Gjyqtarja Maria Qirjazi pas vendimit të KPK. Foto:Vladimir Karaj
KPK Lajme Vendi

KPK shkarkon gjyqtaren Maria Qirjazi

Shkarkimi i Gjyqtares Maria Qirjazi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka reduktuar në vetëm 9 anëtare Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Gjyqtarja Maria Qirjazi pas vendimit të KPK. Foto:Vladimir Karaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të enjten shkarkimin e gjyqtares së Gjykatës së Apelit të Tiranës Maria Qirjazi. Qirjazi e cila ishte hetuar vetëm në një kriter u njoh fillimisht me refuzimin e kërkesës së saj për hapjen e hetimit në dy kriteret e tjera, ndërsa më pas trupa e kryesuar nga Genta Tafa (Bungo), me relator Roland Ilia dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin, njoftoi shkarkimin e saj nga detyra.

Vendimi i KPK e lë Gjykatën e Apelit të Tiranës vetëm me 9 anëtarë nga mbi 30 që kishte ajo para fillimit të procesit të vetingut.

Hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ndaj gjyqtares së Apelit të Tiranës, Marie Qirjazi gjeti një sërë problemesh në kriterin e pasurisë, përfshi dyshime për fshehje të pasurisë dhe shmangie nga detyrimet tatimore.

Gjatë relatimit në seancë dëgjimore u vu në dukje si i dyshimtë përfitimi i tre sipërfaqeve të ndërtimit në qytetin e Sarandës dhe transaksionet që ishin kryer mbi to, mbi të cilat bazohej kryesisht pasuria e gjyqtares dhe e bashkëshortit të saj.

Qirjazi dhe avokatja e saj kundërshtuan rezultatet e hetimit dhe përmes një kërkese paraprake kërkuan rihapje të hetimit në dy kriteret e tjera.

Maria Qirjazi ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, ku ka punuar për më shumë se një dekadë si gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Gjirokastrës. Prej vitit 2013, Qirjazi e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *