KPK shkarkon nga detyra drejtuesin e Prokurorisë së Apelit Gjirokastër, Alfred Agolli

Lajme
Megjithëse KPK përmbysi raportin e DSIK-së qe e vlerësonte prokurorin Alfred Agolli si të papërshtatshëm, subjekti i rivlerësimit është shkarkuar nga detyra për problemet me pasurinë.

Kreu i Prokurorisë së Apelit të Gjirokastrës, Alfred Agolli, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto : LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të hënën vendimin për shkarkimin nga detyra të drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Gjirokastër, Alfred Agolli. Treshja gjykuese e KPK-së e përbërë nga Etleda Çiftja kryesuese, Roland Ilia Relator dhe Olsi Komici anëtar, kanë vendosur në unanimitet shkarkimin e prokurorit Agolli i cili u vlerësua në të tri kriteret.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të enjten më datë 4 korrik 2019, KPK i vuri në dukje Agollit problemet e gjetura sa i përket pasurisë së tij të vetme; një apartament 68.5 metra i blerë në vitin 2007 në Gjirokastër. Sipas KPK-së për këtë pasuri ishin përdorur dy hua dhe se për të parën në vlerë 3 milionë lekë nuk ishte deklaruar dhe nuk kishte për të informacion provues. Agolli i kundërshtoi gjetjet e KPK-së sa i përket pasurisë dhe shpjegoi mënyrën se si ishin kryer transaksionet, por ai pranoi se nuk e  kishte deklaruar dhe se nuk kishte dokumentacion provues për huanë e parë.

Ndërkohë, KPK rrëzoi raportin e dytë të Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar, DSIK ku prokurori Agolli cilësohej si i papërshtatshëm për të vazhduar detyrën. Gjatë seancës dëgjimore, relatori Ilia vuri në dukje se kishte pasur dy raporte nga DSIK. Raporti i parë ishte pozitiv, por në të dytin të lëshuar në pranverë të këtij viti, DSIK e vlerësonte “të papërshtatshëm” prokurorin Agolli. Relatori Roland Ilia theksoi se nga hetimet e KPK-së, ky raport i dytë ishte gjetur i pambështetur në prova. Ndërkohë, Komisioni ngriti pikëpyetje mbi kriterin e profesionalizimit lidhur me disa vendime pushimi dhe mosnjoftim të palëve.

Alfred Agolli e ka nisur karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1998 dhe ka ushtruar funksionin fillimisht në prokuroritë e Gjirokastrës. Në vitin 2008, Agolli është emëruar drejtues i Prokurorisë së Sarandës ndërsa në vitin 2013 është promovuar drejtues i Prokurorisë së Apelit të Gjirokastrës.