Nga një seancë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

KPK shkarkon gjyqtarin e Apelit të Durrësit, Arben Vrioni

Me probleme të pasurisë dhe një bilanc negativ prej 9.3 milionë lekësh, gjyqtari i Apelit të Durrësit, Arben Vrioni mungoi në seancën e shpalljes së vendimit të shkarkimit nga KPK.

Trupa gjykuese e KPK-së gjatë shpalljes së vendimit të shkarkimit për gjyqtarin Arben Vrioni. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtari i Apelit të Durrësit, Arben Vrioni mungoi të premten në seancën e shpalljes së vendimit, ndërkohë që trupa gjyqësore e KPK-së e lexoi verdiktin për shkarkimin e tij përballë karriges së lënë bosh nga subjekti.

Vendimi i shkarkimit u shpall nga Firdes Shuli, në praninë e relatores Pamela Qirko, anëtares  Alma Faskaj dhe vëzhguesit të ONM-së Hans Kijlstra.

Vrioni u përball me KPK-në në dy seanca dëgjimore dhe paraqiti një sërë kërkesash paraprake, përfshi edhe përjashtimin e trupës gjykuese. Megjithatë, KPK arriti të lexojë relacionin në seancën e dytë, ku evidentoi një sërë problemesh në pasurinë e gjyqtarit, përfshirë transaksione që u cilësuan të dyshimta dhe mungesë burimesh financiare për disa vite në shumë totale prej 9.3 milionë lekësh.

Nga relatimi u kuptua se Vrioni kishte probleme me një kontratë për blerjen e një apartamenti në fillim të viteve 2000, mungesë burimesh të ligjshme për një apartament të dytë, një transaksion “të dyshimtë” me baxhanakun për të paguar shkollën e vajzës në Britaninë e Madhe dhe një sërë problemesh të tjera.

Vrioni bëri një mbrojtje emocionale para KPK-së. Ai përmendi prejardhjen nga një familje e njohur shqiptare dhe tha se kishte trashëguar prona që i kishin mundësuar pasurinë, ndërsa theksoi se parardhësit e tij kishin firmosur deklaratën e pavarësisë. Ai vuri në dukje se nëna e tij kishte trashëguar pasuri dhe kishte marrë të ardhura nga kjo pasuri që i ishin dhuruar atij. Ai u bë emocional ndërsa foli për financimin e arsimit të vajzës në SHBA, ndërsa përmendi disa herë rezultatet e saj të shkëlqyera në shkollë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *