Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj dhe vëzhguesi i ONM, Theo Jacobs në seancën e KPK. Foto: LSA
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

KPK rrëzon ‘notën verbale’ dhe vlerëson bashkëpunimin me ONM

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vlerësoi përmes një deklarate ‘bashkëpunimin e frytshëm’ me ONM, si reagim ndaj ankesave të tre anëtarëve të vet kundër vëzhguesit të ONM-së, Theo Jacobs për çështjen e Imerajt.

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj dhe vëzhguesi i ONM, Theo Jacobs në seancën e KPK. Foto: LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deklaroi të premten se ka pasur dhe vazhdon të ketë ‘një bashkëpunim të frytshëm” me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit – duke rrëzuar indirekt akuzat e tre anëtarëve të vet kundër një vëzhguesi ndërkombëtar, të cilat u bënë publike përmes një ‘note verbale’ të publikuar një javë më parë në media.

“…Komisioni ka vlerësuar dhe çmuar çdo rekomandim dhe opinion të vëzhguesve ndërkombëtarë, duke e konsideruar të rëndësishëm rolin e tyre kushtetues në garantimin e një procesi rivlerësimi të drejtë dhe të pavarur, në funksion të rikthimit të besimit të publikut te organet e reja të drejtësisë,” thuhet në deklaratën e KPK të publikuar në faqen e saj zyrtare.

Përmes kësaj deklarate, KPK synon që të sfumojë raportimet për një tension të mundshëm mes komisionerëve vendas dhe vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilat kulmuan gjatë procesit të rivlerësimit të drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj.

Më 29 korrik, mediat publikuan një letër të prezantuar si “Notë verbale”, ku tre anëtarët e trupës që konfirmoi në detyrë Imerajn, Olsi Komici, Roland Ilia dhe Suela Zhegu ankoheshin për “fyerje dhe presion” nga ana e vëzhguesit të ONM-së, Theo Jacobs.

Letra pa logo dhe pa numër protokolli as u konfirmua dhe as u përgënjeshtrua zyrtarisht nga tre komisionerët dhe vetë KPK.

Konfirmimi i debatueshëm i Imerajt mori vëmendje ndërkombëtare në qershor, kur ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, si dhe Bordi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit me seli në Bruksel mbështetën njëri pas tjetrit rekomandimin e vëzhguesve ndërkombëtarë për shkarkimin nga detyra të shefes së Prokurorisë së Tiranës

Çështja u ankimua më pas nga Komisioneri Publik dhe pritet të shqyrtohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *