KPK shkarkon gjyqtarin e Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri
Lajme

KPK shkarkon gjyqtarin e Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin nga detyra të Hasnezirit, duke ndërprerë ambicien e tij për në Gjykatën Kushtetuese pas problemeve me pasurinë dhe mosdeklarimin e revokimit të një vize amerikane.

Gjyqtari Luan Hasneziri pas seances ne Komisionin e Pavarur te Kualifikimit. Foto: Edmond Hoxhaj

Beteja e gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit përfundoi mëngjesin e së mërkurës me shkarkimin e tij nga detyra. Pas dy seancave dëgjimore, trupa gjykuese e përbërë nga Suela Zhegu, Lulzim Hamitaj dhe Alma Faskaj vendosi të ndërpresë karrierën e Hasnezirit, si dhe kandidimin e tij për në Gjykatën Kushtetuese.

Luan Hasneziri e ka filluar karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1999 si gjyqtar i Gjykatës së Tiranës dhe më pas në Vlorë. Ai është emëruar gjyqtar i Krimeve të Rënda në vitin 2005, ndërkohë që vazhdon të mbajë këtë pozicion prej gati 15 vitesh.  Hasneziri është gjithashtu një nga kandidatët në garë për Gjykatën Kushtetuese. Ai ka aplikuar për një nga vendet vakante të shpallura nga Gjykata e Lartë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e hetoi Hasnezirin vetëm për dy kritere; atë të pasurisë dhe të pastërtisë së figurës. Gjyqtari e cilësoi këtë vendim si të njëanshëm dhe paragjykues dhe kërkoi përjashtimin e relatores, por procesi i vetingut vazhdoi me një seancë të dytë dëgjimore.

Një apartament i  blerë në vitin 2006 dhe i paguar me një skemë të komplikuar që përfshin hua, kredi bankare dhe një kontratë noteriale, i krijoi probleme para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjyqtarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Po ashtu problem rezultoi për të edhe mosdeklarimi në formularin për kontrollin e figurës së refuzimit të një vize për të udhëtuar në SHBA. Gjatë seancës dëgjimore u vunë në dukje edhe pasaktësi në deklarimet periodike të gjyqtarit dhe mungesë të ardhurash për dy vite.

Atij po ashtu iu vu në dukje fakti që vëllai i cili i kishte dhënë huanë në vitin 2007 nuk kishte burime të ligjshme për shumën e huazuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *