KPK shkarkon nga detyra gjyqtaren Manjola Bejleri

Lajme
Komisioni vendosi me shumicë votash të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Tiranës, Manjola Bejleri për problemet në kriterin e pasurisë.

Gjyqtarja Manjola Bejleri pas vendimit të shkarkimit nga KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të mërkurën vendimin e shkarkimit nga detyra të gjyqtares së Tiranës, Manjola Bejleri. Shkarkimi i Bejlerit u vendos me shumicë votash nga trupi gjykues i KPK-së, i kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Olsi Komicin.

Gjyqtarja Manjola Bejleri u përball të hënën më 18 tetor me gjetjet e KPK dhe dha shpjegime të detajuara për balancat negative për pasurinë dhe për dyshimet për fshehjen e një mjeti në emër të vëllait, të cilat i kundërshtoi. Bejleri u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërkohë që dha shpjegime për një pjesë të 30 denoncimeve nga publiku, megjithëse prej Komisionit nuk u relatuan konstatimet e këtyre gjetjeve.

Manjola Bejleri e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punoi prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës. Ajo ka qenë gjithashtu kryetare e shoqatës së gjyqtarëve.