mijë lekë dhe shoqëria ndërtuese ka lidhur kontratën e shitjes së kësaj pasurie të paluajtshme.

Prokurori Puci ka deklaruar se apartamenti është prenotuar prej tij në vitin 2004, pasi prindërit e bashkëshortes ndiheshin të frikësuar për shumën e parave që do të jepnin dhe në këto kushte i kanë kërkuar atij ta nënshkruante kontratën ngaqë ishte prokuror.

Por nga hetimet e Komisionit ka rezultuar se vjehrri dhe vjehrra e subjektit kanë jetuar dhe punuar gjatë gjithë kohës në Përmet dhe se nuk provohet të kenë jetuar në apartamentin në Tiranë.

Nga ana tjetër është konstatuar se subjekti e ka deklaruar këtë apartament si adresë banimi që prej vitit 2004 e në vijim. Këto deklarime kanë përkuar edhe me të dhënat e regjistrit të gjendjes civile.

Nisur nga fakti se prej vitit 2017 dhe aktualisht familja e subjektit e përdor për banim këtë ppronë, Komisioni ngre dyshime se kjo është pasuri e fshehur e prokurorit Puci.

Nga analiza financiare është konstatuar pamundësi financiare për shlyerjen e çmimit të këtij apartamenti me burime të ligjshme.

Në përfundim Komisioni konkludon se subjekti ka kryer deklaruar të pamjaftueshëm për këtë pasuri, pasi nuk arriti të provojë marrëdhënien e vjehrrit me apartamentin; burimet e ligjshme financiare të familjes së origjinës së bashkëshortes për blerjen e kësaj prone; si dhe nevojën e vjehrrit për të kryer këtë investim në Tiranë, ndërkohë që ai ka jetuar në Përmet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *