KPK shkarkon nga detyra prokuroren e Përmetit, Silvana Pani

Lajme
Komisioni gjeti probleme të shumta me pasurinë dhe pamundësi financiare në vlera të mëdha. Gjithashtu, u identifikua edhe gjendja e prokurores Pani në kushtet e konfliktit të interesit në nënshkrimin e disa kontratave për blerje karburanti me shoqërinë në pronësi të vëllait të bashkëshortit.

Prokurorja Silvana Pani pas vendimit të shkarkimit nga KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi tw hwnwn shkarkimin nga detyra të prokurores së Përmetit, Silvana Pani. Procesi i rivlerësimit për prokuroren Pani u krye nga trupi gjykues i përbërë nga Roland Ilia kryesues, Firdes Shuli relatore dhe Etleda Çiftja anëtare.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të enjten më 1 tetor, Silvana Pani u përball me probleme të shumta të pasurisë dhe një rast të dyshuar të konfliktit të interesit.

Në seancë u përmendën një sërë problemesh për blerjen e një apartamenti në Përmet në vitin 2015 kundrejt vlerës 27 mijë euro si, pamundësi financiare; mospërputhje të çmimit të blerjes në kontratën e porositjes me atë të shitblerjes si dhe të deklarimeve për pagesën e kësteve.

Mungesë burimesh u konstatua edhe për blerjen e një autoveture dhe për shtesat në një depozitë të çelur në vitin 2003. Nga analiza financiare rezultoi mungesw burimesh financiare nw vlerwn e 11.8 milionw lekwve.

Komisioni ngriti dyshime për konflikt interesi në tri procedura prokurorimi për furnizim me karburant të kryera nga Prokuroria e Përmetit, kur Pani, në cilësinë e drejtueses ka nënshkruar pagesat në favor të shoqërisë së vëllait të bashkëshortit të saj. Nga hetimi i KPK është zbuluar se prokurorja Pani dhe bashkëshorti i saj ishin pajisur me prokurorë të posaçme për kryerjen e veprimeve për llogari të kësaj shoqërie.

Pani e konsideroi të padrejtë analizën financiare dhe pretendoi se të gjitha të ardhurat e familjes së saj ishin të ligjshme dhe se mbulonin shpenzimet e kryera për periudhën 2003-2016. Lidhur me gjendjen në kushtet e konfliktit të intresit, ajo shpjegoi se i kishte nënshkruar kontratat për arsye objektive dhe u justifikua se nuk kishte të tjera subjekte që operonin në qytetin e Përmetit veç asaj të kunatit dhe djalit të dajës së tij.

Ndërkohë, ajo pranoi se kishte qenë neglizhente në plotësimin e deklaratave periodike.