Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK shkarkon gjyqtarin e Apelit të Tiranës Fatos Qato

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Fatos Qato u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i cili pas hetimit administrativ e akuzoi atë për mungesë burimesh financiare.

Gjyqtari Fatos Qato dhe avokati i tij, Julian Mërtiri para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Fatos Qato u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të hënën, pasi  në seancë dëgjimore Komisioni ngriti dyshime për deklarime kontradiktore si dhe mungesë burimesh financiare.

Trupa gjykuese e cila drejtohej nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Suela Zhegun, vendosi shkarkimin e Qatos pas hetimit administrativ vetëm për kriterin e pasurisë. Gjatë leximit të relacionit u tha se ai kishte bërë deklarime kontradiktore, ndërsa KPK theksoi si probleme shpenzimet e kushtueshme në arredimin e shtëpisë, shkollimin e vajzave në Holandë, një trajtim mjekësor në Gjermani si dhe udhëtimet jashtë shtetit, të verifikuara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit përmes sistemit TIMS.

Gjatë konkluzioneve përfundimtare, gjyqtari Qato, i cili u mbrojt nga avokati Julian Mërtiri tha se pasuria e tij zinte më pak se 1/3 e të ardhurave dhe se gjatë jetës së tij kishte blerë vetëm një shtëpi në vitin 1997.

Gjyqtar prej më shumë se 15 vitesh në Apelin e Tiranës, Fatos Qato u përball të premten me  dyshimin se nuk kishte deklaruar shpenzime familjare, të cilat kapin vlerën e 50 mijë eurove.

Sipas KPK-së ai kishte blerë një apartament me sipërfaqe 141 metra katrorë në vitin 1997, por e ka regjistruar 20 vjet më vonë, ndërsa nuk kishte paraqitur dokumente për pagesat e këstit të tretë dhe të katërt.

Komisioni po ashtu llogariti se familja Qato ka shpenzuar 25 mijë euro për arredimin e shtëpisë si dhe 25 mijë euro të tjera për shkollimin e dy vajzave në Holandë dhe tarifën e studimit të djalit në kolegjin turk në Tiranë, duke filluar nga viti 2014 dhe sipas relatores Bekteshi ai kishte mungesë burimesh financiare në vlerën e 8.3 milionë lekëve.

Qato dhe avokati i tij Mërtiri e kundërshtuan analizën financiare të kryer nga KPK, duke pretenduar se nuk ishin llogaritur të gjitha të ardhurat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *