Gjyqtarja e Apelit të Vlorës, Iliba Bezati pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Vladimir Karaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

KPK përmbys si ‘të pabazuara’ dy raporte negative për gjyqtaren Iliba Bezati

Gjyqtarja e Apelit të Vlorës, Iliba Bezati kishte raporte negative për pasurinë dhe figurën nga dy institucionet ndihmëse të procesit të vetingut, të cilat u rrëzuan në shumicën e tyre si të pabazuara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Gjyqtarja e Apelit të Vlorës, Iliba Bezati pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Vladimir Karaj.

Gjyqtarja e Apelit të Vlorës, Iliba Bezati kishte raporte negative për pasurinë dhe figurën nga dy institucionet ndihmëse të procesit të vetingut, të cilat u rrëzuan në shumicën e tyre si të pabazuara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Dy raporte negative nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar u përmbysën nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të mërkurën, gjatë seancës dëgjimore ndaj gjyqtares së Gjykatës së Apelit të Vlorës, Iliba Bezati.

Sipas ILDKPKI, Bezati kishte bërë deklarim të pasaktë, nuk kishte burime të ligjshme të pasurisë, kishte fshehje pasurie, kishte bërë deklarim të rremë dhe bashkëshorti ishte në kushte të konfliktit të interesit. KPK rrëzoi gjatë relatimit pjesën dërrmuese të këtyre gjetjeve, ndërsa vuri në dukje vetëm pasaktësi në deklarimet vjetore, bilance negative prej rreth 600 mijë lekësh dhe mosdeklarimin e një trualli të trashëguar nga bashkëshorti.

Ndërkohë, raporti i dytë i DSIK-së, sipas të cilit Bezati ishte e papërshtatshme, u rrëzua nga KPK që në seancë dëgjimore. “Nuk rezultuan fakte apo rrethana që të mbështesin konkluzionet  e DSIK,’ tha në seancë relatori Lulzim Hamitaj.

Bezati vetë tha se dakordësohej me “pjesën dërrmuese” të gjetjeve të Komisionit dhe kërkoi mirëkuptim për pasaktësitë në deklarime në vitet e para, duke pretenduar mungesë informacioni mbi mënyrën se si këto deklarime duhej të plotësoheshin.

Iliba Bezati e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 dhe ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Vlorës deri në vitin 2005. Ajo punon si gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Vlorës prej 15 vitesh.

Bezati iu nënshtrua hetimit në të tre kriteret nga një trupë e kryesuar nga Olsi Komici, me relator Luzim Hamitaj dhe anëtare Brunilda Bekteshi.

Hetimi i pasurisë

Relatori Lulzim Hamitaj tha në seancë se gjyqtares Iliba Bezati i kishte kaluar barrë prove fillimisht mbi një apartament të blerë në Vlorë për 1.9 milionë lekë sipas deklarimit fillestar, por që  për të cilin ishin shpenzuar 6 milionë lekë sipas deklarimit veting.

Sipas shpjegimeve të Hamitajt, kontrata e blerjes së apartamentit ishte në fakt 1.9 milion lekë dhe pjesa tjetër e shpenzimeve për këtë apartament në shumën 4 milionë lekë ishin shpenzime mobilimi apo punime të papërfunduara.

Vetë Bezati pranoi se kishte një moment jo të qartë në deklarimin fillestar, por fajësoi formularin në të cilin nuk kishte pasur hapësirë për shpenzimet e tjera veç blerjes së pasurisë së paluajtshme. Ajo këmbënguli se në deklarimin ‘veting’ ishte përpjekur të bënte deklarim të plotë të shpenzimeve dhe burimeve për këtë apartament.

Në një përfundim të ngjashëm kishte dalë edhe Komisioni. Hamitaj theksoi se “përpos disa pasaktësive”, subjekti, bashkëshorti dhe prindërit e këtij të fundit kishin burimet e ligjshme për blerjen e apartamentit në fjalë.

I njëjti përfundim u tha edhe për një apartament në Tiranë, të blerë në vitin 2005. Apartamenti i financuar me 1 milion lekë nga shitja e një pjese pasurie prej vetë gjyqtares, me ndihmën e prindërve të bashkëshortit dhe një hua 30 mijë euro, kishte sipas KPK burime të ligjshme.

I vetmi problem në këtë pikë, sipas KPK-së ishte fakti se kontrata e shitjes së pjesës së apartamentit që Bezati kishte me prindërit dhe që kishte shërbyer si burim i shumës 1 milion lekë, ishte kryer 44 ditë pas pagesës së këstit të apartamentit në Tiranë.

Bezati sqaroi në seancë se kjo kishte qenë një marrëdhënie familjare dhe se e ëma që duhej të nënshkruante, nuk kishte pasur mundësi për shkak të gjendjes shëndetësore. Ajo tha se kishte sjellë raport mjekësor që e provonte këtë fakt. KPK i gjeti të sakta deklarimet e huasë dhe pagesën e saj dhe po ashtu konstatoi se huadhënësi kishte pasur burime të ligjshme.

Ndërkohë, për dy garazhe që u blenë në të njëtin pallat, pagesa për të cilat u mbulua nga kursimet, Bezati rezultoi me rreth 68 mijë lekë mungesë të ardhurash.

Transaksionet për një apartament në Orikum po ashtu u vunë në dukje nga KPK. Në këtë rast, Bezati dhe bashkëshorti kishin marrë një kredi prej 4.2 milionë lekë me të cilën do të blinin një apartament tjetër. Por pas lëvrimit të kredisë dhe pas kalimit të shumës te ndërtuesi me të cilin kishin kontratë, kjo e fundit është prishur duke cituar kërkesat e blerësit. Kompania e ndërtimit me të cilën ishte kontrata, kishte kthyer pas 4.2 milionë lekët e marra kredi dhe në një periudhë të mëvonshme edhe 3 milionë të paguara më herët nga bashkëshorti i gjyqtares.

Nga hetimi i KPK rezultoi se 2 milionë lekë nga kredia e marrë për këtë kontratë u përdorën  për të blerë apartamentin 45 metra në Orikum, ndërsa pjesa tjetër u depozitua në bankë. Ndërkohë, KPK gjeti se pretendimi për përdorimin e të ardhurave të bashkëshortit nga shitja e një libri për pjesën e mbetur të pagesës prej 600 mijë lekësh nuk ishin të sakta. Paratë e fituara nga libri, sipas KPK kishin qëndruan në llogari bankare. Por familja sipas Komisionit kishte të ardhura për të përballuar shumën prej 600 mijë lekësh.

Problem për KPK rezultoi mosdeklarimi nga bashkëshorti në vitet 2005 e deri në vitin 2013 të përfitimit prej trashëgimisë së një pjese trualli në Vlorë dhe kontratave të shkëmbimit e sipërmarrjes mbi këtë truall. Këto sipas KPK-së ishin deklaruar vetëm në vitin 2013, por nuk kishin problem të burimeve.

Bezati rezultoi me mungesë 277 mijë lekësh për blerjen e një makine në vitin 2007 dhe 300 mijë lekë për krijimin e disa depozitave. Hamitaj tha se në total ajo rezultonte me mungesë burimesh të ligjshme prej 600 mijë lekësh për të gjitha shpenzimet dhe investimet e kryera që nga fillimi i karrierës.

Komisoni vuri në dukje se kishte pasur pasaktësi për deklarimin e gjendjes cash dhe likuiditeteve në bankë. Bezati pretendoi në seancë se familja kishte pasur të ardhura në fund të viteve, që dilnin nga analiza financiare si mundësi për kursim, por pranoi se deklarimi nuk kishte qenë i plotë për këto.

Hamitaj i vuri në dukje gjyqtares se KPK nuk mund të hamendësonte pasjen e këtyre gjendjeve, nëse ato nuk ishin deklaruar në vitet përkatëse.

Pretendimi i ILDKPKI se bashkëshorti, duke punuar si pedagog dhe njëkohësisht duke pasur aktivitet privat tregtar si dhe punësim nga kompani private ishte në konflikt interesi, u rrëzua nga Komisioni, që cilësoi se kjo nuk “impaktonte ligjshmërinë e të ardhurave të familjes”.

Figura dhe denoncimet

Hamitaj lexoi në seancë se pas një raporti të parë pozitiv, DSIK kishte nisur në adresë të subjektit një raport të dytë negativ, sipas të cilit ajo nuk ishe e përshtatshme për të vijuar detyrën. Sipas raportit, gjyqtarja kishte ndryshuar masën ndëshkuese ndaj një të pandehuri.

Por hetimi i Komisionit e rrëzoi këtë përfundim. KPK vuri në dukje se u administruan dosjet gjyqësore dhe nuk rezultoi që në to të kishte shkelje të procedurës apo arsyetime të pabazuara dhe ndonjë favorizim për të pandehurin.

Njëra prej dosjeve kishte të bënte me shpalljen të pafajshëm të ish-kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. KPK vuri në dukje se vendimi i Apelit që kishte rrëzuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë nuk kishe probleme. Apeli kishte arsyetuar se heqja e tabelave njoftuese në rrugë nuk ishte vepër penale, por kundërvajtje dhe si e tillë mund të dënohej vetëm me gjobë.

Dosja tjetër ndërkohë kishte të bënte me pezullimin e në dënimi. Ndaj të dy dosjeve kishte pasur rekurs në Gjykatën e Lartë dhe në të dy rastet, rekursi nuk ishte pranuar.

KPK po ashtu vuri në dukje disa prej denoncimeve ndaj gjyqtares, por la të kuptohej se nuk ishin gjetur shkelje procedurale. Hamitaj po ashtu lexoi edhe ato që i cilësoi si fakte të njohura botërisht, duke referuar një artikull të publikuar nga BIRN, për vendimin e Gjykatës së Apelit Vlorë për shfajësimin e njërit prej vëllezërve Çilotaj të akuzuar për vrasjen me dashje të një 24-vjeçareje, të cilën e kishin shfrytëzuar në një shtëpi publike në Greqi.

Hamitaj tha se nuk kishin gjetur shkelje procedurale në vendimin e gjykatës dhe se ajo që përmendej në shkrim prekte themelin e çështjes, që “kapërcen kompetencën e Komisionit”.

Vetë Bezati nuk i komentoi gjatë denoncimet. Ajo falënderoi KPK-në që kishte përmbysur raportin e DSIK-së, të cilin e cilësoi fyes. Gjyqtarja tha se raporti ishte i pabazuar në fakte dhe as në ligj duke iu referuar se ishte tejkaluar periudha e verifikimit, ndërsa shtoi se në karrierën e saj kishte qenë e kujdesshme dhe se nuk ishte ndikuar për vendimet e saj.

Në fund, Bezati kërkoi konfirmimin në detyrë. Njoftimi i vendimit u caktua në 1 mars, në orën 10.15.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *