Gjyqtari Bib Ndreca në KPK pas shpalljes së vendimit | Foto nga : Edmond Hoxha
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Në Fokus

KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin Bib Ndreca

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi probleme në kriterin e pasurisë. Për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin gjyqtari i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Bib Ndreca u vlerësua pozitivisht.

Gjyqtari Bib Ndreca në KPK pas shpalljes së vendimit | Foto nga : Edmond Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të hënën më 18 janar vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Posaçme, Bib Ndreca.

Trupa gjykuese që kreu procesin e rivlerësimit për gjyqtarin Ndreca kryesohej nga Xhensila Pine, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Etleda Çiftjan.

Seanca e parë ndaj Ndrecës u zhvillua më 26 shkurt 2020, por u ndërpre në pak minuta, pasi ai kërkoi rihapje të hetimit në dy kriteret e tjera, atë të  pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Pas pranimit të rihapjes së hetimit, KPK zhvilloi një seancë të dytë dëgjimore në 15 shtator 2020. Shpallja e vendimit në 18 shtator u shty pas një denoncimi që solli rihapjen e hetimit. Në seancën e 14 janarit, Komisioni bëri me dije se nga hetimi i ri nuk ishte gjetur asnjë problem.

Në seancën e mëparshme më 15 shtator, relatorja Qirko vuri në dukje se Ndrecës i ishte kaluar barrë prove mbi disa çështje që lidheshin me pasurinë. Një makinë e dhuruar nga vëllai me vlerë 12 mijë euro, ngriti sipas KPK-së dyshime, pasi Ndreca sapo kishte filluar punë.

Po ashtu, KPK evidentoi se, sipas sistemit TIMS, një person me të cilin ishte lidhur kontratën për një apartament me vlerë 40 mijë euro, nuk kishte qenë në Shqipëri ditën e nënshkrimit. Barrë prove ju kalua edhe lidhur me pasurinë e vëllezërve që i kishin dhënë hua dhe dhurata.

Gjyqtari Bib Ndreca i kundërshtoi gjetjet e Komisionit për kriterin e pasurisë dhe pretendoi se mund të provonte të kundërtën me dokumentet dhe shpjegimet që kishte dorëzuar.

Ndreca u vlerësua pozitivisht në dy kriteret e tjera, atë të profesionalizmit dhe të pastërtisë së figurës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *