KPK pikëpyetje mbi pasurinë e prokurorit Artan Madani
Lajme

KPK pikëpyetje mbi pasurinë e prokurorit Artan Madani

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rrëzoi një raport negativ të DSIK për drejtuesin e Prokurorisë së Kavajës Artan Madani, por relatimi në seancë dëgjimore u fokusua mbi dyshimin për mungesë burimesh financiare për blerjen e një apartamenti dhe pasurinë e babait të prokurorit.

Drejtuesi i Prokurorisë së Kavajës Artan Madani (djathtas) dhe avokati i tij pas seancës dëgjimore. Foto:BIRN

Blerja e një apartamenti në fillim të viteve 2000, që fokusi i seancës dëgjimore ndaj drejtuesit të Prokurorisë së Kavajës Artan Madani. Madani i cili u hetua nga KPK në të tre kriteret rezultoi pa probleme sa i përket figurës dhe aftësive profesionale, por gjatë seancës së të enjtes relatorja tha se atij i ishte kaluar barra e provës mbi disa paqartësi dhe probleme mbi pasuritë.

Shpjegime për pasurinë iu kërkuan Madanit edhe në fund të procesit kryesisht në një sërë pyetjesh nga vëzhguesi ndërkombëtar Ferdinando Buatier. Prokurori i cili u paraqit në seancë me avokat, shpjegoi se apartamenti që ishte pasuria e tij e vetme, ishte krijuar mbi burime të ligjshme, ai bëri një historik të gjendjes familjare dhe marrëdhënieve me të afërmit që kishin ndihmuar në ndërtimin e apartamentit.

Trupa gjykuese që kreu procesin e vetingut për Madanin përbëhet nga Etleda Çiftja kryesues, Genta Tafa Bungo anëtare dhe Pamela Qirko relatore.

Artan Madani e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994. Ai ka punuar si prokuror në Durrës, ka drejtuar prokurorinë e Lezhës dhe është rikthyer sërish si prokuror në Prokurorinë e Durrësit. Në vitin 2014, Madani është emëruar në Prokurorinë e Kavajës ku është promovuar më pas si drejtues i kësaj prokurorie.

Rivlerësimi i pasurisë

Relatorja Qirko bëri me dije se Inpektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) kishte gjetur se Madani kishte bërë deklarim të pasaktë të pasurive. Qirko vuri në dukje se pas këtij konstatimi KPK kishte kryer hetime kryesisht mbi një apartament dhe një garazh të blerë në vitin 2001 në Durrës për një vlerë të deklaruar prej 5.5 milion lekësh.

Komisioni vuri në dukje se kontrata e shitblerjes për këtë apartament ishte nënshkruar më vonë. Sipas KPK Madani kishte deklaruar se apartamenti ishte blerë në fakt në vlerën 1.7 milion lekë karabina me një kontratë verbale në vitin 2001. Pagesa për këtë ishte bërë në dy këste vitin 2001 dhe 2002.

Pjesa tjetër e vlerës së tij ishin shpenzimet e kryera prej vetë Madanit për ta bëra apartamentin funksional deri në vitin 2003. KPK ngriti dyshime mbi këtë pikë, ndërsa theksoi se pallati kishte pasur leje shfrytëzimi dhe kolaudim dhe ishte cilësuar si i banueshëm që në vitin 2000 sipas dokumenteve edhe nga Zyra Vendore e Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe që tregonte se kishte qenë i banueshëm.

Po ashtu Komisioni tha se nuk kishte dokumentacion provues për shpenzimet e kryera prej vetë Madanit rreth 2.8 milion lekë. Pikëpyetje po ashtu u ngritën edhe mbi burimin e të ardhurave për këtë apartament. Sipas deklarimeve të Madanit, 1 milion lekë ishin dhuratë nga vjehrri, 300 mijë lekë punimi ishin bërë nga vëllai i bashkëshortes. Babai i tij i kishte dhënë 1.5 milion lekë me burim shitjen e shtëpisë së përbashkët dhe pjesa tjetër ishte mbuluar nga kursimet e tij.

Relatorja vuri në dukje se bazuar në këto deklarime dhe provueshmërinë e tyre analiza financiare kishte gjetur se Madani nuk kishte pasur burime për të krijuar këtë pasuri. Qirko tha se për këtë atij i ishte kaluar barra e provës.

Madani gjatë fjalës së tij, ritheksoi se apartamenti ishte blerë karabina apo i papërfunduar. Ai tha se inxhinerët i kishin thënë që punimet në atë fazë quheshin 40 për qind të përfunduara. Ai i vuri në dispozicion KPK dokumente të reja që sipas tij provonin deklarimet e bëra për apartamentin dhe garazhin.

Ai tha se pallati kishte pasur probleme me dokumentacionin. Sipas tij kontrata ishte formalizuar vetëm në vitin 2004 dhe për këtë arsye në këtë vit ai kishte deklaruar atë, por duke bërë një deklarim të përmbledhur. “Vlera prej 5.5 milion është përmbledhje e gjithë shpenzimit të kryer”, tha Madani, duke shpjeguar se formulari i parë i vetëdeklarimit nuk kërkonte specifikime.

Vëzhguesi ndërkombëtarë kërkoi nga Madani sqarime mbi kohën kur ai kishte marrë në dorëzim objektin, arsyet pse kishte paguar para pa pasur një kontratë duke parë edhe problemet me dokumentacionin që kishin rezultuar më vonë dhe shpenzimin konkret të kryer nga vëllai i bashkëshortes.

Madani shpjegoi kronologjinë e hyrjes në apartament dhe theksoi se pagesat në dy këste ishin bërë në mirëbesim dhe se në atë moment nuk kishte dyshime për korrektësinë e kompanisë së ndërtimit. Ai tha se kunati nuk i kishte dhënë para në dorë, por ishte ofruar të ndihmonte dhe kishte paguar për dyert e brendshme dhe punime në ankesin e shtëpisë.

Lidhur me barrën e provës mbi mundësitë financiare të babait, Madani tregoi se si kishte ardhur familja në Durrës nga Bajram Curri. Shtëpinë e ndërtuar në Xhafzotaj, shitjen e saj dhe blerjen prej babait të një shtëpi tjetër në një nga pronat e vjehrrit të tij dhe të dhëna të tjera financiare mbi të atin. Ai u pyet mbi disa depozita të babait në një firmë piramidale.

Madani tha se i ati kishte pasur një depozitë në firmën “Gjallica” dhe kishte tërhequr para falimentimit të saj një sasi të ardhurash. Ai megjithatë pranoi se kishin dokument vetëm për depozitimin e një shume. Ai tha se një shumë tjetër më e vogël, ishte depozituar te Populli, por pranoi se nuk kishte dokumentacion për të.

Pyetje Madanit iu bënë edhe mbi një makinë Ford në përdorim dhe dyshimet se makina që ishte përdorur nga ai 26 herë për të dalë jasht vendit ishte në pronësi të tij. Madani vuri në dukje se kishte pasur të ardhura për ta blerë makinën dhe skishte pse e linte atë në një emër tjetër. Ai shpjegoi se daljet jashtë vendit ishin në fakt udhëtime për në Tropojë.

Sipas Madanit bëhej fjalë për dalje nga Kukësi dhe hyrje në Tropojë brenda pak orësh, ndërsa theksoi se një udhëtim i tillë rezultonte në 2 dalje dhe dy hyrje. Ai tha se përndryshe në një udhëtim në Itali kishte përdorur makinën e vjehrrit.

Madani pranoi mosdeklarimin e një llogarie 350 mijë lekë nga bashkëshortja, por tha se ajo kishet qenë në pronësi të saj 100 për qind dhe nuk kishte qenë detyrim ta deklaronte. Ai shpjegoi se bëhej fjalë për para të fituara nga paga e saj dhe për dhurime nga familja para martese. Ai shpjegoi se mëtej deklarimi i kësaj shume ishte harruar.

Pretendimit të KPK se sipas analizës financiare Madani nuk kishte pasur burime të mjaftueshme për kursimet në vite sipas deklarimeve në ILDKPKI, ai iu përgjigje me një analizë financiare nga një ekspert kontabël sipas të cilës kishte rezultuar me bilanc pozitiv.

Vlerësimi i figurës dhe profesionalizmi

Sipas relatores Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) kishte sjellë fillimisht një raport pozitiv për Madanin. Raporti vinte në dukje se ai kishte plotësuar korrektësisht formularin dhe se nuk kishte informacion për kontakte të papërshtatshme.

Relatoja vuri në dukje se në deklarimin e Madanit përmendej fakti që vëllai i tij ishte dënuar me 11 muaj burg në Itali. Sipas relatores KPK nisur nga ky informacion kishte zhvilluar hetimet e saj. Ajo kishte marrë prej ONM të dhëna të plota për dënimin dhe i kishte kërkuar DSIK të bënte një vlerësim të dytë në dritën e këtyre të dhënave.

DSIK sipas raportit në vlerësimin e dytë kishte përmbysur të parin, duke e cilësuar Madanin të papërshtatshëm. Duke pretenduar se veç dënimit me 11 muaj vëllai i Madanit kishte edhe dënime të tjera në Itali deri në vitin 2007, dhe dënime me një identitet tjetër dhe se këto dënime nuk ishin deklaruar nga prokurori.

Por Komisioni vuri në dukje se prej hetimeve të kryera nga KPK raporti i dorëzuar nga DSIK rezultoi i “pabazuar në prova dhe ligj”. KPK tha se dënimet e tjera të pretenduara nuk u gjetën të vërteta dhe se dënimi i parë prej 11 muajsh, i deklaruar prej Madanit nuk përfshihej në kohën e dënimit në veprat që gjykoheshin prej Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe që mund të çonin në papërshtatshmëri.

Madani cilësoi korrekt hetimin e KPK në këtë pikë. Ai tha se “dënimin e vëllait e kishin vuajtur familjarisht”, por shtoi se nuk kishte pasur dënim tjetër dhe as kontakte të tjera.

Vlerësimi profesional për Madanin ishte pozitiv. Relatorja vuri në dukje se nga dosjet e shqyrtuara nuk kishte dyshime për mungesë aftësish profesionale. Pesë denoncime ndaj tij nuk u gjetën me prova. Vetë Madani përmendi denoncimet njëri pas tjetrit, duke sqaruar se me një pjesë të tyre ai nuk kishte pasur të bënte si prokuror.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *