KPK shkarkoi gjyqtarin Gurali Brahimllari
Lajme

KPK shkarkoi gjyqtarin Gurali Brahimllari

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda u gjet nga KPK me mungesë të burimeve të ligjshme për të kthyer huatë dhe kryerjen e transaksioneve për pasuri të paluajtshme. Brahimllari mohoi problemet e pasurisë.

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Gurali Brahimllari, pas vendimit të shkarkimit nga KPK. Foto:BIRN

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Gurali Brahimllari u shkarkua të premten  nga Komisioni i Pavarur të Kualifikimit, KPK. Brahimllarit iu identifikuan mungesë burimesh të ligjshme në krijimin e disa pasurive, që duket se ishin edhe shkak për shkarkimin e tij, pasi ai u vlerësua pozitivisht për kriterin e figurës dhe profesionalizimin.

Trupa gjykuese e KPK-së përbëhej nga Roland Ilia kryesues, Brunilda Bekteshi relatore dhe Genta Tafa Bungo anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin.

Gjatë seancës dëgjimore Brahimllarit iu vunë në dukje disa probleme të pasurisë kryesisht mbi mosdokumentimin e plotë të të ardhurave të bashkëshortes, mungesë të burimeve të ligjshme për blerjen e disa pasurive të patundshme dhe mospërputhje në deklarime.

Komisioni po ashtu gjeti se Brahimllari nuk kishte pasur mundësi të shlyente huatë e marra me të ardhura të ligjshme dhe rezultoi me mungesë burimesh financiare për një sërë vitesh.

Gurali Brahimllari e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 si ndihmës/gjyqtar në Gjykatën e Kuçovës. Në vitet 1998-2001 ai ka kryer studimet në Shkollën e Magjistraturës dhe më pas është emëruar në Gjykatën e Fierit.

Në vitin 2003, Z.Brahimllari është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, detyrë të cilën e ka kryer deri në vitin 2014. Me dekret të presidentit të Republikës, Brahimllari u promovua në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda në vitin 2014.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *