Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Vlorë, Hysen Saliko,| Foto : LSA
Artikull kryesor Analiza KPK Në Fokus

KPK u nda për të ardhurat e fermës së gjyqtarit Hysen Saliko

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shkarkoi gjyqtarin e Apelit Vlorë, Hysen Saliko për mungesë burimesh financiare, pasi i konsideroi deklarative pretendimet e tij për të ardhurat e familjes nga bujqësia e bletaria në vlerën 15.5 milionë lekë. Relatorja e çështjes, Suela Zhegu në pakicë, çmon se nuk mund të zerohen të ardhurat e përfituara nga buqësisa e bletaria vetëm për faktin se nuk kanë qenë subjekt i ligjit për tatimin mbi të ardhurat.

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Vlorë, Hysen Saliko,| Foto : LSA

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Vlorë, Hysen Saliko u shkarkua nga detyra me shumicë votash prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 3 gusht, me argumentin se nuk arriti të provojë me dokumentacion ligjor të ardhurat e siguruara nga bujqësia dhe bletaria gjatë dy dekadave të fundit, që janë deklaruar prej tij si burime për krijimin e pasurive. Gjithashtu, shumica vlerëson se Saliko kishte cënuar besimin e publikut gjatë dhënies së konsulencës juridike kundrejt pagesës, ndërkohë që ushtronte detyrën e gjyqtarit.

Relatoria e çështjes Suela Zhegu, ndryshe nga koleget e saj, kryesuesja Genta Tafa Bungo dhe anëtarja e trupit gjykues Etleda Çifjta, çmon se gjatë hetimit u provuan të ardhurat që gjyqtari Saliko pretendon se i ka përfituar nga puna e familjes në fermën e fshatit të lindjes.

Saliko ka shënuar në deklaratën veting se, për periudhën 1992-2016, ka përfituar vlerën prej 15 milionë e 532 mijë lekësh nga të ardhurat nga ferma bujqësore, pemëtorja dhe bletaria në pronësi të familjes, që ndodhet në fshatin e lindjes në zonën e Mollasit në Bashkinë Kolonjë.

Subjekti ka deklaruar periodikisht të ardhurat e pretenduara si të përfituara nga ferma dhe ka shpjeguar se nuk disponon dokumentacion pasi në atë periudhë nuk kërkohej dokumentimi apo shitja e mallit me faturë.

Në vjim ai ka shpjeguar se në zbatim të ligjit “Për TVSH” të vitit 2014, nëna e tij është pajisur me NIPT si “Bujk Privat” në vitin 2016 dhe për pasojë shumica e shitjeve të prodhimeve në këtë kohë janë kryer me faturë tatimore.

Shumica vlerëson se nuk qëndron pretendimi i Salikos se nuk ka pasur ku t’i deklarojë të ardhurat nga ferma për periudhën 1992 e në vazhdim. Bungo dhe Çiftja evidentojnë disa ligje dhe shprehen se subjekti i rivlerësimit ka pasur detyrimin e deklarimit të të ardhurave personale si individ ose person fizik jo tregëtar që nga viti 1995.

Gjithashtu është rrëzuar edhe pretendimi se të ardhurat nga ferma, vërtetohen edhe me pagesën kontributeve të sigurimeve shoqërore për periudhën 1993 – 2012 të bashkëshortes si e vetëpunësuar në bujqësi.

Sipas shumicës kontributet për sigurimet shoqërore të paguara për efekt pensioni, nuk janë provë që tregojnë se personi ka punuar në bujqësi, por janë për efekt të përfitimit të pensionit të pleqërisë. Në vendim cilësohet se deklarimi periodikisht i të ardhurave nga ferma, nuk mund t’i bëjë ato të ligjshme.

“Përcaktues për burimin dhe legjitimitetin e të ardhurave është analizimi i burimit të krijimit dhe legjitimiteti i tyre që vërtetohet me dokumentacion justifikues për deklarimin pranë organeve tatimore përkatëse dhe më tej me dokumentacion justifikues për pagimin e detyrimeve tatimore”, argumenton shumica dhe arrin në përfundimin se Saliko ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar të ardhurat nga ferma të deklaruara për periudhën 1993 – 2015, në shumën 13 milionë e 500 mijë lekë.

Zhegu e kundërshton konkluzionin e shumicës lidhur me këto të ardhura dhe shprehet se Saliko ka dorëzuar prova që vërtetojnë se janë paguar taksat e tokës dhe të ndërtesës nga babai i subjektit dhe nga vetë ky i fundit.

Ajo konsideron si prova vërtetimin për vetëpunësimin e bashkëshortes në bujqësi e cila ka paguar kontributet për periudhën 1993 – 2012; foto të kopështit ku duket se përreth shtëpisë ka koshere me bletë dhe mandatpagesa për produktet e shitura.

“Si i vetmi rregullim ligjor për të vetëpunësuarit në bujqësi dhe blegtori ka qenë ai i pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore në mënyrë vullnetare, në mënyrë që të mos humbasin vitet e punës”, argumenton Zhegu. Sipas saj, objekt taksimi ka qenë vetëm sipërfaqja e tokës dhe jo të ardhurat e gjeneruara nga toka bujqësore apo prodhimet blegtorale dhe bletaria.

Zhegu argumenton se pas vitit 2014, u përfshi në legjislacion skema e rimbursimit të TVSh-së për fermerin, nëpërmjet së cilës fermerët që kërkonin rimbursim të TVSh-së duhet të deklaronin shitjet e tyre.

Duke ju referuar legjislacionit të vetingut për deklarimet periodike, relatorja Zhegu arsyeton se ato duhet të merren si provë. Ajo evidenton edhe aktekspertimin e kryer nga një agronom, sipas të cilit familja e subjektit ka pasur mundësi të gjenerojë mjaftueshëm të ardhura për të siguruar të mira për familjen, si dhe për të krijuar kursime.

Zhegu i referohet edhe vlerësimit të Komisionit se subjekti ka deklaruar saktë të ardhura nga shitja e produkteve në shumën 1 milion 575 mijë lekë për vitin 2016 dhe se i ka provuar me dokumentacion justifikues ligjor e me fatura tatimore.

“Ky është një argument plus që shkon në favor të subjektit dhe tregon se subjekti ka vijuar aktivitetin e tij të bletarisë dhe të ardhurat e realizuara nga pemëtaria janë rritur”, shprehet Zhegu.

Ajo çmon se duhej të ishin marrë në konsideratë të ardhurat e realizuara nga bujqësia dhe bletaria pasi në dosje nuk disponohen prova për t’i konsideruar ato si të ardhura inekzistente.

“E thënë ndryshe, gjithë popullsia që jeton në zonat rurale që mbahen kryesisht nga aktiviteti privat bujqësor e blegtoral, nuk duhet të ekzistonin”, shprehet Zhegu.

Ajo konkludon se nëse do të ishin marrë në konsideratë të ardhurat e krijuara nga subjekti në vitet 1993 – 2016, si dhe të ardhurat e familjarëve nga ferma, do të rezultonte se gjyqtari Saliko do kishte burime të mjaftueshme financiare për blerjen e dy apartamenteve, dy garazheve dhe një automjeti, pasuri për të cilat shumica ka konstatuar pamundësi financiare.

Komisioni është ndarë edhe për shtëpinë në fshatin e lindjes. Saliko ka shpjeguar se shtëpia është ndërtuar para vitit 1970 dhe është trashëguar nga babai. Sipas tij, kjo pasuri është ende e paregjistruar në ZVRPP-në Kolonjë, pasi zona është ende e pamenaxhuar. Gjithashtu Saliko ka deklaruar se shtëpia është e pavlerësuar dhe se e zotëron së bashku me nënën, me pjesë takuese 50% secili.

Sipas shumicës, edhe pse dëshima e trashëgimisë provon kush janë trashëgimtarët ligjorë, nuk vërteton faktin nëse babai i ndjerë i subjektit e ka pasur këtë shtëpi në pronësi apo jo dhe e quan pretendimin e Salikos deklarativ.

Sipas relatores Zhegu, subjekti nuk mund të mbajë përgjegjësi për mosveprime nga ana e institucioneve shtetërore. Ajo vlerëson se mungesa e dokumentacionit ligjor justifikues për të vërtetuar pronësinë e banesës nga subjekti i rivlerësimit është për shkaqe të arsyeshme.

Zhegu ndan qëndrim të ndryshëm edhe lidhur konstatimin e shumicës për pagesën e një vlere 30 mijë euro më shumë nga çmimi 83 mijë e 300 euro i pasqyruar në kontratën e shit-blerjes së apartamentit me sipërfaqe 96.7 m2 në Tiranë.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se në shkurt të vitit 2010, Saliko ka depozituar 30 mijë euro në llogarinë e shoqërisë ndërtuese, për apartamentin në Tiranë. Bashkëlidhur mandatarkëtimit është gjendur edhe kopja e pasaportës së subjektit të rivlerësimit.

Saliko nuk ka pranuar ta ketë keyer këtë transfertë dhe ka këmbëngulur se të gjitha pagesat për blerjen e apartamentit në vlerën totale 83 mijë e 300 euro i kishte kryer në cash pranë shoqërisë së ndërtimit.

Komisioni ka ngritur dyshime se apartamenti mund të ishte blerë për një çmim më të lartë nga ai i deklaruar nga Saliko. Lidhur me mosdeklarimin e pagesës 30 mijë euro, shumica konkludon se Saliko është përpjekur të paraqesë në mënyrë të pasaktë pagesat e kryera për blerjen e këtij apartamenti dhe ka shtrembëruar faktet me qëllimin e vetëm që të justifikonte burimin e krijimit të tyre pasi ka rezultuar me mungesë të burimeve financiare për pagesën 80 mijë euro të kryer në shkurt të vitit 2010. Në përfundim, KPK çmon se Saliko ka bërë deklarim të rremë dhe se ka pasur mungesë burimesh financiare për pagesat e apartamentit.

Ndryshe nga shumica, Zhegu gjykon se nuk ka arsye për t’i qëndruar kokëfortë dyshimit të ngritur për mosdeklarimin e vlerës 30 mijë euro. Ajo shprehet se transaksionet e kryera me bankë janë veprime që ruhen në sistemin e bankës shumë gjatë dhe subjekti nuk kishte pse ta mohonte një pagesë të kryer me bankë.

Ndërkohë, Zhegu ndan mendim të njëjtë me shumicën lidhur me një pjesë të konkluzionit të Komisionit për punësimin e subjektit pranë “Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë” për dhënie konsulente dhe trajnim të stafit.

Shumica arrin në përfundimin se në këtë rast Saliko është gjendur në papajtueshmëri me detyrën e tij si gjyqtar dhe se ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia, duke e vlerësuar si shkak shkarkues.

Zhegu çmon se Saliko e ka ushtruar këtë punësim në papajtueshmëri me detyrën, por çmon se kjo shkelje nuk do të ishte e mjaftueshme për ta shkarkuar.

Trupi gjykues është ndarë edhe në vlerësimin e një denoncimi ku pretendohet se gjyqtari Saliko në cilësinë e trupit gjykues dhe dy kolegë të tij kishin marrë vendim pa përfunduar gjykimi.

Denoncuesi ka tërhequr nga Gjykata e Apelit Vlorë një vendim të hershëm të shkallës së parë për një çështje ku kishte qenë palë dhe ka marrë edhe dosjen nga sekretarja. Aty ka gjetur një vendim të zbardhur të Apelit për çështjen ku ai ishte palë, që përmbante numër regjistri themeltar dhe mungonin vetëm firmat. Qytetari ka pretenduar se procesi është fals pasi ende nuk ishte zhvilluar një seancë.

Në vijim, tre gjyqtarët, mes tyre edhe Saliko, kanë dhënë dorëheqjen dhe është caktuar një tjetër trupë për shqyrtimin e çështjes.

Shumica vlerëson se nga dokumentacioni i administruar duket se subjekti nuk ka qenë i panashëm në gjykimin e kësaj çështje dhe konkludon se kjo rrethanë ka sjellë pasoja të rënda për denoncuesin dhe se ka cënuar besimin e tij tek gjyqtari Saliko.

Ndërsa Zhegu çmon se një akt, pa ekstremitetet e një akti të rregullt ligjor, nuk mund të sillte asnjë pasojë për asnjë nga palët në këtë çështje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *