KPK shkarkon drejtuesen e Prokurorisë së Kukësit, Alketa Nushi
Lajme

KPK shkarkon drejtuesen e Prokurorisë së Kukësit, Alketa Nushi

Pas problemeve të konstatuara në të tre kriteret e rivleresimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin e saj nga detyra.

Drejtuesja e Prokurorise se Kukesit, Alketa Nushi pas seances degjimore ne KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Drejtuesja e Prokurorisë së Kukësit, Alketa Nushi u shkarkua nga detyra të enjten për shkak të problemeve të konstatuara në të tre kriteret e vetingut. Vendimi u shpall nga trupa gjyqësore e përbërë nga Etleda Çiftja, Lulzim Hamitaj dhe Firdes Shuli.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi pasaktësi në deklarimin e pasurisë nga prokurorja Nushi, veçanërisht me disa sipërfaqe toke në Mifol të Vlorës, ku ajo zotëronte pjesë takuese. Por problemet kryesore lidhen me një raport “papërshtatshmërie” të DSIK-së si dhe standardet e ndryshme të ndjekura në hetimin e disa çështjeve nga subjekti.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK dorëzoi dy raporte për Nushin, pasi reflektoi një informacion të ri mbi një kontakt të papërshtatshëm lidhur me një person nën procedim penal. Gjatë seancës dëgjimore, Nushi tha se raporti nuk kishte të bënte me të dhe se “ndjehej e turpëruar”.

Drejtuesja e Prokurorisë së Kukësit u penalizua gjithashtu në kriterin e aftësive profesionale, pasi KPK evidentoi se ajo kishte ndjekur standard të dyfishtë në lidhje me masën e sigurisë së dy personave si dhe probleme në kualifikimin e aftësive profesionale.

Problematika të ngjashme janë konstatuar edhe në disa dosje të tjera.

Prokurorja Alketa Nushi i mbrojti hetimet e saj para KPK-së, ndërsa shtoi se gjykatat e të gjitha shkallëve kishin lënë në fuqi vendimin e pushimit të një hetimit në vitin 2017.  “Mendoj se kam kryer gjithë veprimet e mundshme hetimore,” tha ajo, duke pranuar se mund të ishte shtuar edhe akuza e prishjes së qetësisë publike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *