Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Kreu i Gjykatës Administrative të Tiranës përballet me vetingun

Kryegjyqtari Eriol Roshi ballafaqohet pa probleme me tre kriteret e vetingut, ndërkohë që vëzhguesi i ONM-së, Theo Jacobs ngriti pyetje mbi mbajtjen e 1.5 milionë lekëve kursime për katër vite “nën dyshek”.   

Kryetari i Gjykatës Administrative të Tiranës, Eriol Roshi pas seancës dëgjimore në KPK.

Kryetari i Gjykatës Administrative të Tiranës, Eriol Roshi u përball mëngjesin e së mërkurës me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për të tre kriteret e rivlerësimit. Trupa gjyqësore drejtohej nga Genta Tafa Bungo, me relatore Valbona Sanxhaktari dhe anëtar Lulzim Hamitaj.

Eriol Roshi ka një karrierë 14 vjeçare në sistemin gjyqësor dhe prej vitit 2013 drejton Gjykatën Administrative të Tiranës. Ai ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës dhe ka punuar më parë si gjyqtar në Berat.

Seanca dëgjimore me Roshin u fokusua te burimet financiare për blerjen e një apartamenti 110 metra katrorë në Tiranë si dhe në një denoncim mediatik mbi mënyrën e hedhjes së shorteve në Gjykatën Administrative të Tiranës, të drejtuar prej tij.

Relatorja Sanxhaktari tha se gjyqtari Roshi zotëronte një apartament me sipërfaqe 110 metra katrorë me vlerë 7.9 milionë lekë, të financuar përmes një kredie bankare prej 6.3 milionë lekësh si dhe rreth 1.5 milionë lekë kursime nga shitja e një apartamenti në bashkëpronësi me prindërit.

Ndërsa vlerësoi se subjekti kishte burime të mjaftueshme për blerjen e apartamentit në vitin 2015, relatorja tha se hetimi u shtri edhe te mundësitë financiare të prindërve. Sipas hetimit rezultoi se gjyqtari Roshi zotëronte pjesë takuese 1/3 e një apartamenti të blerë nga babai për 49 mijë euro në vitin 2006 dhe të shitur për 55 mijë euro në vitin 2012.

“Burimi i krijimit të këtij apartamenti janë të ardhurat e babait nga aktiviteti i shitjes me pakicë të artikujve ushqimorë. Komisioni ka kërkuar nga Drejtoria e Tatimeve të dhëna mbi marzhin e fitimit të këtij aktiviteti, ndërsa subjekti ka dhënë shpjegime objektive mbi mundësitë financiare të babait,” tha Sanxhaktari, ndërsa shtoi se shpjegimet do të vlerësoheshin para marrjes së vendimit.

Transaksionet me apartamentin e shitur si dhe mbajtja për katër vjet e pjesës së vet takuese prej 1.5 milionë lekësh jashtë sistemit bankar ngjalli kureshtjen e vëzhguesit të ONM-së, Theo Jacobs, i cili e pyeti gjyqtarin Roshi se si kishin mbërritur paratë te ai dhe ku kishin qëndruar ato për rreth 4 vjet.

“Jam përgjigjur në shpjegimet e mia se veprimet nuk janë kryer përmes bankës. Të hollat kanë qëndruar në shtëpinë e babait tim,” u përgjigj Roshi, ndërsa sqaroi se ai nuk kishte kontribuar në blerjen e apartamentit, por ishte bërë bashkëpronar nga dëshira e prindërve.

“Pra, i mbajtët poshtë dyshekut,” vërejti Jacobs.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka dorëzuar një raport pozitiv për pastërtinë e figurës së gjyqtarit Erion Roshi. Relatorja Sanxhaktari tha gjithashtu se subjekti ka aftësi të plota në arsyetimin ligjor si dhe nuk janë konstatuar raste të shkeljes së etikës.

Komisioni ka marrë 3 denoncime nga publiku për gjyqtarin Roshi si dhe verifikoi denoncimin mediatik të bërë nga emisioni “Boom” në Ora News për shmangie apo ndërhyrje në short nga kryetari i Gjykatës Administrative.

“Subjekti paraqiti shpjegimet e tij mbi pretendimet, të cilat do të verifikohen. Ai ka ndërmarrë gjithashtu disa inisiativa për përmirësimin e punës…,” tha relatorja Valbona Sanxhaktari.

Kryetari i Gjykatës Administrative të Tiranës tha para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit se kishte dërguar shpjegime të plota me shkrim. Ai u ndal te një përgjigje e marrë nga Drejtoria e Tatimeve mbi pamundësinë e llogaritjes së fitimit për një biznes të vogël [të ardhurat e babait], ndërsa shtoi se njëri prej denoncimeve kishte marrë tashme rrugën gjyqësore të apelimit.

Roshi shprehu falenderime për konstatimet e Komisionit dhe në fund të fjalës së tij kërkoi konfirmimin në detyrë.

“Kam një karrierë prej 14 vitesh dhe kam punuar në disa gjykata të vendit. Kam bërë gjithçka që ka qenë e mundur për mbarëvajtjen e punës në krye të Gjykatës Administrative të Tiranës,” tha Roshi.

Para se të tërhiqej për vendim, kryetarja e trupës gjykuese, Genta Tafa Bungo njoftoi se vendimi për kreun e Gjykatës Administrative do të shpallet të enjen në orën 9:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *