KPK shkarkon prokurorin Agim Dalipaj

Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi vendimin për shkarkimin e prokurorit të Tropojës Agim Dalipaj, pasi iu gjetën probleme të pasurisë dhe profesionalizmit.

Prokurori Agim Dalipaj pas seancës dëgjimore me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të enjten vendimin për shkarkimin e prokurorit të Tropojës Agim Dalipaj, të cilit gjatë seancës dëgjimore iu gjetën probleme në kriterin e pasurisë dhe atë të profesionalizmit.

Trupi gjykuese e drejtuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Genta Tafa Bungon dhe anëtare Alma Faskajn, njoftoi vendimin në prezencë të Dalipaj.

Prokurori i Prokurorisë së Tropojës, Agim Dalipaj u përball më 15 qershor me një sërë pikëpyetjesh mbi probleme të pasurisë, mungesë të burimeve, dyshime për konflikt interesi dhe se kishte pushuar pa hetuar plotësisht disa dosje aksidentesh në punë.

KPK ngriti dyshime se Dalipaj kishte përfituar një apartament nga një prej personave që ai kishte hetuar. Dalipaj i mohoi akuzat.

Agim Dalipaj e ka filluar karrierën në vitin 1992 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë si prokuror i Prokurorisë së Lezhës. Prej vitit 2015, ai ushtron funksionin si prokuror i emëruar në Tropojë.