KPK rrëzon pjesërisht raportin e ILDKPKI, prokurori Bujar Sheshi drejt konfirmimit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk gjeti probleme në pasuritë e Prokurorit të Apelit për Krimet e Rënda Bujar Sheshi.Raporti i ILDKPKI që kishte konstatuar pasaktësi është rrëzuar nga hetimi i Komisionit. Sheshi rezultoi i përshtashëm në kriterin e pastërtisë së figurës dhe profesionalzmin.  

Prokurori i Prokurorisë se Apelit për Krime të Renda, Bujar Sheshi duke dalë nga seanca dëgjimore e Komisionit të Pavarur te Kualifikimit. | Foto: LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rrëzoi në seancën dëgjimore për prokurorin pranë Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda, Bujar Sheshi, disa nga gjetjet në raportin e Inspektoriatit i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI). Kjo e fundit kishte pretenduar se Sheshi kishte bërë deklarim të pasaktë për disa nga pasuritë, por hetimi i pavarur i KPK-së ka rrëzuar një pjesë të këtij raporti, duke theksuar gjatë seancës dëgjimore se deklarimet kishin qenë të sakta, ndërsa si problem për Sheshin u gjet mos deklarimi i një shpenzimi prej 180 mijë lekësh të kryer në vitin 1998.

Çështja e tij është shqyrtuar nga treshja e KPK-së kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Genta Tafa (Bungo) dhe anëtare Xhensila Pine. Në seancën e të martës Sheshi kishte zgjedhur të paraqitej vetë fizikisht, ndërsa ishte i pranishëm edhe vëzhguesi ndërkombëtar, John Leonardo.  Sheshi foli në fund të seancës dëgjimore dhe tha se ishte dakord me gjetjet e hetimit, ndërsa kërkoi të rikonfirmohej. Të pranishëm në seancën dëgjimore kanë qenë edhe prokurorë e hetues të tjerë, mes tyre edhe prokurori Kostaq Beluri, i konfirmuar në detyrë pak kohë më parë.

Prokurori Bujar Sheshi ka një karrierë të gjatë si jurist dhe përfaqësues i institucionit të akuzës në Shqipëri. Në vitet 1994-1997, ai ka punuar si avokat. Për më shumë se një dekadë mes viteve 2003-2015 ai ka punuar si prokuror i çështjeve të Gjykatën e Lartë pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ndërkohë që në janar 2015 është emëruar si prokuror pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.

Relatorja Genta Tafa (Bungo) theksoi gjatë seancës dëgjimore se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka kryer një proces të pavarur verifikimi pasi ka administruar raportet e Inspektoriatit i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikiuar (DSIK) dhe atë të Prokurorisë së Përgjitshme.

Sipas relatores së çështjes, në dosjen e dorëzuar pranë KPK nga ILDKPKI vlerësohet se deklarimi i prokurorit Sheshi nuk është i saktë dhe se ka pa përputhshmëri të deklarimeve për pasuritë dhe burimet, por se nuk ka kryer deklarim të rremë dhe nuk ka pasur konflikt interesi.

Ajo theksoi se KPK kreu një hetim të pavarur dhe analizoi dokumentacionin dhe provat e dorëzuara edhe nga subjekti, pas pyetjeve që i drejtoi atij komisioni. KPK ka konstatuar se subjekti ka qenë bashkëpunues gjatë kryerjes së hetimit.

Në lidhje me pasurinë, apartament 1+1, me sipërfaqe 59 m2, në katin e pestë të një pallati në rrugën “Qemal Guranjaku” Tiranë, të blerë më 27 korrik 1993 me çmim shitje 9060 lekë, komisioni ka konkluduar se bazuar në të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes, prokurori Sheshi ka pasur mundësi blerëse. Sipas KPK, subjekti ka qenë i saktë në deklarimin e parë të vitit 2003 për këtë pasuri.

Lidhur me dhomën shtesë të ndërtuar në vitin 1998 e të legalizuar në vitin 2015, rezulton se subjekti e ka deklaruar në vitin 2003, por nuk ka deklaruar shpenzimet. Sipas KPK, lidhur me këtë, subjekti është shprehur se në deklarimin e vitit 2003, në formularin që duhej plotësuar nuk kërkohej vlera e shpenzimeve, por vetëm pasuria. Si përfundim, komisioni ka konstatuar se nuk është deklaruar vlera fillestare e ndërtimit prej 180 mijë lekësh, por se ai nuk ka pasur detyrim ligjor për të përshkruar në formular burimin e shpenzimeve të kryera.

Lidhur me deklarimin e përfitimit të gjysmës së një banese njëkatëshe  2+1, me sipërfaqe 162 m2, nga bashkëshortja e tij me anë të trashëgimisë nga halla e saj, me vendim gjykate, komisioni ka gjetur se deklarimi ka qenë i saktë.

Ndërsa lidhur me blerjen e një autoveture tip “Volkswagen Pasat” në vitin 2002, në vlerën 7000 euro, KPK tha duke iu referuar ILDKPKI ka gjetur se në vitin 2003, subjekti vlerësimit nuk i ka deklaruar kursimet duke bërë kështu të paqartë të ardhurat për blerjen e makinës.

Por pas hetimit, komisioni ka konkluduar se nga kryerja e analizës së të ardhurave të prokurorit Sheshi dhe bashkëshortes së tij, ka rezultuar se ai ka pasur mundësi për blerjen e kësaj makine. Sipas KPK, në këtë rast, vlerësimi i ILDKPKI se nuk ka përputhje nuk është i saktë.

Komisioni ka verifikuar se në llogaritë e bashkëshortes së prokurorit gjendeshin 20 mijë e 38 dollarë, rreth 10 mijë euro dhe bono thesari me vlerë 500 mijë lekë. Sipas KPK, deklarimi i subjektit për bashkëshorten si trashëgimtare e pasurisë së 1/3 të pasurisë së gjyshit të saj ka qenë i saktë.

Përsa i përket vlerësimit të figurës, relatorja Tafa (Bungo) është shprehur se në raportin e DSIK theksohet se prokurori Bujar Sheshi nuk rezulton të ketë kontakte të papërshtatshme me persona me precedentë penalë apo anëtarë të organizatave kriminale dhe se është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës.

Komisioni shqyrtoi edhe raportin për aftësinë profesionale në të cilin thuhej se ndaj prokurorit nuk ka pasur masa disiplinore dhe as ankesa. Relatorja Tafa(Bungo) u shpreh se ndaj prokurorit Sheshi nuk ka pasur denoncime apo ankesa edhe pranë KPK-së. Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme në analizën lidhur me aftësitë profesionale ka konkluduar se, prokurori Sheshi përdor arsyetim juridik të lartë, është i detajuar, mban në vëmendje dispozitat, praktikat vendase e ato ndërkombëtare dhe se është vlerësuar shumë mirë nga prokurori i përgjithshëm për vitit 2015-2016.

Lidhur me gjetjet e KPK, prokurori Bujar Sheshi u shpreh në fund të seancës se ishte dakort me rezultatet e hetimit prej Komisionit dhe se nuk ka ndonjë vërejtje. Lidhur me mosdeklarimin e shpenzimeve për shtesën e ndërtuar në vitin 1998, ai u shpreh se i qëndron faktit se ishin formularët që nuk e kishin parashikuar një gjë të tillë. Ai kërkoi të konfirmohej në detyrë.  Vëzhguesi ndërkombëtar, John Leonardo tha se nuk kishte pyetje.