KPK thërret një tjetër seancë për prokurorin Moisi Duda

Lajme
Gjatë seancës së caktuar të mërkurën për shpalljen e vendimit për prokurorin e Apelit të Durrësit, Komisioni njoftoi rihapjen e hetimit dhe zhvillimin e një seance tjetër dëgjimore, kur subjekti do të pytet lidhur me disa konstatime.

Avokati i prokurorit Moisi Duda në sallën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto” Edmond Hoxhaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të mërkurën, më 24 qershor, rihapjen e hetimit administrativ për prokurorin e Apelit të Durrësit, Moisi Duda. Kryesuesi i trupit gjykuese të KPK, Olsi Komici tha se subjekti është thirrur në një seancë tjetër dëgjimore më 2 korrik, ora 10:15, lidhur me disa konstatime të evidentuara nga hetimi i deritanishëm.

Prokurori Moisi Duda mungoi në seancën e parë dëgjimore, ku u përfaqësua nga avokati Koçi Mato. Procesi i vetingut për të është mbyllur vetëm mbi kriterin e pasurisë. Gjatë seancës dëgjimore Komisioni evidentoi probleme me blerjen e një apartamenti në Lushnjë si dhe balanca negative për disa vite.

Në përfundim të seancës dëgjimore, avokati Mato e cilësoi hetimin objektiv dhe shtoi se gabimet në administratimin e pronave dhe deklarimin e të ardhurave kanë ndodhur për mosnjohjen e ligjit.

Trupa gjyqësore që po kryen rivlerësimin për prokurorin Duda përbëhet nga Olsi Komici kryesues, Xhensila Pine relatore dhe Brunilda Bekteshi anëtare.