Kreu i Gjykatës Administrative të Gjirokastrës përballet me vetingun
Lajme

Kreu i Gjykatës Administrative të Gjirokastrës përballet me vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi mospërputhje në pagesën e tatimeve gjatë punës si avokat si dhe mungesë burimesh, ndërsa gjyqtari Ramiz Lala kundërshtoi analizën financiare si të pasaktë dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Gjyqtari Ramiz Lala pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: E.Hoxhaj

Kryetari i Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, Ramiz Lala u përball të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese e KPK-së përbëhej nga Etleda Çiftja kryesuese, Firdes Shuli anëtare dhe Pamela Qirko relatore e çështjes. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm John Leonardo.

Ramiz Lala e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2010 në gjykatën e Përmetit. Ai është emëruar kryetar i Gjykatës Administrative të Gjirokastrës në vitin 2013 dhe vazhdon ta ushtrojë atë prej gati 6 vitesh.

Sipas relatimit, ILDKPKI ka dorëzuar një raport pozitiv për gjyqtarin Lala, duke i konsideruar deklarimet e tij të sakta dhe burimet financiare të ligjshme. Ndërkohë, hetimi i KPK-së u fokusua në një apartament prej 86.6 m2 në Tiranë, një sipërfaqe trualli të ndodhur në Paskuqan të Tiranës si dhe mbi një ndërtesë dy-katëshe të ngritur në këtë truall.

Lidhur me apartamentin, relatorja Qirko tha se ishte porositur në vitin 2010 në vlerën rreth 51 960 euro, ndërkohë që ka si burim të deklaruar të ardhurat e subjektit si avokat. Sipas relatores, 50 mijë euro janë shlyer përpara se Lala të fillonte punë në gjyqësor, ndërsa pjesa tjetër në vitet e mëvonshme.

“Komisioni ka kryer analizë financiare lidhur me të ardhurat e gjyqtarit Lala gjatë periudhës 2003-2006 kur ai ka ushtruar profesionin e avokatit. Komisioni ka gjetur mospërputhje të të dhënave të pasqyruara prej gjyqtarit Lala në deklaratën veting dhe informacioneve të dërguara nga drejtoria e Tatimeve Kukës lidhur me të ardhurat e deklaruara,” tha relatorja.

Qirko shpjegoi se subjektit i ka kaluar barra e provës dhe se shpjegimet dhe provat e dorëzuara prej tij do të vlerësohen gjatë marrjes së vendimit.

Komisioni ka gjetur të saktë deklarimin e gjyqtarit Lala për një sipërfaqe toke bujqësore në fshatin Buzmadh të Kukësit si dhe deklarimin për 755 m2 tokë-arë në Paskuqan. Për këtë pasuri Lala ka deklaruar si burim krijimi përpjestimin e pasurisë mes pronarëve dhe të ardhurat e shitjes së një toke.

Sipas Komisonit, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka konfirmuar regjistrimin e kësaj pasurie dhe deklarimi i gjyqtarit Lala është konsideruar i saktë. Qirko pohoi se subjekti ka dhënë shpjegime se prindërit e tij e kanë regjistruar fillimisht tokën 3000 m2 të blerë në Paskuqan, prej nga rrjedh pasuria e tij, tokë-arë me sipërfaqe 755 m2.

Ndërkohë, Komisioni ka ngritur dyshime për vlerën e deklaruar të një banese në Paskuqan. Sipas relatores Qirko, ka rezultuar se gjyqtari Lala zotëron një shtëpi banimi dy katëshe në Paskuqan, me sipërfaqe totale 181 m2, për të cilën ka pasqyruar vlerën 998 mijë lekë.

Si burim krijimi të kësaj shtëpie në bashkëpronësi me anëtarët e tjerë të familjes, gjyqtari Lala ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga një shtëpi në Kukës, ndërkohë që shtëpia u ndërtua pa leje dhe u legalizua në vitin 2015.

Për një gjendje cash në vlerën 750 mijë lekë, si burim i së cilës janë deklaruar të ardhurat nga paga e tij dhe e bashkëshortes, Komisoni ka gjetur mungesë burimesh për shumën 72 mijë lekë. Megjithatë, relatorja theksoi se subjekti kishte dorëzuar prova dhe qëndrimin e tij mbi këto gjetje.

Për profesionalizimin, Komisioni ka konstatuar se gjyqtari Lala tregon nivel minimal kualifikues në arsyetimin e çështjeve gjyqësore. “Janë konstatuar problematika profesionale si arsyetimi në nivel minimal dhe pasaktësi formale dhe në disa raste tejkalim të afateve të gjykimit,” pohoi ndër të tjera relatorja Qirko.

Sipas relatores Qirko, ka 12 ankesa të shqytuara prej Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD, katër prej tyre kanë qenë të përsëritura, për pesë është konkluduar se mund të zgjidhen përmes apelimit, kurse njëra është shqyrtuar. Komisioni ka konstatuar se ndaj gjyqtarit Lala nuk është marrë ndonjë masë disiplinore gjatë kohës që ai ka ushtruar këtë detyrë.

Gjyqtari është vlerëesuar gjithashtu pozitivisht nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.

Gjatë fjalës së tij, gjyqtari Ramiz Lala u përqendrua në disa prej gjetjeve të Komisionit. Ai tha se vlera e shtëpisë në Paskuqan, edhe sipas ekpertëve ishte vlerësuar rreth 1 milion lekë. Ndërsa lidhur me mospërputhjet e konstatuara mes deklarimeve të tij për të ardhurat gjatë periudhës kur ka punuar si avokat me të dhënat e servirura pranë Komisionit nga Drejtoria e Tatimeve Kukës, gjyqtari Lala fajësoi këtë të fundit. Sipas tij, mospërputhjet kanë ardhur si pasojë e gabimeve të drejtorisë së Tatimeve.

Lala kundërshtoi konkluzionet e KPK-së edhe për shpenzimet e përllogaritura në analizën financiare. Ai tha se shpenzimet familjare janë përllogaritur sikur janë gjashtë anëtarë, kur në fakt janë pesë. Edhe për shpenzimet e udhëtimeve, ai tha se ato arijnë vlerën 96 mijë lekë dhe jo 240 mijë, sa ka konkluduar Komisioni.

Gjyqtari Lala tha se duhet të përllogariten edhe të ardhurat nga shfrytëzimi i tokës nga kultivimi me perime e zarzavate. Duke konsideruar se në analizën financiare të KPK-së ka disa gabime në përllogaritje, gjyqtari Lala tha se nëse do të korrigjoheshin, atëherë ai dilte me një balancë pozitive në vlerën 350 mijë lekësh. Ai shtoi se për një udhëtim që kishte kryer me kolegët në Turqi kishte shpenzuar pagesën e prenotimit 150 euro dhe jo 60 mijë lekë, sa ishte përllogaritur nga Komisioni.

Lidhur me profesionalizmin, subjekti tha se Gjykata Administrative e Gjirokastrës ka pasur shumë ngarkesë dhe se nuk ka qenë mundësia dhe koha për të kryer arsyetime të zgjeruara. “Jemi përpjekur të japim vendime të drejta dhe të shpejta,” pohoi gjyqtari, i cili theksoi më tej se gjykata që ai drejton ka qenë mjaft eficente dhe se 51% të çështjeve i kanë  shqyrtuar brenda afatit 30 ditor, pavarësisht ngarkesës së madhe.

Në përfundim të shpjegimeve të tij, relatorja Pamela Qirko e pyeti gjyqtarin Lala se cilat ishin mënyrat e udhëtimit nga Gjirokastra në Tiranë për të qëndruar pranë familjes së tij në fundjavë.

Lala u përgjigj se zakonisht përdorte transportin publik, por se ka pasur edhe raste që është përdorur mjeti i gjykatës. Ai tha se shpenzimet e udhëtimit nga Gjirokastra në Tiranë dhe anasjelltas, i ka përllogaritur sikur ato të jenë kryer me transportin publik.

Kreu i Gjykatës Administrative të Gjirokastrës kërkoi konfirmimin në detyrë, ndërkohë që vendimi për të u caktua të shpallej më 26 korrik, ora 10:15.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *