Genci Qana perballë KPK
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Vendi

KPK shkarkon nga detyra prokurorin Genci Qana

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi mungesë burimesh të ligjshme dhe ngriti dyshime për disa çështje që kishte hetuar prokurori i Tiranës, Genci Qana.

Genci Qana perballë KPK | Foto : Edmond Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK njoftoi të mërkurën vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Prokurorisë së Tiranës, Genci Qana.

Gjatë seancës dëgjimore më 9 mars, Qana u përball me dyshime mbi burimin e ligjshëm për disa prej pasurive të tij dhe denoncime për çështjet që kishte hetuar, përfshi pushimin e hetimeve për një aksident me vdekje në punë.

Sipas analizës financiare, ai rezultonte me një bilanc negativ me 1.4 milionë lekë për periudhën deri në vitin 2003 dhe me mbi 2 milionë lekë nga viti 2003 deri në vitin 2016.

Qana tha se kishte “konsideratë të lartë për procesin”. Ai pretendoi se bilancet negative  vinin për shkak të disa llogaritjeve të gabuara nga KPK dhe kërkoi konsiderimin si të ligjshme të huasë dhe të ardhurave të bashkëshortes, ndërsa kërkoi konfirmimin në detyrë.

Procesi i vetingut për prokurorin Genci Qana u krye nga trupi gjykues i kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me anëtare Etleda Çiftjan dhe relatore Xhensila Pinen.

Gjatë seancës të mërkurën, kryesuesja Sanxhaktari shpjegoi se shpallja e vendimit ishte shtyrë për shkak të një denoncimi të ri. Ajo shtoi se nga verifikimi i këtij denoncimi nuk ishin gjetur elementë për riçeljen e hetimit.

Genci Qana e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitet ’90. Ai ka punuar si prokuror i Prokurorisë së Krimeve të Rënda në vitet 2003-2007 dhe prokuror i Prokurorisë së Tiranës në vitet 2008-2020.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *