Lajme

KPK shqyrton çështjen e inspektores së KLGJ-së Zhaneta Pira

Pasja apo jo e statusit të magjistratit prej inspektores së Këshillit të Lartë Gjyqësor Zhaneta Pira u debatua të mërkurën në seancën dëgjimore në procesin e rivlerësimit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Siç doli në seancë vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit ishin shprehur paraprakisht me mendimin, se Pira, e cila kishte punuar 9 vite su gjyqtare dhe 19 vite të tjera si inspektore në Ministrinë e Drejtësisë, ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe tani në KLGJ, nuk ishte subjekt rivlerësimi. Vëzhguesit po ashtu shpreheshin në mëndim se në rast se KPK e merrte në shqyrtim çështjen Pira duhej të shkarkohej pasi nuk plotësonte kriteret ligjore për tu konfirmuar.

Pavarësisht këtij opinioni trupa e përbërë prej Pamela Qirkos kryesuese, Valbona Sanxhaktari relatore dhe Alma Faskaj anëtare mori në shqyrtim rastin e Pirës.

Kjo e fundit këmbënguli në seancë se gëzonte statusin e magjistrates dhe se pavarësisht shkëputjes së gjatë duhej të konfirmohej nga KPK. Pira tha se ajo kishte kërkuar të kthehej në sistemin gjyqësorë, por Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk e kishte bërë këtë edhe pas kërkesave të saj.

Debati për statusin

Relatorja e çështjes Valbona Sanxhaktari tha ndër të tjera se Pira rezultonte pa status magjistrati dhe se për shkak se nuk i ishte nënshtruar testimit nga Shkolla e Magjistraturës KPK nuk mund të përfundonte rivlerësimin profesional të saj.

Sanxhaktari tha se në fund të procesit pas shqyrtimit të dokumentacioneve, kontrolli profesional konsiderohej i kryer në masën 50 për qind.

Relatorja tha se rasti ishte kompleks, ndërsa vuri në dukje se Pira kishte mbajtur detyrë jashtë sistemit gjyqësor për një periudhë më të gjatë se tre vjet dhe se kjo bënte që ajo të mos e kishte më statusin.

Pira nga ana e saj këmbënguli për të kundërtën. Ajo tha se bazuar në legjislacion nuk e kishte humbur statusin dhe se faji që nuk ishte emëruar i mbetej ish Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ajo tha se statusi i saj ishte konfirmuar edhe nga një vendim i KLGJ-së i vitit 2019.

Pyetjes së Sanxhaktarit nëse ajo kishte kërkuar të kthehej në Gjykatën e Dibrës, vendin e punës që kishte pasur para emërimit si inspektore, Pira tha se në atë gjykatë nuk kishte pasur vende vakante. Nga shkëmbimi mes saj dhe relatores rezultoi se inspektorja e KLGJ kishte kërkuar emërim në gjykata të apelit. Ajo këmbënguli se vetëm këto vende kishin qenë të lira edhe pas pyetjeve të përsëritura të Sanxhaktari se pse nuk kishte aplikuar në vende të tjera.

Ndërkohë Sanxhaktari vuri në dukje se ish-kryetari i KLD kishte kërkuar shkarkimin e Pirës. Nga sa u tha në seancë inspektores i ishte kërkuar që të hetonte një rast që përfshinte Gjyqtarë të Apelit të Krimeve të Rënda, por ajo kishte kërkuar dorëheqjen nga çështja. KLD kishte rrëzuar kërkesën për dorëheqje, por edhe pas kësaj Pira nuk kishte kryer asnjë veprim.

Pira në seancë këmbënguli se kishte bërë detyrën e inspektores me përkushtim. Ajo tha se ishte përballur me një sistem drejtësie të korruptuar dhe se ishte përpjekur t’i mbante përgjegjës gjyqtarët me probleme dhe këtë e kishte bërë edhe pa mbështetjen e eprorëve të saj.

Kriteri i pasurisë dhe figura

Në seancë relatorja Sanxhaktari tha se inspektores i ishte gjetur një rast mos deklarimi i  pasurisë dhe ishin ngritur dyshime për veprime fiktive. Sipas Sanxhaktarit një apartament i blerë në vitin 2006 ishte deklaruar i blerë për 3.5 milion lekë, por në kontratë kishte çmimin 1.9 milion ndërsa vlera e tregut sipas Entit Kombëtar të Banesave ishte 5 milion.

Relatorja tha se Pira kishte shpjeguar se çmimi i ulët në kontratë ishte vënë me kërkesë të shitësit për të ulur detyrimet e tij tatimore. Sanxhaktari tha se Pirës i ishin kërkuar shpjegime për këtë veprim dhe dyshimet se bëhej fjalë për veprime fiktive me qëllim shmangien e pagesës së tatimit.

Inspektorja nuk e përmendi pasurinë në shpjegimet e saj. E pyetur nga Sanxhaktari ajo këmbënguli se kishte paguar 3.5 milion lekë, por pranoi se nuk kishte asnjë provë tjetër për pagesën e këtij çmimi veç deklarimit vjetorë.

Pirës po ashtu i ishte kaluar barrë prove në lidhje me mos deklarimin e shpenzimeve të bëra për blerjen e një apartamenti në emër të djalit të saj. Në diskutim me Sanxhaktarin inspektorja tha se ajo i kishte kërkuar të birit të deklaronte këto shpenzime, por tha se nuk e kishte kontrolluar këtë.

Pira nuk kishte probleme të figurës. Ndaj saj kishte vetëm një denoncim që dilte jashtë periudhës së rivlerësimit. Vendimi për të do të jepet të premten në orën 9.45.