KPK rrëzoi raportin e ILDKPKI në seancën dëgjimore ndaj Qemal Zaimit
Lajme

KPK rrëzoi raportin e ILDKPKI në seancën dëgjimore ndaj Qemal Zaimit

Qemal Zaimi, ish-inspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe tani nëpunës pranë KLGJ, pati një seancë dëgjimore pa probleme, ndërsa Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rrëzoi pretendimet e ngritura në raportin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit mbi dokumentacionin e një huaje.

Qemal Zaimi. Foto: BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të mërkurën seancën dëgjimore ndaj Qemal Zaimit,  nëpunës përgjegjës në Njësinë e Vlerësimit Etik dhe Profesional në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Zaimi, i cili është kandidat për një nga vendet vakante në Gjykatën e Apelit të Tiranës, u përball me barrë prove vetëm për 230 mijë lekë bilanc negativ në blerjen e një makine në vitin 2010, ndërsa Komisioni vuri në dukje se nuk ishin gjetur probleme të tjera as në kriterin e pasurisë dhe as në ato të figurës dhe profesionalizmit.

Zaimi, i cili më herët ka shërbyer si gjyqtar në Gjykatën e Librazhdit dhe më pas si Inspektor i KLD-së dhe tani nëpunës i Këshillit të Lartë Gjyqësorë, tha se diferenca negative vinte për shkak të llogaritjes së të ardhurave vetëm për 6 muaj në vitin e blerjes. Ai pretendoi se të ardhurat duhej të llogariteshin për gjithë periudhën deri në deklarimin e pasurisë, pasi ai kishte deklaruar ato të plotë në fund të vitit.

Trupa që shqyrtoi rastin e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Genta Tafa (Bungo) dhe anëtare Brunilda Bekteshi, bëri me dije se kishte hetuar Zaimin në të tre kriteret.

Relatorja tha se për anëtarin e KLGJ-së kishte ardhur një raport negativ nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, në të cilin pretendohej se Zaimi nuk kishte dokumentacion justifikues për një hua 4.7 milion lekë dhe për pasojë mungesë burimesh financiare të ligjshme në këtë shumë.

Megjithatë relatorja vuri në dukje se nga hetimi i KPK kishte rezultuar se huaja e marrë nga i afërmi F.H, nuk kishte pasur probleme. Ajo ishte deklaruar si e tillë në kohën e marrjes dhe transaksionet ishin kryer përmes bankës. Huadhënësi në deklaratë noteriale vinte në dukje se huaja do të shlyhej përmes një kredie.

Po ashtu KPK vuri në dukje se në kontratën e kredisë të marrë disa muaj më vonë në emër të Zaimit dhe bashkëshortes theksohej se ajo po merrej “për të shlyer huanë e marrë nga F.H për blerje apartamenti”. KPK tha se huadhënësi që kishte pasur në atë kohë dy biznese të regjistruara kishte pasur burime të ligjshme të ardhurash.

Pasuritë e tjera të Zaimit, një tokë bujqësore në Gramsh e përfituar me ligjin 7501 dhe kursimet në bono thesari u gjetën nga KPK pa probleme. Ndërsa u tha se Zaimi kishte bërë deklarim të saktë.

Zaimit u vlerësua pozitivisht në kriterin e profesionalizmit dhe u gjet i përshtatshëm në kriterin e figurës. Një denoncim ndaj tij i vitit 2001 nuk u mor parasysh nga KPK, me arsyetimin se ishte përtej kohës që Komisioni kishte të drejtë të hetonte sa i përket profesionalizmit.

Në fjalën e tij të shkurtër Zaimi tha se ishte dakord me përfundimet e arritura nga KPK dhe kërkoi të konfirmohej në detyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *