Gjyqtari Arjan Balliu
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Vendi

KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin Arjan Balliu

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të hënën në mëngjes masën administrative për gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Durrës, Arjan Balliu.

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Durrës, Arjan Balliu gjatë një seance të Komisionit të Pavarur te Kualifikimit | Foto : LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të hënën një vendimin negativ për gjyqtarin e Apelit Durrës, Arjan Balliu, pas procesit të rivlerësimit kalimtarë, i njohur gjerësisht si vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarit Arjan Balliu është realizuar vetëm për kriterin e pasurisë. Trupa gjykuese përbëhej nga Xhensila Pine kryesuese, Roland Ilia relator dhe Valbona Sanxhaktari anëtare.

Arjan Balliu e ka filluar karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1993 dhe ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës deri në vitin 2000. Më pas, zoti Balliu ka punuar si drejtor i Lojërave të Fatit në Ministrinë e Financave. Nga viti 2004 Balliu ka ushtruar profesionin e avokatit, ndërsa në vitin 2009 është emëruar inspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ai është rikthyer në sistemin gjyqësor në vitin 2013 si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Durrësit.

Procesi i rivlerësimit të gjyqtarit Balliut, u shënua nga një raport negativ i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave, ILDKPKI, i cili  u gjet i bazuar në pjesën më të madhe edhe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Gjyqtarit iu vu në dukje se ILDKPKI e kishte gjetur atë në dy raste konflikti interesi, po ashtu për disa pasuri të tij ishin konstatuar fshehje dhe mosdeklarime, ndërsa në disa raste edhe deklarimi i rremë në deklaratat vjetore ose atë për llogari të vetingut. Relatori tha se gjetjet e Inspektoratit kishin qëndruar edhe gjatë hetimit të Komisionit. Ilia vuri në dukje se nga analiza financiare Balliu kishte rezultuar me bilanc negativ prej 11.7 milion lekësh.

Balliu kundërshtoi gjetjet dhe fajësoi ILDKPKI se kishte hetuar më herët dhe nuk i kishte vënë në dukje asnjë problem. Ai iu referua disa herë paqartësive në ligjin për deklarimin e pasurisë dhe kundërshtoi akuzën se ishte në konflikt interesi.

Gjatë relatimit po ashtu u përmendën gjetje që kishin të bënin me bashkëshorten e subjektit Rezarta Balliu (Vigani), po ashtu gjyqtare. KPK vuri në dukje mosdeklarimin nga ajo e një apartamenti të blerë nga Balliu në kohën kur ishte avokat në vitin 2007.

Balliu kundërshtoi në seancë edhe gjetjet që dukej se ngarkonin bashkëshorten e tij me probleme. Një kërkesë nga Balliu për përjashtimin e relatorit të çështjes rezultoi e pasuksesshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *