Gjyqtari i Elbasanit, Tomorr Kullolli pas seancës së parë në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

KPK: Tomorr Kullolli, me mungesa të mëdha burimesh dhe në konflikt interesi

Pas një serie kërkesash në KLGJ dhe përpjekjes për të pezulluar procesin, gjyqtari Tomorr Kullolli u përball me dhjetëra milionë lekë mungesë financiare për çdo pasuri nën pronësi si dhe me akuza për konflikt interesi. KPK caktoi një seancë të dytë për t’i dhënë gjyqtarit mundësinë për t’u dëgjuar.

Gjyqtari i Elbasanit, Tomorr Kullolli pas seancës së parë në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Kërkesat e njëpasnjëshme të gjyqtarit të Gjykatës së Elbasanit, Tomorr Kullolli në Këshillin e Lartë Gjyqësor për dorëheqje nga statusi i magjistratit e më pas për dalje në pension, si dhe ato të depozituara në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK për pezullimin e procesit, nuk e shmangën dot subjektin nga seanca dëgjimore publike, që u zhvillua e pjesshme të mërkurën.

Në fillim të seancës, kryesuesja e trupit gjykues, Valbona Sanxhaktari theksoi se gjyqtari Kullolli nuk ka qenë bashkëpunues gjatë hetimit administrativ të zhvilluar në kuadër të procesit të rivlerësimit. Sipas Sanxhaktarit, Kullolli ka refuzuar deri tani të marrë në dorëzim aktet për rezultatet e hetimit administrativ dhe nuk ka dhënë shpjegime.

Ndërkohë, kryesuesja Sanxhaktari në fillim të seancës dhe relatori i çështjes Lulzim Hamitaj në fund të relatimit, renditën veprimet e subjektit që kishin sjellë vonesë për zhvillimin e seancës dëgjimore.

Sipas Sanxhaktarit, edhe pse më 25 shkurt 2021 subjektit i është bërë me dije se ka përfunduar procedura e hetimit paraprak dhe i janë njoftuar rezultatet e hetimit, ai nuk ka paraqitur asnjë shpjegim.

Ajo vijoi se subjekti, nëpërmjet email-it ka njoftuar Komisionin se kishte dorëzuar në KLGj dorëheqje të parevokueshme nga statusi i magjistratit. Më pas ka njoftuar se kishte kryer një kërkesë të dytë në KLGJ për tërheqjen e dorëheqjes së parevokueshme dhe KPK i ka lënë afat për të dhënë shpjegime deri më datë 21 maj.

Por subjekti i rivlerësimi ka njoftuar se kishte depozituar një kërkesë të tretë në KLGj, në këtë rast për dalje në pension të parakohshëm. Ai i ka kërkuar Komisionit që të pezullohej procesi deri në vendimarrjen e KLGJ-së.

Sanxhaktari sqaroi se i ishte bërë me dije subjektit se proceset ishin të pavarura dhe se kërkesa e tij ishte rrëzuar. Kryesuesja e trupit gjykues e pyeti të mërkurën Kullollin se përse nuk e kishte marrë dosjen.

Gjyqtari Kullolli deklaroi se kishte qenë i detyruar të dorëzonte dorëheqjen për shkak të kërkesës për pension të parakohshëm.

“Kërkoj shtyrje se nuk jam përgatitur dhe do të marr avokat,” pohoi ai.

Pasi nuk mori përgjigje nga subjekti për pyetjen që i drejtoi, Sanxhaktari ritheksoi se përse nuk i kishte marrë dokumentet dhe nëse kishte apo jo interes pë t’u dhënë përgjigje rezultateve.

Kullolli tha se po priste vendimarjen e KLGj-së dhe kërkoi sërish shtyrjen e seancës me justifikimin se mbrojtja e tij do të paraqitej nga një avokat.

Trupa u tërhoq dhe vendosi të vazhdojë seancën, ku u paraqitën rezultatet e hetimit administrativ të KPK-së, ndërkohë që subjektit iu dha kohë për të përgatitur mbrojtjen deri më datë 7 qershor.

Tomorr Kullolli e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Elbasan. Në vitin 2019, Policia e Shtetit e denoncoi publikisht Kullollin për vendimin e pushimit të çështjes penale dhe të lirimit nga burgu të Florenc Çapjes, një person me precedentë penale që akuzohej nga Prokuroria për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Hetimi administrativ i KPK-së për Kullollin është përfunduar vetëm për kriterin e pasurisë.

Problemet me pasurinë

Në seancë u evidentuan mungesa financiare në vlera të mëdha për krijimin e pasurive që zotëron familja e gjyqtarit Kullolli si dhe për shpenzimet e tjera. Gjithashtu u konstatua konflikt interesi në zotërimin e aksioneve në dy shoqëri, ndërkohë që ushtronte funksionin e gjyqtarit si dhe në gjykimin e një çështje ku rezultonte palë një i afërm i tij.

Pamundësi financiare u konstatuan për të gjitha pasuritë e paluajtshme, një shtëpi dy katëshe + truall dhe një apartament në Elbasan; si dhe për një apartament tjetër në Tiranë.

Sipas relatorit Hamitaj, Kullolli kishte mungesë financiare në shumën 1.5 milionë lekë për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 65.7 m2 në Elbasan në vitin 2004 dhe me vlerë 1.9 milionë lekë. Gjithashtu, është konstatuar se vlera reale e kësaj pasurie në momentin e blerjes ka qenë në shumën 3.3 milionë lekë.

Për blerjen e shtëpisë dy katëshe me sipërfaqe ndërtimore 88 m2 dhe truall 255 m2 në vitin 2006, subjekti ka deklaruar kredi dhe huamarrje nga pesë persona në shumën totale 6 milionë lekë dhe 5000 euro.

Sipas Hamitajt, subjekti ka deklaruar se huadhënësit i kanë përfituar të ardhurat nga puna në emigracion dhe nga aktiviteti privat, por nuk ka dorëzuar dokumente. Kullolli ka pretenduar se nuk ka nënshkruar kontrata për huamarrjet, pasi kanë qenë persona të afërm.

Nga analiza financiare për vitin 2006 ka rezultuar balancë negative në shumën 6.7 milionë lekë.

Edhe për apartamentin e blerë në Tiranë në vendin e quajtur “Kodra e Diellit” në vitin 2014 për çmimin 69 mijë e 732 euro, është konstatuar pamundësi financiare. Për pagesën e këstit të parë ka rezultuar balancë negative në shumën 7.5 milionë lekë, ndërsa për të dytin 1 milion lekë.

Hamitaj evidentoi se subjekti nuk ka deklaruar në 2011-ën porositjen e kësaj pasurie si dhe ka rezultuar një diferencë e pajisutifikuar nga çmimi i kontratës fillestare në 975 euro për m2, në atë të vitit 2014 në shumën 570 euro për m2.

Hamitaj tha se subjekti rezulton të ketë qenë në konflikt interesi pasi ka zotëruar aksione në dy shoqëri deri në vitin 2015 edhe pse ishte gjyqtar. Ndërkohë, ka rezultuar se një prej shoqërive ka përfituar edhe para publike.

Sipas Komisionit, në analizën financiare nuk janë përfshirë të ardhurat e siguruara si aksioner në dy shoqëritë, pasi nuk është provuar ligjshmëria e investimit të kryer në vitin 1996. Gjithashtu, nuk janë konsideruar të ardhurat e siguruara nga shitja e një pjese të aksioneve pasi nuk janë paguar detyrimet tatimore.

Nga verifikimi i dy pasurive tokë arë dhe ullishte të përfituara me trashëgimi, Komisioni ka konstatuar se është aplikuar për të përfituar subvencion nga shteti për kryerjen e investimeve në bujqësi. Hamitaj tha Kullolli ka deklaruar në fillim të hetimit administrativ se nuk është përfituar subvencionimi.

Sipas relatorit, është identifikuar se një i afërm që mban të njëjtin mbiemër me gjyqtarin, bashkëpronar në këto prona, ka qenë palë ndërgjyqëse në një çështje të shqyrtuar nga Kullolli.

“Duket se subjekti i rivlerësimit ka dështuar të shpjegojë shkallën e largët familjare me këtë person që të të mund të përjashtohej konflikti i interesit,” pohoi Hamitaj.

Pamundësi financiare në shumën 171 mijë lekë është gjetur edhe në blerjen e një autoveture tip Benz nga bashkëshortja.

Po ashtu, Komisioni konstaton se babai i gjyqtarit Kullolli ka qenë në pamundësi financiare për dhurimin e një shume 9.3 milionë lekë subjektit të rivlerësimit në vitin 2012. Nga hetimi ka rezultuar se subjekti ka deklaruar edhe një dhurim tjetër nga babai në shumën 400 mijë lekë.

Sipas Hamitajt, babai i subjektit ka përfituar një shumë 1 milion e 99 mijë lekë dëmshpërblim, por ka rezultuar me balancë negative në shumën 6.2 milionë lekë për dhurimet.

Pamundësi është konstatuar edhe për krijimin e një gjendje cash në vlerën 1 milion lekë në vitin 2014.

Hamitaj renditi shpenzimet e Kullollit për shkollimin e fëmijëve gjatë periudhës 2012-2016. Për shkollimin në Shqipëri për periudhën 2012-2013 shpenzimet kanë qenë në vlerën totale 15 mijë e 993 euro. Ndërsa për shkollimin e njërit prej fëmijëve në Paris të Francës dhe tjetrit në Universitetin “Bocconi” në Milano të Italisë, ka rezultuar se janë shpenzuar 19 mijë e 205 euro në vitin 2015 dhe 25 mijë euro në 2016-ën.

Nga analiza financiare e përgjithshme e kryer nga KPK ka rezultuar pamundësi financiare në shumën totale 37 milionë e 555 mijë lekë.

Në fund të seancës, gjyqtari Tomorr Kullolli tha se nuk kishte diçka për të deklaruar rreth gjetjeve të Komisonit.

KPK njoftoi se seanca e radhës ku subjekti i rivlerësimit ka të drejtën të japë qëndrimin dhe shpjegimet e tij do të zhvillohet më datë 7 qershor, ora 10:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *