Prokurori Enrik Haxhiraj duke dalë nga seanca në KPK | Foto : Edmond Hoxhaj/BIRN
KPK Lajme Në Fokus

KPK: Prokurori Enrik Haxhiraj pushtoi tokë tek ‘Uji i Ftohtë’ dhe ndërtoi vilë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konstaton se prokurori i Apelit të Vlorës, Enrik Haxhiraj ka qenë në pamundësi në vlerë të mëdha për krijimin e pasurive që disponon, përfshirë një vilë 4-katështe tek ‘Uji i Ftohtë’ – e ndërtuar mbi tokë shtet të pushtuar.

Prokurori Enrik Haxhiraj duke dalë nga seanca në KPK | Foto : Edmond Hoxhaj/BIRN

Prokurori i Apelit të Vlorës, Enrik Haxhiraj u përball të enjten më 14 janar me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për kriterin e pasurisë, kur gjatë seancës dëgjimore u evidentuan mungesa financiare në vlera të mëdha, njw kundravajtje penale pushtim toke dhe mosdeklarim burimesh.

Trupa gjyqësore që po kryen procesin e vetingut për prokurorin Haxhiraj kryesohet nga Genta Tafa Bungo, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ferdinando Buatier.

Enrik Haxhiraj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1989 si prokuror në Prokurorinë e Vlorës. Në vitin 1992 është emëruar si zv/drejtues po në atë prokurori dhe për periudhën 1995-1998 ka mbajtur pozicicionin e drejtuesit. Nga viti 1998 e në vazhdim ai ka punuar për më shumë se dy dekada si prokuror në Prokurorinë e Apelit të Vlorë.

Gjatë seancës dëgjimore që zgjati 4 orë, relatorja e çështjes, Pamela Qirko evidentoi pamundësi financiare në vlera të mëdha për një vilë me 4 kate në zonën e “Ujit të ftohtë” në Vlorë, si dhe “pushtim të tokës” ku gjendet objekti.

Qirko shpjegoi se prokurori Haxhiraj nuk ka pasqyruar në deklaratën veting burimin e krijimit të ndërtesës me një kat nëntokë, një kat përdhe dhe dy kate banimi sipër, me sipërfaqe totale 184 m2.

Nga hetimi ka rezultuar se kjo banesë është ndërtuar në një truall me sipërfaqe 500 m2 në dhe është legalizuar në vitin 2011 nga subjekti i rivlerësimit. Investimi i deklaruar është 18 milionë lekë ndërkohë që vlera totale e parcelës ndërtimore ka rezultuar 3.4 milionë lekë.

Sipas Komisionit, Haxhiraj ka deklaruar si burime pagat e tij dhe të ardhurat e përfituara nga bashkëshortja si notere; dy hua në vlerat 20 mijë euro dhe 10 mijë USD, një kredi në vlerën 40 mijë euro dhe shumën 14 mijë e 926 euro e përfituar nga shitja e një shtëpie të mëparshme të përfituar nga privatizimi.

Qirko shpjegoi se ndërtimi i vilës ishte realizuar në 3 faza. Në vitin 2002 ishte ndërtuar struktura e godinës në vlerën 6.6 milionë lekë, ndërsa në vitet 2003 dhe 2004 janë shpenzuar nga 5 milionë lekë për rifinitura.

Prokurori Haxhiraj ka pretenduar se burimi kryesor për krijimin e kësaj pasurie kanë qenë depozitat në emër të tij dhe të bashkëshortes që në vitin 2002 rezultonin në vlerën 10.2 milionë lekë.

Qirko tha se nga analiza financiare e kryer për punimet e kryera në fazën e parë ndërtimore, ka rezultuar se nga kursimet në depozitat bankare është përdorur vetëm vlera 1.6 milionë lekë.

Komisioni konstaton se nuk është provuar mundësia financiare e huadhënësit të pretenduar nga Haxhirajt për vlerat 20 mijë euro dhe 10 mijë USD. Qirko tha se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë dhe kontradiktor. Për shumat e mësipërme subjekti ka deklaruar se huadhënëse ishte një kompani, por në kontrata rezulton se ka qenë administratori i saj V.M..

Haxhiraj e kundërshtoi në seancë konstatimin e KPK dhe pretendoi se kishte provuar me dokumente se V.M. kishte pasur tre shoqëri tregtare dhe kishte vepruar edhe jashtë shtetit prej nga kishte përfituar të ardhura të konsiderueshme.

KPK ka analizuar edhe të ardhurat e bashkëshortes së Haxhirajt nga puna si notere për periudhën 1995-2002. Qirko tha se fitimi është konsideruar në vlerën 21.3% të të ardhurave dhe ka rezultuar se për periudhën e analizuar fitimi neto ka qenë rreth 4 milionë lekë.

Në analizën financiare për periudhën 95-2002 janë përfshirë investimet për vilën 4 kate, blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 38.7m2 në vitin 2000 në Vlorë kundrejt vlerës 1 milion lekë, blerjen e një makine dhe shpenzimet jetike.

Komisioni konkludon se për këtë periudhë familja e prokurorit Haxhiraj ka rezultuar me balancë negative në shumën 10.5 milionë lekë.

Si burime për investimet e kryera në fazën e dytë, subjekti ka pasqyruar tre tërheqje, dy në shumat 2 milionë lekë dhe një në vlerën 1.4 milionë lekë. Pasi nga analiza financiare e kryer për periudhën 1995-2002 subjekti ka rezultuar në pamundësi financiare për krijimin e depozitës 10.2 milionë lekë, KPK konstaton pamundësi financiare për investimet e kryera gjatë kësaj faze.

Pamundësi financiare janë konstatuar edhe për punimet e kryera në fazën e tretë ku një pjesë e burimeve në shumën 2.5 milionë lekë është deklaruar se ishte pjesë e depozitës së krijuar deri në vitin 2002.

Komisioni ngre dyshime se kredia në vlerën 40 mijë euro e deklaruar si burim krijimi për shtëpinë 4 kate ndërtimi, është përdorur për destinacion tjetër. Nga hetimi ka rezultuar se kredia është marrë për blerjen e një dyqani.

Qirko pohoi se subjekti e ka quajtur si lapsus të punonjëses së bankës shënimin e qëllimit të përdorjes së kredisë për blerje dyqani dhe se ai dhe bashkëshortja e tij kishin qenë të pakujdeshëm kur kishin firmosur.

Haxhiraj këmbënguli se qëllimi i vetëm i marrjes së kredisë kishte qenë për kryerjen e investimeve në shtëpinë në “Ujin e ftohtë”.

“Nuk kishim interes të blinim njësi se bashkëshortja e ushtronte aktivitetin në njësinë e privatizuar nga mamaja”, tha ai.

Në seancë u tha se nuk rezultonte që vlera e përfituar nga shitja e shtëpisë së përfituar nga privatizimi të ishte transferuar për kryerjen e ndonjë pagese gjatë fazës së tretë të punimeve për shtëpinë në “Ujin e ftohtë”.

Balanca negative janë konstatuar edhe për dy pagesa të kryera në vitin 2010 pranë ALUIZN-it për regjistrimin e pasurisë, kur ka rezultuar pamundësi financiare në shumën -1.7 milionë lekë.

Në përmbyllje të analizimit të kësaj pasurie, relatorja Qirko tha se prokurori Enrik Haxhiraj kishte kryer kundravajtje penale në zënien e truallit.

“Zënia e truallit binte ndesh me legjislazionin në fuqi dhe përbënte kundravajtje penale ‘pushtim toke’”, tha ai.

Prokurori Enrik Haxhiraj kundërshtoi gjetjet e Komisionit duke dhënë detaje të hollësishme për pretendimet dhe përllogaritjet e tij.

“Problemet e analizës financiare të Komisionit i kam gjetur tek metodika e ekspertëve të KPK”, tha Haxhiraj.

Ai theksoi se edhe vetë KPK konstaton se nuk ka qenë e lehtë të përllogariteshin fitimet e siguruara nga bashkëshortja prej aktivitetit të saj 25-vjeçar si notere.

“Për periudhën 1994-2010, edhe vetë tatimet kanë konfirmuar se informacioni që kanë servirur nuk është i plotë”, shtoi Haxhiraj.

Sipas tij, KPK pranonte se bashkëshortja kishte fituar 5.5 milionë lekë gjatë periudhës 2003-2005, ndërsa për vitet 2006, 2007 dhe 2008 thuhej se kishte fituar 20 mijë lekë në muaj. Këtë përllogaritje ai e cilësoi pa sens dhe në fund të seancës dëgjimore depozitoi si provë dokumente që sipas tij vërtetonin se kishte kryer kërkesë padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë kundër Drejtorisë Rajonale të Tatimeve që kishte informuar se fitimet për periudhën 2006-2008 kishin qenë 20 mijë lekë në muaj.

“Nuk ka deklarime nga tatimet Vlorë për fitimet neto të bashkëshortes për periudhën 1994-2016, ka vetëm qarkullim dhe qarkullimi shkon 1 miliard lekë”, tha Haxhiraj në seancë.

Ai kundërshtoi edhe përllogaritjen e KPK se fitimi i bashkëshortes ishte 21.3%. Haxhiraj bëri me dije se i ishte drejtuar një audituesi privat i cili kishte konkluduar në një analizë financiare të ndryshme nga KPK.

Sipas tij, barra fiskale për aktivitetin e bashkëshortes ka qenë 1.5% dhe se fitimi përllogaritej të ishte 75.23%. “Ekspertët e KPK kanë konkluduar se paga ime është më e lartë se të ardhurat e bashkëshortes. Na kanë surprizuar ekspertët”, tha subjekti.

Sipas Haxhirajt, eksperti i kontraktuar prej tij kishte konstatuar se kishte pasur balancë pozitive në vitin 2010, kur ishin kryer pagesat për legalizimin e shtëpisë pranë ALUIZN-it.

Haxhiraj i kundërshtoi konstatimet e KPK për pushtim toke. “Atëherë nuk kam pushtuar apo zaptuar tokë”, tha Haxhiraj dhe shpjegoi se parcela ku ai kishte ndërtuar shtëpinë gjendet brenda një sipërfaqe toke të përfituar nga shtetasi Dh.S. dhe se ky i fundit e kishte përfituar nëpërmjet ligjit 7501, si punonjës i ndërmarrjes bujqësore.

Subjekti pretendoi se marrëveshja kishte qenë verbale dhe se ishte rënë dakord që kontrata e shit-blerjes për parcelën 500 m2 ku ai kishte ndërtuar shtëpinë, do të nënshkruhej sapo Dh.S. të siguronte certifikatën e pronësisë. Sipas Haxhirajt kjo kishte qenë e pamundur për shkak të vonesave nga institucionet shtetërore dhe për shkak se Dh.S. dhe bashkëshortja e tij vuanin nga sëmundje e rëndë dhe nuk kishin mundur të vepronin.

Relatorja Qirko e pyeti Haxhirajn nëse kishte paguar ndonjë vlerë për truallin që pretendonte se i kishte dhënë Dh.S.. Ai tha se nuk kishte kryer asnjë pagesë.

Edhe pas konstatimit të relatores Qirko se pagesën për truallin e kishte kryer në favor të shtetit, Haxhiraj këmbënguli se trualli nuk kishte qenë pronë shtet, pasi sipas tij Dh.S. kishte marrë në vitin 2004 aktin e pronësisë, por nuk kishte mundur ta regjistronte se zona nuk kishte qenë e azhornuar dhe risolli në vëmendje se ai ishte i sëmurë së bashku me bashkëshorten.

Haxhiraj pretendoi në vijim se në atë periudhë kundravajtja penale shqyrtohej nga këshilli i bashkisë.

Probleme janë gjetur edhe në blerjen e një apartamenti në Tiranë me sipërfaqe 100 m2 kundrejt vlerës 110 mijë euro, të porositur në vitin 2009 nga shoqëria shitëse, në një shoqëri tjetër ndërtimi.

Qirko tha se Haxhiraj nuk ka pasqyruar në deklaratën veting burimin e krijimit të kësaj pasurie dhe se ka përfituar trajtim preferencial nga firma shitëse. Sipas KPK, firma shitëse e ka blerë me të njëjtin çmim që i’a ka shitur subjektit 9 muaj më vonë.

Prokurori Haxhiraj deklaroi në seancë se pronarët e firmës shitëse i njihte prej kohësh dhe kishte miqësi. Sipas tij, administratorët e firmës në fjalë i kryenin shërbimet noteriale pranë zyrës së bashkëshortes së tij. Ai shpjegoi se djali do të niste studimet e larta dhe në këtë periudhë kishte konsideruar të nevojshme të blinte një apartament në Tiranë.

Haxhiraj pohoi se kur kishte diskutuar për këtë situatë me administratorët e firmës shitëse, ata i kishin dhënë mundësinë e blerjes për 10 apartamente të ndryshme, që sipas tij i kishin fituar nëpërmjet kleringut.

“Ata kanë pajisur me materiale ndërtimi dhe pajisje hidrosanitare firmën ndërtuese prej nga kanë përfituar apartamentin që më kanë shitur mua. Ata e kanë marrë fitimin e tyre në materialet që i kanë dhënë firmës ndërtuese në këmbim të apartamentit, kështu që nuk ka trajtim preferencial”, deklaroi Haxhiraj dhe solli në vëmendje se kishte dorëzuar dokumente se vërtetonin që fqinjët e tij i kishin blerë më lirë apartamentet.

Duke ju referuar kontratës së sipërmarrjes të nënshkruar mes firmës që i ka shitur apartamentin subjektit dhe shoqërisë ndërtuese, Komisioni konstaton pamundësi financiare të administratorëve të firmës shitëse për shlyerjen vlerës së kësaj pasurie.

Qirko evidentoi se prokurori Haxhiraj nuk ka deklaruar një shtesë në njësinë e shërbimit ku ushtron aktivitetin bashkëshortja, pronë e dhuruar nga nëna në vitin 2015, e cila e kishte blerë vite më parë si ish-punonjëse e ndërmarrjes ushqimore në Vlorë.

Haxhiraj pretendoi se nuk kishte pasur shtesë, por ishte një sipërfaqe e vogël e rrethuar me sipërfaqe xhami, që më vonë ishte zhvendosur dhe nuk ekzistonte më.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se Haxhiraj dhe bashkëshortja e tij nuk kanë pasur mundësi financiare për blerjen e një njësie shërbimi 23.8 m2 në vitin 2013, kundrejt vlerës 9 milionë lekë. Sipas Qirkos, një hua në shumën 4.2 milionë lekë e marrë nga një shoqëri për shlyerjen e një pjese të çmimit të njësisë, duke se nuk është transferuar në destinacion.

Nga analiza financiare për këtë vit ka rezultuar balancë negative në shumën -1.3 milionë lekë.

Qirko vijoi se janë konstatuar mospërputhje në deklarimin e çmimit të blerjes së kësaj pasurie dhe se në deklaratën veting nuk është pasqyruar burimi i krijimit.

Gjithashtu ka rezultuar se prokurori Haxhiraj nuk ka deklaruar burimin e blerjes së një automjeti tip Benz kundrejt vlerës 500 mijë lekë.

Komisioni konstaton mosjustifikimin e burimeve të një huaje të marrë në vitin 2009 në shumën 20 mijë USD nga T.M. që është përdorur si kolateral për marrjen e një overdrafti me qëllim blerjen e një apartamenti. Po ashtu, Haxhiraj nuk ka justifikuar edhe të ardhurat e një huadhënësi tjetër, të cilit subjekti i ka marrë vlerën 10 mijë euro në vitin 2010 për të shlyer një pjesë të çmimit të apartamentit në Tiranë.

Qirko tha se subjektit i është kaluar barra e provës edhe për mosdeklarimin e një shtese anësore në apartamentin me sipërfaqe 38.7 m2 në Vlorë, të ndërtuar në vitin 2007, për të cilën ka aplikuar për legalizimin.

Ajo shtoi se janë konstatuar balanca negative në vlera të konsiderueshme për periudhën 2003-2016, për të cilat subjekti i rivlerësimit ka dorëzuar prova dhe shpjegime duke pretenduar përllogaritje tjetër.

Prokurori Haxhiraj i kundërshtoi të gjitha gjetjet e KPK dhe balancat negative të konstatuara nga analiza financiare.

Në fund ai kërkoi riçeljen e hetimit për kriterin e pasurisë dhe hapjen e hetimit për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin,

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 19 janar, ora 09:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *