KPK vuri në pikëpyetje etikën, pasurinë dhe profesionalizmin e prokurorit Besnik Cani

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe ONM ngritën dyshime  mbi etikën profesionale dhe thanë se kishte dyshime për cënimin e besimit të publikut te drejtësia nga prokurori Besnik Cani, tani këshilltar pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Cani mohoi të kishte shkelur etikën dhe kërkoi të konfirmohej në detyrë.

Seanca dëgjimore për rivlerësimin e prokurorit Besnik Cani. Foto: Vladimir Karaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të premten seancën dëgjimore të rivlerësimit me kandidatin e fundit për anëtar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani. Relacioni i lexuar nga Lulzim Hamitaj vuri në dukje se gjatë hetimit KPK dhe në një opinion të sajin edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, kishin ngritur dyshime për “cënim të besimit të publikut te drejtësia”,  mbi etikën dhe profesionalizmin e Canit. Po ashtu, në relacion u përmendën edhe probleme me pasuritë, përfshi shuma të padeklaruara.

Problemet kryesore të Canit sipas relacionit, rezultuan nga një kontratë e diskutueshme sipas KPK-së me kompaninë “Kastrati” për një pikë karburanti në pronë të tij, një kërkesë për kredi të butë si i pastrehë nga Bashkia Fier në një kohë kur prokuroria kishte në hetim ish-kryebashkiakun si dhe pushimi apo mosfillimi i hetimeve për disa dosje.  KPK po ashtu theksoi edhe disa probleme me deklarimin e pasurisë.

Cani u mbrojt duke vlerësuar hetimin e KPK-së si shterues, por kundërshtoi dyshimet e ngritura për shkelje të etikës, konfliktin e interesit dhe aprofesionalizmin në trajtimin e disa çështjeve. Cani tha se kontrata me kompaninë nuk ishte investim, por “kontratë qiraje me pagesë variable”, ndërsa tha se kishte gjetur që kjo lloj kontrate përdorej në “Australi, Singapor e Kamboxhia”. Ai tha se KPK kishte vërtetuar që nuk  kishte ndikuar në hetimin ndaj ish-kryebashkiakut të Fierit, Baftjar Zeqo dhe se megjithëse bashkëshortja kishte bërë kërkesën, ata ishin “tërhequr nga përfitimi i kredisë së butë”.

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) dhe Prokuroria e Përgjithshme lëshuan raporte pozitive për Canin, duke mos i gjetur shkelje në asnjë prej kritereve.

Besnik Cani është kandidati i fundit i Këshillit të Lartë të Prokurorisë që kalon në sitën e vetingut. Ai u përball me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, që përfaqësohej në këtë proces nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici. Cani e ka filluar karrierën në Prokurori si oficer i Policisë Gjyqësore në vitin  ’94 dhe në vitin 2003 është  emëruar fillimisht në Prokurorinë e Tiranës. Përgjatë 15 viteve, ai ka drejtuar prokuroritë e Fierit, Shkodrës dhe Elbasanit dhe së fundmi është emëruar në kabinetin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Kontrata e qirasë për karburantin

Gjatë seancës dëgjimore, që zgjati 3 orë, KPK tha se hetimet për Canin ishin mbyllur një herë vetëm për kriterin e pasurisë në korrik të këtij viti. Por treshja që gjykoi rastin, kishte vendosur rihapjen e tyre pasi Cani kishte sjellë argumente plotësuese sa i përket pasurisë dhe kishte kërkuar të hetohej në të tre kriteret.

Sipas relacionit, prokurori zotëronte rreth një mijë metra katrorë në Paskuqan, një pjesë të përfituara përmes procesit të legalizimit (633 metra katrorë) dhe 363 metra ishin blerë në vitin 2016 nga kunati për 1.5 milion lekë.

Në këtë pronë, më herët kishte qenë banesa e prokurorit, tani ndodhej sipas relacionit një pikë karburanti, një bar kafe dhe një lavazh. Objektet ishin ndërtuar nga kompania Kastrati Shpk, bazuar në një kontratë qiraje 25-vjeçare sipas të cilës Cani përfitonte 5 lekë për çdo litër karburant të shitur aty dhe pas 25 viteve merrte në zotërim edhe karburantin. Kontrata kishte pësuar një sërë amendimesh dhe në versionin e saj të fundit bar-kafeja dhe lavazhi menaxhoheshin nga djali i subjektit.

Relatori tha se komisionit në këtë rast i kishin lindur dyshime për konflikt interesi dhe për kontratë investimi që binte ndesh me ligjin, ndërsa u cilësua se kishte dyshime për shkelje të etikës.

KPK tha se kishte kërkuar opinion nga ILDKPKI e cila ndërsa ishte shprehur se Cani nuk kishte konflikt interesi në raportin e përgjithshëm dërguar Komisionit, përsëriti të njëjtin qëndrim. KPK po ashtu tha se nuk kishte rezultuar që Cani të kishte hetuar ortakë apo drejtues të kompanisë në fjalë.

Megjithatë relatori vuri në dukje se për Komisionin kontrata nuk ishte kontratë qiraje dhe se me amendamentet dhe efektet që sillet ajo ishte më shumë një “pjesëmarrje në sipërmarrje, ku subjekti përfiton në varësi të fitimeve” dhe se mund të cilësohej në këtë rast ortak.

KPK tha se në këtë rast kishim një rrethanë që mund të çonte në cënim të besimit të publikut te drejtësia dhe ngriti dyshime për mosrespektim të ligjit për statusin e magjistratit apo përfitime për shkak të pozicionit si prokuror.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit në këtë rast ishte shprehur me një opinion të veçantë, ku vinte në dyshim etikën e Canit. Relatori tha se opinioni do të shqyrtohej bashkë me provat e tjera në këtë rast.

Vetë Cani i cili tha se ishte krenar që nuk po hetohej për fshehje të pasurisë apo për lidhje me krimin e organizuar, por “vetëm për përpjekjet për të siguruar një jetesë më të mirë familjes së tij dhe shkollim më të mirë për fëmijët”, tha se nuk kishte konflikt interesi. Cani megjithatë theksoi se nuk ishte njohës i miri i ligjit civil, sepse ishte specializuar në atë penal. Duke pranuar faktin se kontrata e qirasë ishte atipike, ai tha se kishte gjetur shembuj të ngjashëm prej kompanive të tjera.

Duke iu referuar ILDKPKI-së Cani këmbënguli se formalisht ai duhej të vihej në dijeni për konfliktin e interesit nëse kishte dhe vetëm nëse nuk e zgjidhte atë të penalizohej. Në këtë kontekst Cani i tha KPK-së se nëse trupa do të gjykonte këtë si marrëdhënie e papërshtatshme ai ishte i gatshëm ta prishte kontratën.

Ai tha se kjo kontratë që ishte bërë me qëllim që të përmirësonte jetën e  familjes por ishte kthyer tani në një makth. Ai tha se nuk kishte hetuar çështje ku ishin përfshirë ortakë apo drejtues të kompanisë dhe se nëse do të kishte të tilla do të dorëhiqej nge hetimi apo vendimarrja.

Duke iu referuar dyshimit se kishim të bënim me një kontratë investimi e ortakërie, Cani tha kontrata ishte përpiluar nga kompania dhe se kjo e fundit kishte kërkuar këtë formë pagese duke qenë se nuk ishte e sigurt për përfitimet që mund të vinin nga investimi pasi bëhej në një zonë joformale.

Ai theksoi se ligji civil shqiptar nuk jepte detaje se çfarë ishte një kontratë qiraje dhe as format e pagesës që aplikoheshin. Ai tha se kishte gjetur një formë e ngjashme kontratë qiraje me pagesë “variable” e cila aplikohej në Australi, Singapor dhe Kamboxhia.

Për të justifikuar pse kompania kishte hequr dorë nga lavazhi dhe kafeneja Cani tha se ajo ishte një kompani me xhiro të madhe dhe përfitimet nga një lavazh e një kafen në Paskuqan nuk ishin të mjaftueshme për të.  Ai tha se kjo do të paguhej duke i lënë kompanisë gjysmën e vlerës së qirasë. Cani në koment tha po ashtu se banorët në zonë flinin herët dhe “Akoma nuk janë civilizuar”.

Hetimet mbi kredinë e butë në Fier

Hetimi i zgjeruar sipas relacionit të lexuar në seancë dëgjimore përfshiu edhe çështje të hetuara nga Cani dhe njëkohësisht denoncimet ndaj tij. KPK në këtë seancë iu referuar një shkrimi të publikuar në portalin pamfleti.com, në të cilin Cani akuzohej për korrupsion dhe po ashtu për zvarritje të hetimeve të një dosje në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Fierit Baftjar Zeqo, me qëllim përfitimin e një kredie të butë nga kjo bashki.

KPK tha se kishte hetuar në lidhje me dyshimet e ngritura në shkrim. Komisioni nuk kishte administruar dot dosjen e aplikimit të bashkëshortes së Canit për kredi të butë, pasi ajo nuk ndodhej më në bashki, por u gjet se ai ishte futur në listën e personave të pastrehë që mund të përfitonin.

KPK tha se statusi i pastrehë ishte dhënë edhe pse ai nuk plotësonte kriteret e përcaktuara nga ligji. Relatori po ashtu tha se në fund prokurori nuk kishte përfituar kredi të butë. Bashkëshortja që kishte aplikuar nuk kishte asnjë pronë të paluajtshme.

Megjithatë Komisioni tha se kishte dyshime që aplikimi ishte përdorur për të përfituar nga privilegji i të qenit prokuror. Çështja po ashtu ishte hetuar edhe në lidhje me kriterin e profesionalizmit.

Cani nuk kishte hetuar dosjen, që kishte të bënte po me një vendim të bashkisë Fier e këshillit bashkiak atje për qiratë e buta, por kishte qenë drejtues i Prokurorisë së Rrethit Fier në këtë kohë dhe kishte miratuar vendimet e prokurores së çështjes. Kjo e fundit kishte pushuar hetimet duke thënë se nuk kishte vepër penale, pasi behej fjalë për një vendim kolegjial të Këshillit të Bashkisë.

Vendimi i prokurores ishte rrëzuar në Gjykatën e Fierit e cila kishte kërkuar hapjen e hetimeve, po ashtu në një padi civile Gjykata e Fierit kishte rrëzuar si të paligjshëm ketë vendim të këshillit bashkiak.

KPK megjithatë tha në relacion se nuk kishte provuar që Cani të kishte ushtruar ndikim për të favorizuar ish-kryebashkiakun.  Cani vetë u mbrojt duke iu referuar kësaj pjese të relacionit, po ashtu tha se kishte marrë një dëshmi nga ish-kryebashkiaku Zeqo.

Ai tha se në këtë kohë kishte menduar se do të qëndronte për një kohë të gjatë në Fier dhe duke dashur të kishte pranë familjen kishte menduar të tranferohej aty me gjendje civile dhe më pas edhe me banesë dhe për këtë arsye bashkëshortja pa iu referuar ndonjë ligji kishte bërë kërkesën.

Cani u mbrojt në seancë duke referuar dy herë, se në një çështjen sipas tij të ngjashme ndaj kolegut Dritan Prençi, i cili është konfirmuar nga KPK dhe vendimi ka marrë formë të prerë, KPK nuk e kishte parë si problem përfitimin e kredisë së butë nga Bashkia Laç.

Ai theksoi se çështja ndaj tij ishte edhe më pak e rëndësishme pasi ai ishte tërhequr nga kërkesa dhe kjo nuk kishte sjellë asnjë pasojë.

Megjithatë kërkesa e bashkëshortes së tij për kredi të butë u bë pjesë e diskutimit në seancë dëgjimore. Vëzhguesja e ONM-së në këtë rast e pyeti Canin nëse ai dhe bashkëshortja, pavarësisht njohjes që kishin për ligjin, ishin interesuar për të mësuar nëse i plotësonin apo jo kriteret ligjore për kredi të butë para se të aplikonin.

Cani përsëriti qëndrimet e tij të mëparshme, ndërsa tha se vlerësimi për marrjen ose jo të statusit bëhej nga institucionet e jo nga ai. Ai përsëriti se kërkesa kishte qenë formale dhe vetëm për shkak të dëshirës për të qenë pranë fëmijëve në moshë adoleshence. Ai tha se nuk kishte përfituar nga pozicioni i punës duke dhënë si shembull tërheqjen nga kjo kërkesë kur ishte trasferuar në Shkodër edhe pse mund ta kishte bërë këtë në rrethet që kishte shërbyer si drejtues.

Ndërsa përmendi sërish rastin e Prençit  edhe pse iu kërkua si nga ONM si nga kryesuesi i seancës që t’i referohej vetëm çështjes së tij dhe fakteve rreth saj. Vëzhguesja e ONM-së këmbënguli se Cani nuk i dha përgjigje pyetjes së saj.

Probleme të tjera me pasurinë dhe profesionalizmin

Sipas relacionit problemi i parë i Canit me pasurinë ishte ndërtimi i një shtëpie në Paskuqan në fillim të viteve 90’. Relatori tha se kostoja ishte vlerësuar 700 mijë lekë dhe se Cani nuk kishte sjellë dokumente për të justifikuar burimin e ligjshëm të kësaj pasurie.

Relatori Hamitaj tha se në shpjegimet e dhëna Cani kishte pretenduar se shtëpia ishte ndërtuar me argat, me ndihmën e miqve dhe të afërmve. Në fjalën e tij Cani i qëndroi këtij shpjegimi ndërsa i tregoi treshes gjykuese dhe të pranishmëve në sallë foto të banesës, për të dëshmuar se ajo kishte qenë një ndërtim modest. Relatori nuk u shpreh se si ishte cilësuar kjo pasuri.

Po ashtu Cani zotëronte një apartament 117 metra katrorë, blerë për 69 mijë euro në vitin 2005. KPK tha se kishte dyshime në burimin e ligjshëm në këtë rast të 3500 dollarëve që kishin shërbyer për pagimin e 21 mijë eurove parapagim në momentin e lidhjes së kontratës së porosisë.

Sipas KPK-së kjo shumë ishte deklaruar si e kursyer, por Komisioni thotë se shuma nuk ishte deklaruar në vitet 2003 dhe 2004. Relatori tha se ishte hetuar edhe një hua me vlerë 6 mijë euro dhe një hua tjetër nga të afërm në vlerë 500 mijë lekë. Ai tha se vendimi për këto shuma do merrej pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe argumenteve të subjektit.

Po ashtu relatori tha se kishte një “mungesë të lehtë të ardhurash” në disa vite. Cani tha se mosrakordimit ishin pasojë e lapsusave dhe gabimeve. Ai tha se ligji për vetëdeklarimin kishte lejuar një marzh gabimi në vetëdeklarimet e para.

Ndërkohë sa i përket profesionalizmit të Canit KPK u fokusua gjatë te mosfillimi i hetimeve për dy çështje. Sipas KPK-së Cani kishte marrë vendime për të mosnisur hetimet duke mos kryer veprime paraprake dhe duke neglizhuar provat.

KPK iu referua në një rast vendimit të Canit për të mos ngritur akuzë për “shkaktim vetëvrasje” ndaj një të akuzuari i cili ndërkohë po dërgohej për gjykim për korrupsion. Rasti ishte denoncuar në KPK nga një person.

Në seancë u tha se pas vendimit të eprorit Cani kishte rihapur hetimin dhe kishte ndryshuar kërkesën për gjykim duke vendosur akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes. KPK thotë se vetë Cani kishte përfaqësuar këtë akuzë në gjykatë dhe i akuzuar ishte dënuar në Shkallën e Parë, por vendimi për akuzën e “shkaktimit të vetëvrasjes” ishte rrëzuar në Apel.

Në mbrojtje të tij Cani tha se këto ishin gabime që rregulloheshin brenda sistemit të drejtësisë. Duke përmendur faktin e vendimit të ndryshëm të dy gjykatave Cani la të kuptohej se çështja ishte e hapur për interpretime të ndryshme. Ai dha detaje konkrete të çështjes, duke shtuar se kishte pasur në dorë një ekspertizë mejkoligjore që i bënte shkaqet e vdekjes të qarta dhe se megjithatë pas vendimit të eprorit në kundërshtim me qëndrimin e tij, kishte plotësuar dosjen i pandikuar.

Ai po ashtu kundërshtoi pretendimet se akuza nuk ishte përfshirë si pasojë e ndonjë “ndikimi të jashtëm”, duke dhënë si provë se ai kishte përfaqësuar atë me dinjitet dhe se kishte fituar çështjen, pavarësisht se vendimi ishte prishur në apel ku akuza përfaqësohej nga prokuror tjetër.

Në një denoncim tjetër KPK iu referua mosfillimit të hetimeve për një falsifikim me pasojë tjetërsimin e 10 mijë metrave katrorë pronë. Çështja ishte pushuar, ndërsa Cani kishte përdorur si argument faktin se në një vendim civil falsifikimi nuk ishte vënë në dukje nga gjykata.

KPK ndërkohë theksoi se falsifikimi kishte qenë i dukshëm në kallëzimin e bërë dhe se Gjykata e Shkallës së Parë kishte kërkuar që prokuroria të fillonte hetimet, pas të cilave po Cani kishte dërguar një dosje në gjykatë duke marrë edhe dënim të për të akuzuarit. Vendimi ishte prishur në Apel pasi vepra penale ishte konsideruar e parashkruar.

Edhe në këtë rast prokurori përdori si mbrojtje faktin se kishte qenë ai që e kishte dërguar çështjen në fund. Ai tha se vendimi i parë i pushimit ishte marrë pasi kishte një politikë në prokurori për të qenë të kujdeshëm me kallëzime të ngjashme, të cilat po përdoreshin për të zvarritur proceset civile.

Cani u gjet i përshtatshëm në kriterin e vlerësimit të figurës, ndërsa disa denocime ndaj tij për korrupsion KPK tha se ishin verifikuar, por nuk kishin rezultuar të sakta dhe nuk kishin prova për abuzime. Në një rast KPK tha se denoncuesi kishte lënë numër të rremë kontakti dhe nuk u gjet në adresën e deklaruar për të marrë shpjegime të tjera.