Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK shkarkon prokurorin Arqilea Koça

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Arqilea Koça u shkarkua nga Komisionin e Pavarur të Kualifikimit pas pikëpyetjeve rreth një kredie të butë. Pasuria e Koças ishte cilësuar në tërësi e ligjshme.

Arqilea Koça, pas vendimit të KPK që e shkarkoi nga detyra e prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme. Foto:BIRN

KPK njoftoi të premten se kishte vendosur shkarkimin e prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme Arqilea Koça. Vendimi i KPK-së u njoftua në një sallë thuajse të zbrazët, ndërsa Koça nuk reagoi pas tij.

Trupa gjykuese, e cila hetoi rastin e Arqilea Koças kryesohej nga  Etleda Çiftja, me anëtar Roland Ilia dhe relatore Firdes Shuli, rivlerësoi atë në  të tre kriteret e vetingut. Gjatë seancës dëgjimore u tha se ndaj prokurorit nuk kishte pasur asnjë denoncim nga publiku dhe se pasuria e tij në tërësi ishte gjetur e ligjshme.

KPK vuri në dukje si problem përfitimin e një kredie të butë si i pastrehë e marrë në vitin 2000 vetëm katër muaj para se përmes një procesi privatizimi të përfitonte pjesë në një godinë të një ish-ndërmarrje në Korçë.

Koças, të cilit Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, njoftoi se nuk i kishte gjetur probleme as në kriterin e aftësive profesionale dhe as në atë të pastërtisë së figurës, iu kërkua të jepte shpjegime rreth kredisë 5 milion lekë.

Në fjalën e tij gjatë seancës disa ditë më parë ai kërkoi të konfirmohej, duke thënë se vlerësonte hetimin e thelluar që i ishte bërë dhe kryesisht qëndrimin e KPK-së për sa i përket integritetit dhe profesionalizmit. Ai u përpoq të shpjegonte arsyet pse nuk kishte hequr dorë nga privatizimi i një banese në Korçë në kohën që kishte marrë kredinë e butë në Tiranë dhe po ashtu edhe të sqaronte situatën e tij ekonomike në ato vite.

Arqilea Koça e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në Shqipëri në vitet ’90. Ai punon prej 15 vitesh në Prokurorinë e Përgjithshme, ku ka mbajtur edhe postet drejtuese të luftës kundër krimit të organizuar, drejtorisë së hetimit dhe të ndjekjes penale dhe së fundmi drejton zyrën e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë.

Paralelisht me detyrën si prokuror, Koça ka qenë edhe pedagog i Jashtëm në Shkollën e Magjistraturës si dhe anëtar për tre vite i Këshillit të Prokurorisë. Në vitin 2017, ai kandidoi për t’u zgjedhur Prokuror i Përgjithshëm i Përkohshëm, post i cili u fitua nga Arta Marku.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *