Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK shkarkon nga detyra kandidaten për magjistrate, Ana Golloshi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimi shpalli të mërkurën vendimin për shkarkimin e kandidates për magjistrate Ana Golloshi, të cilës në seancë dëgjimore iu gjetën probleme me pasurinë.

Këshilltarja ligjore Ana Golloshi gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të kualifikimit, KPK, në 12.02.2019 | Foto : LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimi shpalli të mërkurën vendimin për shkarkimin e kandidates për magjistrate Ana Golloshi. Treshja gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e përbërë nga Etleda Çiftja, Firdes Shuli dhe Pamela Qirko, bënë të ditur se pas kryerjes së një hetimi të thelluar për të tri kriteret, vendosën shkarkimin nga detyra të ndihmëses ligjore pranë gjykatës Administrative të Apelit, Ana Golloshi.

Gjatë seancës dëgjimore, komisioni konstatoi se Golloshi nuk ka treguar nivel të lartë bashkëpunimi gjatë procesit të hetimit administrativ, pasi nuk i ka depozituar në kohë dokumentet – një pjesë të të cilave duhej t’i siguronte në shtetin grek. Procesi i rivlerësimit për Golloshin është kryer për të tre kriteret, pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, ka raportuar pranë komisionit se këshilltarja ligjore Ana Golloshi ka kryer deklarim jo të saktë, nuk ka pasur burime të ligjshme pasurie, ka kryer deklarim të rremë, nuk ka kryer fshehje pasurie dhe nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit.

KPK konstatoi mungesë të burimeve financiare të ligjshme për disa pasuri të patundshme dhe një makinë, për të cilat Golloshi ka deklaruar se kishin si burim financiar të ardhura të siguruara në emigracion, para se ajo të niste detyrën që ushtron. Pikëpyetje u ngritën edhe lidhur me transferimin e parave nga Greqia, por këshilltarja ligjore pretendoi se paratë ishin transferuar ndër vite në sasi të vogla. Nga ana e saj, Golloshi deklaroi se hetimi i kryer nga KPK nuk ka qenë i plotë dhe se nuk janë marrë parasysh të gjitha provat.

Lidhur me pastërtinë e figurës, DSIK e kishte konsideruar si të përshtatshme për vazhdimin e detyrës, ndërsa Shkolla e Magjistraturës ka raportuar se Golloshi kishte arritur të siguronte të paktën 60% të pikëve në testime. Ndaj saj nuk ka rezultuar të ketë pasur ndonjë denoncim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *