KPK shkarkon kryetaren e Gjykatës Administrative Shkodër

Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi të enjten nga detyra kryetaren e Gjykatës Administrative Shkodër, Valbona Durraj.  

Kryetarja e Gjykatës Administriave Shkodër, Valbona Durraj gjatë një seance të KPK-së mër 03.07.2019 | Foto nga : Edmodn Hoxhaj

Trupa gjykuese e KPK që përbëhej nga Xhensila Pine kryesuese, Suela Zhegu relatore dhe Olsi Komici anëtar shpalli të enjten vendimin për shkarkimin nga detyra të gjykatëses Valbona Durraj.

Durraj u vlerësuar nga KPK vetëm për një nga tre kriteret e procesit të rivlerësimit, kriterin e pasurisë. Gjyqtarja e kundërshtoi zgjedhjen e KPK-së për ta vlerësuar vetëm për kriterin e pasurisë, por kërkesa e saj u hodh poshtë me vendim të ndërmjetëm.

Valbona Durraj e ka nisur karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1998. Për më shumë se një dekadë, ajo ka punuar në gjykatën e shkallës së parë të Shkodrës, ndërkohë që në vitin 2013 ajo u dekretua gjyqtare në Gjykatën Administrative të Shkodrës.

Gjatë seancës dëgjimore të mbajtur të mërkurën, relatorja e KPK-së Suela Zhegu ngriti një numër pikëpyetjesh mbi burimet financiare që kishin shërbyer për pasurinë e gjyqtares nga Shkodra.

Gjithashtu KPK ngriti dyshime se gjyqtarja mund të ketë bërë vepra penale, përfshirë evazion fiskal dhe ndërtim të paligjshëm.

Durraj i hodhi poshtë akuzat dhe kërkoj konfirmimin në detyrë. Megjithatë, me vendimin e shpallur të enjten është e qartë që kërkesa e subjektit ka rënë në vesh të shurdhët.